Shtëpia Botuese Littera solli për lexuesit, librin me poezi të autores Emine Maliqi, “Kuqmi flokët e thimë”.
Nga sot, kudo nëpër librari lexuesit mund ta gjejnë librin “Kuqmi flokët e thimë” të poetes Emine Maliqi.
“E njihni si Pem’za Peso. E dalloni për ndjeshmërinë, emocionalitetin, brishtësinë që përcjell përmes vargjesh. Për veçantinë në të shprehun e po ashtu edhe për formën e shkurtë të shtrirjes e përmbledhjes së mendimit.
Kjo është Emine Maliqi, që me poezitë e përmbledhura brenda kopertinave të këtij libri të sapobotuar, ju mban të mbërthyer fort deri në vargun e fundit “, thotë botuesja Donika Dabishevci, teksa ndan me lexuesit lajmin e botimit të librit.
Ndërsa redaktori i librit Agim Morina thekson se leximi i këtij libri është aventurë magjike nëpër një botë poetike krejt autentike.
Agim Morina: “Bota poetike e Emine Maliqit asht një botë e vjeshtës: e vjeshtës së jetës, e vjeshtës së dashunisë, e vjeshtës së kujtimeve, e vjeshtës së fjalëve. Metaforat e saja janë gjethe, kuptimisht të shumngjyrshme dhe figurativisht të pangjashme, të një pylli egzotik.
Ajo e kthen poezinë në lojë, lojën në pamje e pamjet në dhembje. Kështu, herë na e shun etjen nëpër gurra haikush, herë na shfaqet si një Banksy poetik e herë si vajtojcë mitike.
Vjeshta në poezinë e saj nuk asht stinë, asht gjithësi, asht një njëmendësi e re, Nana – një yjësi, Baba – një yll në shuemje e sipër e ajo vetë – një meteor që zdirgjet e digjet furishëm nëpër natën e enigmave egzistenciale.
Tue qenë e çiltër deri në dhembje, tue pasë një za origjinal e tundues, poezia e Emine Maliqit nuk asht një lexim i zakonshëm, por një aventurë magjike nëpër një botë poetike krejt autentike.”
_____________
Libri vjen i punuar me përkushtim edhe në aspektin teknik nga Fahredin Spahija i cili u kujdes për ballinën dhe dizajnin.
Botimi i librit “Kuqmi flokët e thimë” të Emine Maliqit prej Shtëpisë Botuese Littera, u mundësua nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.
ObserverKult
Lexo edhe:
‘LITTERA’ BOTON: BELLIZIN, TOPANICËN, EMININ, MALIQIN, ADEMIN …