Pamja e jashtme e Kullës së Sylejman Vokshit në Gjakovë tregon se monumenti është në rrezik. Pos kësaj, rrezikon edhe njërin prej pronarëve që banon në ndërtesë e edhe ata që jetojnë në objektin që është i ngjitur për monument. Por imazhi i mjerueshëm i Kullës së shekullit XVIII mund t’u bjerë në sy vetëm atyre që i ofrohen enkas për ta shikuar. Është rrethuar krejtësisht me ndërtesa dhe nuk shihet nga Çarshia e Madhe apo ndonjë pjesë tjetër e qytetit. Objekti banesor që kishte nisur të ndërtohej në shkurt të këtij viti tashmë numëron shtatë kate pos bazës. Gjendet rreth 10 metra larg “Mejtepit Ruzhdije”, po ashtu monument i mbrojtur, e nja 30 prej Kullës. E ka izoluar krejtësisht monumentin në raport me Çarshinë. Asokohe Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve kishte manipuluar me dokumente për t’i hapur rrugë shumëkatëshes. E Ministria e Kulturës kishte heshtur përballë situatës. Ky institucion, sipas Ligjit për ndarjet buxhetore të këtij viti, ka ndarë 50 mijë euro për restaurimin e objektit dykatësh që gjendet në qendër të Gjakovës.
Naser Kalaveshi, që është rrobaqepës me profesion, është një nga bashkëpronarët i cili jeton në Kullë. Mund të shfrytëzojë vetëm katin e parë pasi i dyti paraqet rrezik. Kati i sipërm që dikur i kishte shërbyer Sylejman Vokshit – që njihet si gjenerali i Lidhjes së Prizrenit – për të pritur mysafirët është në gjendje të rëndë. Pos që s’bëhet fjalë për të jetuar aty, tavani ka rënë në disa hapësira. Aty prej ku Vokshi mund të ketë parë Kullën e Avdullah Pashë Drenit e varrin e Mehmet Ali Pashë Maxharrit ka ndryshuar gjendja. Nuk mund të jetohet më, as nuk mund të shihet Çarshia. Shumëkatëshet e kanë bërë të veten. Midis monumenteve në shtatorin e vitit 1878 pas një beteje ishte vrarë Mehmet Ali Pasha, që si vartës i Portës së Lartë punonte që Plava e Gucia t’i takonin Malit të Zi. Naser Kalaveshi ngurron të flasë për gjendjen e ndërtesës. Derisa ka rrudhur krahët, ka thënë se ajo flet vetë. S’ka fare besim në institucione.
Valbona Kalaveshi është një prej bashkëpronarëve që jeton në shtëpinë njëkatëshe ngjitur për Kullën. Ajo me bindje ka thënë se monumenti është në shitje.
“Do ta nxjerrim edhe në faqet online të shitblerjeve”, ka thënë ajo, derisa ka mbajtur në dorë një grumbull dokumentesh. Ndër vite u është drejtuar me shkresa të gjitha institucioneve të nivelit qendror e lokal.
“Nuk kanë bërë kurrfarë zgjidhjeje”, ka thënë ajo me mllef. Historia e vënies në shitje të objektit, siç kishte raportuar “Koha Ditore” asokohe, është një kapitull më vete sa u përket zhvillimeve në raport me monumentin. Më 2014 pronarët e kishin nxjerrë monumentin në shitje. Më 2015, kur Komuna udhëhiqej nga Mimoza Kusari, kishte shpronësuar parcelën e Kullës bashkë me disa të tjera përreth.
Komuna e Gjakovës, e udhëhequr nga kryetari Ardian Gjini, nëpërmjet një vendimi të ri në mars të vitit të kaluar ia kishte dalë që të zhbënte atë paraprak. Kishte hequr dorë nga parcelat përreth. Ministria e Kulturës asokohe kishte vlerësuar se Komuna e ka vënë Kullën para një “rreziku juridik” pasi me Planin rregullues urban të vitit 2005 përcaktohej që përreth Kullës të ngriheshin shumëkatëshe. Lënda tash është në gjykatë.
“Shpronësimet të cilat për mendimin e shumicës së asamblistëve dhe timin kanë qenë të panevojshme, pra të parcelave të tjera e jo të Kullës, janë hequr nga shpronësimi. Kjo lëndë ka shkuar në gjykatë. Lëndën e ka dërguar në gjykatë Komuna pasi Ministria e ka kthyer si të paligjshëm vendimin e Komunës. Nuk ka autoritet tjetër në Kosovë që detyron komunat se çka të shpronësohet dhe çka jo”, ka thënë kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini./koha