Kujtimet e së nesërmes

(Vështrim mbi romanin “Prerja e Frikës” i shkrimtarit Fehmi Pireva)

Nga: Violeta Allmuça


Fehmi Pireva i njohur në fushën e letrave shqipe për lëvrimin e poezisë, vjen me romanin “Prerja e Frikës” si protagonist, pra si Heroi kryesor, ku shpalos të kaluarën e jetës, sa absurde po aq të qenësishme në vendlindjen e tij duke pasqyruar vetveten, përmes kujtesës dhe imagjinatës.

Autori ka pasur si synim të njohë lexuesin me të panjohurën, nëpërmjet kësaj vepre të suksesshme letrare shkruar me një stil të rrjedhshëm. Romani ka nivel artistik dhe estetik, në hapësirë e kohë, përshkruar e shtresuar si një tematikë e rrallë me një dialog dhe rrëfim të çiltër.
Duke qenë personazh real autori na njeh me një ngjarje të jashtëzakonshme pasi personazhet e së shkuarës jetojnë me ëndrra mitike në një ambient antik, ku
zbulimi i gypit të ujit çmohet si një bekim nga antikiteti i tokës së të parëve.

Rrëfimi dhe përjetimi i “Prerjes së frikës” kthehet në një betejë ndjellakeqe, pothuajse dramatike në vetëdijen e tyre si pjesë e ekzistencës së traditës. Të gjallët duhet të ecnin sipas besëtytnive të pandashme drejt së ardhmes sublime. Në vend që të dritësohej jeta, errësohej shpirti nga shtytja prej së keqes. Fëmijëria i mësoi autorit shenjat për të kapërcyer të shkuarën në betejën për jetën. Emocionet fëmijërore ndikohen nga dëshirat e paraardhësve që besimin e tyre ta përcillnin me të njëjtën përmasë brenda lidhjeve qenësore dhe mëdyshjeve shpirtërore.

Subjekti letrar duke shfrytëzuar një dukuri të vërtetë dhe përvojën e imagjinatës që e përshkonte shpejtimin e “ecjes”, shpaloset si simbolikë e rrëfimit artistik. Metaforikisht bunari ku kryhet riti i “ngritjes në këmbë” përbën idenë e mungesës së lirisë. Jetës i printe një profeci e errët sa surreale aq e pabesueshme që duhej zhdukur.

Edhe pse njerëzve në atë realitet u mungonte frymëmarrja, fëmijët përjetonin fatin tragjik, sakrificën dhe frikën. Ndërkohë ardhacakët hapnin hartat të zbulonin qytetërimin e hershëm të atij vendi që për ata, ishte aq i vogël, sa që nuk u besonin pasardhësve të tyre edhe pse e dinin se në ato troje njerëzit kishin mik diellin i cili ulej në dritaret e shtëpive.

Simboli i diellit shfaqej edhe në ëndrrën e fëmijëve për një shkollë të re apo për një dashuri që lindi nga fshehtësitë e përtejme aty në bunarin e të gjithëve, ku lëviznin personazhet, lajmet e reja, civilizimi dhe vdekjet.
Ngjarjet zhvillohen në dy kohë, në të shkuarën kur shfaqet kjo dukuri e lashtë si kundërthënie dhe në të tashmen që e plotëson lëndën letrare strukturalisht me elementët kompozicionalë.

Shtjellimi e përshkrimet në roman zënë një vend të veçantë në kontekstin tekstor ku shqiptohet në mënyrë të ndërsjellë të shprehurit artistikisht me botëkuptimin kundërvënës të autorit, i cili e quan këtë trashëgimi, hije e së ardhmes jashtë realitetit dhe jashtë shpirtërores. Ikja e frikës tek fëmijët njëvjeçarë që nuk ngriheshin në këmbë ishte një mallkim që duhet të gërryhej nga mendimet jo reale.

Si personazh Fehmi Pireva nuk mund ti ndalonte ethet e së shkuarës, por si mjeshtër i fjalës mund ti shkruante në një rrëfim të natyrshëm realist për lexuesit e sotëm, duke e kthyer një zakon të vjetër tipik të kohës së shkuar në një vepër letrare për ti dhënë jetë këtij romani si pikëtakimi në aspektin dhe misionin e letërsisë. Fati i autorit është i lidhur me fatin e vendit të tij, sepse vetëm atdheu mbetet i përjetshëm. Në roman shfaqen edhe personazhe të tjerë, si nëna, shokët, familja, miqtë dhe dashuria. Rrëfimi zgjatet deri në kulmin e trishtimit për ti përjetësuar në një narrativë me vlera letrare reflektuese si kujtime të së nesërmes.

Kapërcimi i së keqes drejt së ardhmes dhe lirisë, së personazhit kryesor, përfaqëson ndjesi të ndryshme të vetëdijes së tij në diskursin letrar e gjuhësor. Qenia njerëzore arrin të tejkalojë gjithçka që e çon drejt dukurive të së mirës.
Do shkruaj një libër për “Prerjen e Frikës” shkruan në Epilog Fehmi Pireva. Dhe e shkroi këtë roman të mrekullueshëm për jetën dhe njeriun.