Kultura në Kosovë me një milion euro më pak në planet e Qeverisë për buxhetin

 Rritja e buxhetit prej rreth 7 për qind në tërësi nuk ka pasur kurrfarë efekti pozitiv në planifikimet e shtetit për kulturën. Qeveria e Kosovës ka projektuar që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit këtë vit të ketë 1.3 milionë euro më pak sesa vitin e kaluar.

Prej 44 milionë e 733 mijë eurosh, sa kishte vitin e kaluar, institucioni më i lartë kulturor sivjet do të ketë në dispozicion 43 milionë e 406 mijë euro. E pikërisht fusha e kulturës brenda MKRS-së do të ketë 1 milion e 53 mijë euro më pak sesa vitin e kaluar. Por për këtë shumë rritje ka trashëgimia kulturore.

Këto shifra pasqyrohen në tabelat e Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020, i cili është miratuar në mbledhjen e Qeverisë, e të cilin gazeta e ka siguruar pas votimit të martën.

Sa i përket kulturës vitin e kaluar, Ministria kishte në dispozicion 10 milionë e 67 mijë euro, kurse sivjet – nëse Projektligji që ka kaluar në Qeveri miratohet edhe në Kuvend – do të ketë 9 milionë e 14 mijë euro. Buxheti është zvogëluar te subvencionet e kulturës dhe po ashtu te investimet kapitale. Nuk është prekur vetëm ajo që në Projektligj definohet si “përkrahja për kulturën institucionale”. Sikurse vitin e kaluar, edhe sivjet janë paraparë 2 milionë e 85 mijë euro. Dallimi më i madh del te planifikimi buxhetor për investimet kapitale në fushën e kulturës. Janë gati një milion euro më pak. Përderisa për këtë vit janë planifikuar 3.1 milionë euro, vitin e kaluar ishin 4 milionë e 25 mijë. Mangësi ka edhe në atë që definohet si “Përkrahja e kulturës”, kategori kjo të cilën MKRS-ja e shfrytëzon për të financuar projektet e skenës së pavarur kulturore. Sivjet janë 130 mijë euro më pak pasi shifrat kanë lëvizur nga 1 milion e 67 mijë euro në 937 mijë euro.

Trashëgimia kulturore nuk është prekur nga zbritja në tërësi e buxhetit të MKRS-së. Përkundrazi, janë paraparë gati 1 milion euro më shumë.

Ministria e Kulturës ka reprizuar shumicën e projekteve kapitale në kulturë dhe trashëgimi kulturore. Në kulturë janë paraparë 22 projekte kapitale. Janë dy më shumë se vitin e kaluar. Prej tyre janë vetëm 6 të reja. Janë planifikuar 200 mijë euro për teatrin e operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova” e 400 mijë të tjera nga të hyrat e Agjencisë për Privatizim në Kosovë. Muzeu i Artit Bashkëkohor, rinovimi i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, rinovimi i Teatrit Kombëtar të Kosovës, disa qendra kulturore nëpër komuna, përfshirë atë në Pagarushë, që do të mbajë emrin e këngëtares Nexhmije Pagarusha, janë pjesë e projekteve kapitale në kulturë.