Rrënohet trashëgimia, shembet shkolla e ndërtuar në vitin 1925 (Foto)

Trashëgimia kulturore në Shqipëri mbetet një nga problemet më shqetësuese për shoqërinë tonë. Shembja e godinave qindravjeçare po shuan identitetin e vendit dhe deri më tani askush nga institucionet përgjegjëse nuk ka reaguar në lidhje me këtë çështje kaq delikate.

Së fundmi profesori i njohur i historisë së lashtë, Kosta Giakoumis, ka bërë të ditur se në Golem të Kavajës është hedhur përtokë një nga godinat më të vjetra, shembull i arkitekturës moderne në fillim të shekullit të XX në Shqipëri. Godina historike e ish-Shkollës Bujqësore Amerikane “Charles Telford Erickson”, që është themeluar në 20 shtator 1925 me projektin e studios Thompson & Churchill është shembur ditët e fundit.

Profesori i historisë shkruan se godina ishte oaz i modernizmit në Shqipërinë e asaj kohe, në një zonë që vuante ende nga kënetat dhe malaria. Projekti i ish-Shkollës Bujqësore u realizua në atë kohë nga një tjetër kolos i arkitekturës moderne amerikane Howard Raymnd Meyer, që ishte një shembull tipik i stilit avantguard, transmeton ‘shekulli’.