Kupe Dania, shkodrani që vrau dy ushtarë turq sepse donin t’i dhunonin dy gra shkodrane

kupe dania

Kupe Dania, një histori trimërie dhe bujarie shkodrane

Nga Kolec P. Traboini

Dëshmitë gojore, por dhe të shkruara tregojnë se kanë kenë dy gra katolike që, i kishte zanë buzmbramja në rrugë në kthim nga Pazari i Vjeter. Dy ushtarakë turq po i shohin këto gra të vetmueme dhe pa burra, ndërkohë që askush nuk gjendej jashtë. Menduen se diçka mund të dalë, o me hir o me pahir. Ju afruan grave e po ju flasin. Ata mbluen fytyrat dhe nuk bzanë, po vazhduen rrugën. Njëri nga ushtarakët vuri dorë mbi gruan që kishte ma afër dhe u mundue ta rrokë. Ajo e tmerrua dhe klithi fort “A ka shqiptar të gjallë me na mbrojt nderin, bre…”

Rrugët qenë bosh, po në një dyqan aty afër shitësi po merrej me sistemime. Ndigjoj klithmen e gruas dhe pa jashtë dy asqerët që po vinin dorë mbi gratë.

– Hiqni dorë prej grave, o asqerë! – thirri fort shitsi, një djal i ri mysliman ky me emrin Kupe Dania.

Asqerët e kërcënuan duke i thanë shiko punën tande se po ke sherr me ne.

Atëherë kur e pa se asqerët turq nuk po ndalonin, e gratë e shkreta veç kjanin me za të naltë duke kërkue ndihmë, hyri në dyqan, mori pushkën e doli vrik, aq shpejt sa asqerët nuk patën kohë me vu dorën në revole. Kupe Dania i vrau të dy në vend. U dha dorën grave. E kishte kuptue nga veshja se ishin katolike. Gratë me lotë në sy e falenderua duke e quejt vëlla shqiptar e morën me ik pas atij llahtari që pësuan.

– Jo, motrat e mija shqiptare – u tha Kupe Dania.- Jam tue ardhe dhe unë me ju e do t’ju çoj të sigurta në shpi se tash po vjen dhe nata.

Kupe Dania i çoi në shtëpi dy gratë katolike. Po familjet e tyre kur e moren vesh çka ka ndodh, si dhe vrasjen e asqerëve, i thanë se tash je nën mbrojtjen tonë. E mbajtën të fshehur, ne nesre e përcollën te njerëzit e vet në Malësi, e kështu ndër malësoret katolikë Kupe Dania jetoi disa vjet derisa ngjarja nisi me humb randësinë.

Katolikët e Shkodres i shkuan Valiut, ky i dha këshillë me i dergu letër Stambollës duke kërkue faljen e Kupe Danes se kishte mbrojt nderin e dy grave katolike. Nuk shkoi gjatë dhe Kupe Danes i doli falja. E këtu fillon pjesa tjetër e kësaj historie të mrekullueshme shqiptare.

Kupe (Jakup) Dania u kthye në Shkodër, por kishte mbet pa asnjë mjet jetese. Katolikët shkodranë banë një fushatë duke mbledh pare e sende ari. Gratë dhanë stolitë e veta. U mblodh një shumë aq e madhe sa që u ngrit dyqani dhe i blenë e i sollën mallra prej Stambolle e Italia e ja mbushën dyqanin plot.

Kupe Dania, mysliman, ishte njeriu ma nderuem e respektuem nga familjet katolike shkodrane, e në çdo festë e gëzim thirrej prej tyre në sofër. E quanin nder të madh me e pas mysafir Kupe Danen. I urtë, i dashur, miqësor pa asnjë dallim feje dhe si një hero i vertet e panë qytetarët shkodranë tërë jeten deri sa vdiq dhe ashtu si Oso Kuka e Dasho Shkreli u ba emblema të qytetit të Shkodrës.

Kësisoj Shkodra është dashni, por është edhe histori e lavdishme nëpër shekuj.

E diku këtë lavdi brezat që do vijnë duhet ta ndjejë e ta shohin, apo jo, miku im mjeshtër i artit të madh, Ferid Kola!

Në foto Kupe Dania në moshë të madhe.

***************************

E di që gjithmonë kur rrefehet diçka do dalë ndokush me ba “korigjimet” historike. I ndodhur në këto rrethana lind nevoja të bëj një shpjegim të vogël.

Këtë histori e kam ndigju që kur kam kenë fëmi në Shkoder. Dhe në bazë të atyre që më kanë thanë në rrefime paraqita këtë copëz shkrim. Nuk kam lexue asgja as nga Fadil Kraja e Arshi Pipa dhe nga askush. As nga varianti se Kupe Dania paska qenë një plak kur ka ndodh kjo histori. Në rrëfimet që kam dëgjuar ka qenë djalë i ri e jo plak. Tani siç ka thanë Ded Gjon Luli çdo berr varet në çengelin e vet, në këtë rrëfim jam duke e mbajt Kupe Danin djalë të ri…

ObserverKult

ARKEOLOGËT ZBULOJNË GJURMË TË REJA TË QYTET ILIR NË SHKODËR