“Një mbrëmje e paharrueshme në kujtim të një njeriu që shumë prej nesh e kanë dashur pa e njohur, veç nëpërmjet vargjesh: Teodor Keko!”, tha ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, në mbrëmjen kushtuar poetit, shkrimtarit e publicistit, të larguar nga jeta 20 vjet më parë.
Mbrëmja përkujtimore u zhvillua në sallën e koncerteve të Katedrales Ortodokse, me pjesëmarrjen e bashkëshortes së Teodor Kekos, Xhulieta Kekos, të cilën ministrja e ka falënderuar që në një mbrëmje të tillë, u besoi të pranishmëve ndjenjat e saj më të thella.
Gjatë mbrëmjes kanë interpretuar vargjet e Kekos, aktorët Luiza Xhuvani, Kastriot Çaushi e Kristian Koroveshi, nën tingujt e luajtura në piano nga Etrita Ibrahimi e Ardit Gjebrea.
Në këtë 20-vjetor të largimit të tij fizik, Teodor Keko ka qenë i pranishëm për adhuruesit e penës së tij, nëpërmjet aktiviteteve për nder të shkrimtarit.
Pak kohë më parë në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, u çel një ekspozitë në përkujtim të kontributit të tij të vyer në fushën e letrave shqipe dhe të publicistikës.
Kjo ekspozitë sjell për publikun krijimtarinë e Teodor Kekos, duke nisur nga botimi i tij i parë në revistën “Nëntori” (1980) dhe vëllimin e parë me poezi “Pas provimeve” botuar në vitin 1983, e deri tek “Shënimet e një gruaje”, botuar pas vdekjes.
Një vend të veçantë në këtë ekspozitë zë edhe veprimtaria e tij si redaktor, por edhe si publicist, që vjen përmes artikujve në shtypin periodik të kohës.
Xhuli Keko: Shpesh dua të besoj që jam ende në një ëndërr të frikshme
Edhe bashkëshortja e kujtoi Teodor Kekon nëpërmjet një postimi, të publikuar ditë më parë.
“Vij në shtëpinë tonë në Tiranë e s’të gjej, shkoj në shtëpinë e prindërve të tu (si dikur studentë) e s’të gjej, shkoj në Holandë te fëmijët e nuk je aty (megjithëse i mishëruar tek të dy)”, tha ndër të tjera ajo në postimin e bërë e të cilin të plotë mund ta lexoni në vazhdim.
Dua të besoj…
Nga: Xhuli Keko
Vij në shtëpinë tonë në Tiranë e s’të gjej, shkoj në shtëpinë e prindërve të tu (si dikur studentë) e s’të gjej, shkoj në Holandë te fëmijët e nuk je aty (megjithëse i mishëruar tek të dy).
Erdha sot në atë që quhet banesa e fundit, siç në çdo përvjetor tëndin e s’dua që s’dua të besoj se je aty.
Shpesh dua të besoj që jam ende në një ëndërr të frikshme që po zgjat kaq shumë, plot 20 vjet.
Në të fundit pse të mos besoj që je diku pranë nesh, që je engjëlli ynë mbrojtës, që qesh e qan me ne e që një ditë do shihemi përsëri e do tregojmë pambarim për këto 20 vjet mungese të madhe.
Dua të besosh që je me ne në çdo sekondë të 630 720 000 sekondave të këtyre 20 vjetëve.
E përgatiti: U.V. – ObseverKult
Lexo edhe: