Kundërshtohet vendimi i Qeverisë/ Godinat mbi 50-vjeçare do të “auditohen teknikisht” dhe nëse nuk janë të sigurta do të prishen…

Foto ilustrim

Nga Arben Brace

Sapo është zbardhur vendimi i Qeverisë, në përmbajtjen e të cilit rezulton se: Godinat mbi 50-vjeçare do të “auditohen teknikisht”dhe nëse nuk janë të sigurta do të prishen, në të cilin nuk gjehet asnjë parashikim për truallin dhe pronarin legjitim të truallit.

Vendimi është tërësisht në kundërshtim me Kushtetutën, por edhe me aktet ndërkombëtare ku jemi palë.

Pra, në shënjestër janë të gjithë pronat e qytetarëve, që ndodhen në qendër të kryeqytetit dhe të gjithë qyteteve të Shqipërisë. Sepse aty dalin dyqane dhe lokale super të shtrenjta për të pangopurit.

Dalin apartamente luksi për të korruptuarit dhe që i kanë edhe tubat e oxhaqeve dhe të ajrimit shumë më të gjëra, për të rrasur thasët që vinë nga grabitja.

Gjithë çfarë ishte pronë dhe aset shtetëror është grabitur me themel dhe nuk ka mbetur as edhe një kockë. Radha i ka ardhur më në fund apartamenteve të qytetarëve të ndërtuara gjatë kohës totalitare, dhe të dhuruara me shumë bujari nga revolucioni demokratik, të cilat do të shkatërrohen me fadroma mbasi të jenë “audituar teknikisht” nga nënpunës sekserë, që do të shpërblehen nga ustai.

Qeveria fshihet mbas mbrojtjes së interesit publik, pra mbrojtjes së jetës nga fatkeqësitë dhe dëmet që mund të sjellë një tërmet i mundshëm. Kjo në pamje të parë duket e arsyeshme dhe e vërtetë, por një e vërtetë e kulluar dhe në dobi të qytetarëve do të ishte konstruktimi dhe ndërtimi i godinave të reja, pikërisht aty ku ndodhen, sipas standarteve bashkëkohore, pa i grabitur pronën dhe djersën e tyre.

Natyrisht, që plani është bërë shumë kohë më parë, janë bërë gati oligarkët që do të shpërblehen dhe do të ndajnë fitimet me arkitekt mamuthin, sepse këto prona kanë vlerë shumë të majme tashmë dhe nuk mund t’i lerë kush në këmbë, përpara se të ikë nga sytë këmbët.

Janë caktuar edhe shumat që do të jepen edhe për blerjen e votave në zgjedhjet e ardhshme nga këto fitime.

Banorët do të nxirren me shqelma nga policia e shtetit dhe do të sistemohen nëpër periferira dhe do të kenë kënaqësinë të kqyrin pronën e dikurshme, vetëm nga vitrinat e trotuareve.

Lëvizni qytetarë, por edhe ju patronazhistë, sepse ju ka ardhur radha edhe juve tashmë, do ju vijë fadroma në themelet e shtëpisë. Vendimi i KM rrafshon edhe pronat tuaja, apartamentet që mund t’i keni marrë edhe me të tillë profesion, sepse si dikur edhe sot ai konsiderohet i “ligjshëm”

Tashmë të paligjshme janë shtëpitë tuaja, puna e juaj, mundi juaj, jeta juaj!

Lëvizni Qytetarë!

Mos heshtni patronazhistë!

Revolucioni opozitar vazhdon, por korrupsioni qeveritar kurrë nuk ndalon!

(Titulli origjinal: Revolucioni paqësor vazhdon, por korrupsioni qeveritar është shumë hapa më përpara…!)

ObserverKult


Lexo edhe:

RRËNOHET TRASHËGIMIA, SHEMBET SHKOLLA E NDËRTUAR NË VITIN 1925 (FOTO)

Trashëgimia kulturore në Shqipëri mbetet një nga problemet më shqetësuese për shoqërinë tonë.

Shembja e godinave qindravjeçare po shuan identitetin e vendit dhe deri më tani askush nga institucionet përgjegjëse nuk ka reaguar në lidhje me këtë çështje kaq delikate.

Së fundmi profesori i njohur i historisë së lashtë, Kosta Giakoumis, ka bërë të ditur se në Golem të Kavajës është hedhur përtokë një nga godinat më të vjetra, shembull i arkitekturës moderne në fillim të shekullit të XX në Shqipëri.

Godina historike e ish-Shkollës Bujqësore Amerikane “Charles Telford Erickson”, që është themeluar në 20 shtator 1925 me projektin e studios Thompson & Churchill është shembur ditët e fundit.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult