Shtatë imazhet në përmbledhjen poetike të luftës “E Gjithkohshmja Andërr” të Donika Dabishevcit

hajriz sejdiu

Në poezi imazhet janë një formë e gjallë e përshkrimit që tërheqin shqisat dhe imagjinatën e lexuesit. Imazhet nuk përqëndrohen vetëm në paraqitjen vizuele-pamore ose mendore, ato i referohen spektrit të plotë të përvojave shqisore, duke përfshirë emocionet e brendshme dhe ndjesitë fizike.

hajriz sejdiu

Nga Hajriz SEJDIU

Imazhet janë pikturimi i një figure me fjalë dhe përdoren për të ngacmuar shqisat e lexuesit duke i siguruar atij pamjet, shijet, nuhatjet, tingujt, ndjenjat e brendshme dhe të jashtme.

Imazhet dhe shqisat në poezinë e luftës

Shumë nga poetët e famshëm e sidomos ata të luftës së parë botërore duke përfshirë Wilfred Owen, kanë provuar teknika të shumta dhe të ndryshme për të përcjellur mesazhet dhe qëllimet e tyre të vërteta tek lexuesit. Njëra ndër këto teknika ishte edhe evokimi poetik përmes pesë apo më shumë shqisave të njeriut.  Këto imazhe janë kultivuar me sukses edhe në poezitë e luftës  së poetes sonë Donika Dabishevcit.

Në poezitë për luftën të Donika Dabishevcit, imazhet ia mundësojnë lexuesit të sheh qartë, të dëgjoj, të nuhas, të prek, të shijoi, të përjetoj lëvizjet, të komunikoj ndjesi organike, për  atë që po ndodh dhe shpesh edhe të ndjejë empati me folësin (poeten) dhe subjektin e saj. Pavarësisht llojit të poezisë, imazhet e zbukurojnë dhe intensifikojnë veprën poetike. Poetët në krijimtarinë e tyre zakonisht përdorin 5-7 imazhe, përmes krahasimeve, metaforave, personifikimit, onomatopesë dhe figurave tjera stilistike dhe kështu ndodh edhe me poeten Donika Dabishevci në librin e saj: “ E Gjithkohshmja Andërr”.                                                                                         

Imazhet shqisore të përdorura nga poetët e luftës e që në përmbledhjen e saj i ka përdorë me mjeshtri të rrallë edhe Donika Dabishevci janë: Imazhet pamore(vizuale), Imazhet dëgjimore, Imazhet e shijes, Imazhet e prekjes, Imazhet e nuhatjes, Imazhet lëvizëse dhe Imazhet organike.

Një fjalor jashtëzakonisht i pasur i detajon krajatat e vuajtura nga viktimat e luftës në këto poezi, duke pikturuar në  mendjen tonë  skena që janë  të tmerrshme në shkëlqimin e tyre.

Por si i vë në funksion imazhet dhe shqisat e lexuesit Donika Dabishevci në përmbledhjen “ E Gjithkohshmja Andërr”?

1.Imazhet pamore

Përmes formës së parafytyrimit poetik, poetja u bënë thirrje shqisave të të pamurit të lexuesit, duke përshkruar në atë mënyrë ato që folësja-rrëfimtarja i sheh. Duke përfshirë ngjyrat, shkëlqimin, format, madhësitë dhe modelet që t’ia ofroj lexuesit imazhet vizuele, autorja  përdor figura te ndryshme  dhe të shumta stilistike. Me një imazh jashtëzakonisht të fuqishëm edhe hapet përmbledhja “ E gjithkohshmja Andërr”, te poezia “ Granatimi” e cila poezi deri kah fundi është një vargëzim përshkrues i çiltërsisë, qetësisë dhe lumturisë së patrazuar idilike dhe që njëherazi pasqyron edhe një imazh kthjelltësie e bukurie, me përplot krahasime:

Bari i jeshiltë si qilim Edeni
Ujnat – kthjellt si loti.
Qielli – bilur i paqtë.

Por…
Për nji t’mbyllun syni gjithçka u trazue. U trand
Për nji t’hapun syni u shprish tan’ ajo harmoni hyjnore.
U batërdis. U zhba

Nisën granatimet”.

Pra siç mund të sheh  edhe  lexuesi, në një çast të vetëm, imazhi i bukurisë së parajsës tokësore zhdaravitet dhe zëvendësohet me një imazh tjetër edhe më të fuqishëm, me një kombinim të imazhit të dëgjimit, imazhit në formë krisme llahtaruese – granatimit. Dhe gjithçka në natyrë do të trazohet sikurse në ujin e qetë të liqenit, kur hedhim një gurë të madh e të rëndë që shkakton rrathë tronditës të pafund.

Pasojat apokaliptike, për një plojë mbi qytetarët e pafajshëm, poetja na i përcjell edhe përmes këtij imazhi pamor (vizual) rrëqethës:

“Nji kamb ktu, nji krye atje, trupa si kuaj deti,
torso, pa gjymtyrë, mushkni e zorrë përziet,
sy t’ngrimë që shkëlqejnë si fosfor, fmijë t’coptuem,
mish i grimë dhe gjak. Shumë gjak”.

Po kështu në këtë skenë na del edhe një pamje apo imazhi i erës e cila i ”Shpupurit flokët e kokave t’preme” ndërkohë që pamja vjen e shoqërohet edhe me një imazh  të llahtarshëm, me gjallesa që vijnë fill mbas aktit të masakrës:

“ Korbat bajnë dasmë. Gosti e papame.
Mas tyne kanë me ardh minjtë… masnej krymbat…
ushqim i bollshëm për krejt”.

2.Imazhet dëgjimore

Kjo formë e përfytyrimit poetik, tërheq shqisën e dëgjimit ose zërit të lexuesit. Kjo mund të përfshijë muzikë, tinguj, zhurma të ashpra apo heshtje. Përveç kësaj, rrëfimtari mund të përdor edhe efekte zanoresh dhe onmatopeike ose fjalë që imitojnë tinguj, kështu që leximi i poezisë me zë të lartë rikrijon përvojën dëgjimore. Këtë tërheqje dëgjimore, Donika e realizon edhe në poezinë ” Simfoni zorrësh”. Tek kjo poezi, rrëfimtarja krijon mjeshtrisht një kolonë zanore të trishtë deri në skajshmëri:

“ A kemi me ngranë sot, nanë?
pyet simfonia e zorrëve si n’kor.
Asi kori antik që s’di kush po folë
e kah po vijnë zánat. Se janë shumë
barqe t’urituna e shumë zorrë
tuj folë njihersh.

Knohet zija e ujës”.

Po ashtu një imazh i fuqishëm dhe tronditës dëgjimor vërehet edhe tek poezia “T’ shtana batare”

Mas t’shtanave batare…
shuhet vajklithma e fmijve…

E kur asgja ma s’pipëtin,
kris humori e nis gajasja,
n’gjuhë t’huej!

3.Imazhet e shijes

Përmes kësaj forme të përfytyrimit poetik, folësja u bënë thirrje shqisave të shijes së lexuesit duke përshkruar diçka që shijon transmetuesi i poezisë. Shija mund të përfshijë ambëlsi, thartësi, gjelbëzim, apo shije pikante. Kjo është veçanërisht e efektshme kur poeti-poetja përshkruan një shije që lexuesi e ka provuar më parë dhe mund ta kujtoi nga kujtesa shqisore.
Në poezitë e luftës siç bën edhe poetja Donika Dabishevci, zakonisht përdoren imazhe të shijeve shqetësuese dhe neveritëse si p.sh. shija e mishit të kalbur të kufomave. Kjo shije ose ky imazh i shijes shqetësuese ralizohet në mënyrë të veçantë tek poezia “Peizazh lufte”, ku Donika përveç përshkrimit apokaliptik se:

“As i rrebeshti, i tërbuemi shi
se lau gjakun e tërbimit apokaliptik,
që ujitun e kish kopshtin tejembanë.”

Për të vazhduar me nje imazh shqisor të shijes duke i dhënë drandofilit, karajfilit dhe zymbylit  në mënyrë metaforike shijen e gjakut dhe shndërrimit të aromës së këtyre luleve ne një shtrojë e mbulojë morti.

“Drandofilë, karajfilë e zymbylë.
erëgjak, shtrat deke ishin ba
për t’zotët e shpisë”.

4.Imazhet e prekjes

Në këtë formë të përfytyrimit poetik, poetja u bënë thirrje shqisave të prekjes së lexuesit duke përshkruar diçka që folësja e poezisë ndjen në trupin e tyre. Këtu përfshihet ndjesia e temperaturave dhe edhe ndjesive tjera fizike si për shembull tek poezia “Ngjitun si thue n’mish”

“Kapëdhecun skej oxhakut fërkojnë duert,
ma t’rrudhuna se ftyra. T’mpita, gjithsesi.
Tuj kqyrë prushin e shymun t’votrës. Drutë gati
e asnji gacë zjermi n’shkarpa t’thata
tuj mos guxue me e dhezë.
Se shihet tymi e vijnë Ata…”

Dhe vazhdon më poshtë poetja duke na e dhënë një ndjesi ftohti, nga dimri dhe një ndjesi prekjeje të akullt, por që pavarësisht kësaj akullime, të dy pleqtë e presin vdekjen me një qetësi stoike. Biles për ta ky dimër është tradicional, i zakonshëm dhe i pritshëm sepse:

“Dimër, ftoft’ i madh, acar. Kallnori
gjithmonë egër ka marrë n’këto anë. Gjithë
i ka zhvesh e kërcëllue dhambët. Ka kërcënue…

E dy pleqtë që nuk guxojnë as të ndezin zjarrin nga frika se mund të shihet tymi nga armiku:

Kallkanosun pleqtë, t’gërmuqun ngjiten
njeni n’tjetrin – si thue n’mish”.

Ndjesia e të prekurit vazhdon të pasqyrohet në mënyrën më  të trishtë të mundshme tek poezia “E vogla”:

“Gjashtëmuejshe
u puth tejpërtej plumbash.
Shoshë u ba,
sitë.

Prej gjinit t’nanës,
n’gji t’dekës!

Erdh e i shkoi
vrik kësaj jete,
si tuj nga…”

5.Imazhet e nuhatjes

Në këtë formë të përfytyrimit poetik, poetja i bënë thirrje shqisave të nuhatjes së lexuesit, duke përshkruar diçka që folësi i poezisë nuhat. Ky imazh mund të përmbajë aroma të këndshme ose të pakëndshme. Tek poezia “Simfoni zorrësh” Donika na bënë ta nuhasim aromën ose ta nuhasim tmerrin. Ajo përmes këtyre pak vargjeve, na bënë ta nuhasim jashtëzakonisht fuqishëm erën barotit,  erën e luftës:

“S’vjen erë bukë e mbrume,
vjen era luftë.
Barut.”

Për të vazhduar po kështu shumë fuqishëm me imazhin e nuhatjes tek poezia “Era e njeriut”:

“Se kishim pas ditë
qysh kundërmon kurmi,
çfarë ere mun’ i vjen t’vrarit,
t’ masakruemit,
t’premunit n‘thela,
t’përzhitunit n’prush,
t’pjekunit n’hell.”

6.Imazhet lëvizëse

Me këtë formë të imazhit poetik, poetja i bënë thirrje sensit të lëvizjes së lexuesit. Kjo mund të përfshijë ndjesinë e shpejtësisë, lëvizjes së ngadaltë ose një hovi të papritur i cili  mund të lidhet me lëvizjen e folësit, narratorit të poezisë ose objekteve përreth tyre: një ndër shembujt më tipik të këtij imazhi është poezia “N ‘gryk”:

“Gjithë natën shpija u dridh ethesh t’ftofta.
N’tan trupin. Prej themeli n ‘kulm.
Rënkoi prej trandjeve shpia. Prej lkundjeve.
Shkundjeve.”

Dhe imazhi lëvizës i dridhjes së shtëpisë, truallit dhe i gjithë tokës sikurse këto të ishin diçka frymore apo njerëzore vazhdon:

“Si me pasë ndonji hall toka me ato t’trazuemet
shtresa, t’pabamet rahat, që s’gjejnë kund vend
e kolliten tërmetesh”.

Pastaj imazhi lëvizës përfundon në një qetësi shkatërruese dhe tragjike:

“Iu plasaritën muret shpisë
Iu çanë”.

Gjersa tek poezia “T’shtana batare”, imazhi lëvizës merr dimensionin e ngurtësimit, shtangies së nënave  dhe strukjes së fëmijëve në cepin e gjiut te tyre:

“ Nanat gurëzohen frike për fmijtë.
As za me i pehatë t’ vogjlit s’kanë.
Veç t’dridhuna.
Si përkundje t’mrama djepi!”.

7.Imazhet organike

Në këtë formë të përfytyrimit poetik, poetja komunikon ndjesi të brendshme si lodhja, uria dhe etja si dhe emocionet e brendshme si frika, dashuria dhe dëshpërimi; Në poezinë “ Drejt pushkatimit”, poetja Donika Dabishevci na përball me një numër ndjesish organike sikurse frika e përzier me dëshprimin dhe me shpresën si një forcë që nuk dihet se nga vjen, qoftë edhe nga vetë ecja e shkujdesur drejt vdekjes, si një akt i natyrshëm  dhe ndoshta edhe si akt i dëshiruar në momentet kur gjendesh para ose duke shkuar sypatrembur drejt vetëflijimit:

“N ‘atë dert,
thojnë, po u nemitshe.
Po t’u merrke goja,
Po t’u nalke fryma.
Por, s’po u trembshe
S’po u lemeritshe…
Po t’ jepke zoti gajret!

A tuten t’dekunit prej dekës?

Në vend të përfundimit:

Në përmbledhjen “E Gjithkohshmja Andërr” të autores Donika Dabishevci, poezia më emblematike e cila sintetizon njëkohësisht katër imazhe (shqisa) si: pamore, dëgjimore, imazhet lëvizëse dhe ato organike, pa dyshim se është poezia me titull ” Piktogram dhimte”, sepse:

“Skajuem prej turme, kambëkacul e mendueshëm
ngjante se i qe rikthye shkrimit kueinform”.

Ky është lloji më i vjetër i shkrimit dhe përshkrimit shkaktuar nga  atavizmi dhe tragjedia shekullore ballkanase; është ai piktogrami i një fëmije që kërkon diçka të dashur dhe shumë të dhimbshme; është portreti i një fëmije te vizatuar ndryshe i cili qëndron i humbur dhe në kërkim mbi vorbullën e luftës:

 “Si me qenë tuj zgjidh’ far aksiome t’randë matematikore,
a naj ligj t’pavërtetuem fizik, përhumbun ish vogëlushi
tek qëndiste piktograme n’pëlhurë prej dheu.


Rrathë shtrembaluq, vijëza zigzake
katror e grafema abstrakte,
pa ndonjifar harmonie”.

Sepse harmonia e tij ishte tretur në oazën mes mali prej refugjatësh në ikje dhe mëshefje. Dhe papritmas poetja  në skenën e dhembjes përveç piktogramit (imazhit pamor, dëgjimor dhe levizës) nxjerr nje thirrje-zë që të shiton e të shtjen gjallë në dhe, pra e pasuron poezinë edhe me një imazh tjetër e që është imazhi organik:

“Nanë, ku je, nanë…
m’ ka marr malli nanë”.

Këtë klithmë  të mekur e me dhimbje shigjetuese njëkohësisht, për ndërgjegjen njerëzore, poetja e krahason me gurin e Rozetës e cila e ka kuptimin themelor të çelësit për ndriçimin (vetëdijësimin) e civilizimit. Por,  kush mund ta deshifroj  çelësin e dhimbjes së  këtij djaloshi që kishte mbetur pa më të dashurën e tij, nënën dhe që ishte në mes të malit, cili civilizim apo cila barbari duhej dhe mund ta lexonte dhe ta deshifronte këtë gur Rozete në shqip? Dhe pamja dridhet me një ulje duke u lutur, me një imazh lëvizës, përmes një britme rrëqethëse, me një  imazh zanor që sfidon dhe shastis  çdo  zemër e çdo çelës të arteve e dijeve humane nga toka deri në qiell, për të përfunduar me një imazh organik-me imazhin e dëshpërimit të skajshëm fëminor, përmes vajit deri n’kup të qiellës:

“Ulun n’gjunj si me u falë
para vet shejtnisë s’nanës,
puthi baltën e njomë
e ia krisi n’kup t’qiellës vajit”.

ObserverKult

Lexo për këtë libër edhe:

1.GËZIM ALIU: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, POEMË PËR NJERIUN NË LUFTË
2.Agron Gashi: Poetika e vdekjes mizore te “E gjithkohshmja Andërr”
3. AFRIM DEMIRI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”/ POETIKA E VRAME NGA LUFTA
4. HAJRIZ SEJDIUE PËRKOHSHMJA DHE E GJITHKOHSHMJA SI ANTITEZË DHE AMBIVALENCË NË POETIKËN E DONIKA DABISHEVCIT
5. BAJRAM MJEKU: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR” – MONUMENT INDIVIDUAL PËR DRAMËN KOLEKTIVE
6. Maxhun Osmanaj: Një metaforë në mes jetës dhe vdekjes
7. BISLIM AHMETAJ: DASHURIA DHE VDEKJA NË POEZINË E DONIKA DABISHEVCIT
8. AGIM BAÇI: VALLJA E FJALËVE TË DHIMBJES TE “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”
9. MËRGIM BEKTESHI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, KUJTESË HISTORIKE NË VARGJE

10.Kujtim Morina: Përsiatje pas leximit të librit me poezi të Donika Dabishevcit, “E gjithkohshmja andërr”
11.Lindita Komani: “E gjithkohshmja Andërr”, libër kujtese për dhimbjen e luftës
12.Drita Fejza: “E gjithkohshmja Andërr”, libër që ruan kujtesën historike dhe nderon viktimat e luftës!
13. Sadedin Mezuraj: Guernika poetike e Donika Dabishevcit
13.Kemajl Aliu: ABSURDI I LUFTËS DHE PSIKO- DRAMA NJERËZORE TE “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”
14. SHEFQETE GOSALCI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR I VEÇANTË I NJË POETEJE ELITARE
15. AGRON GËRGURI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR QË DUHET DRAMATIZUAR PËR T’I DHËNË VULË KUJTESËS!
16. TIMO MËRKURI: IKJA SI TRIUMF I JETËS NË POEZINË “TUJ IKË DEKËS” E DONIKA DABISHEVCIT
17. DRITA FEJZA: POEZIA “DREJT PUSHKATIMIT” E D.DABISHEVCIT, REFLEKTIM I THELLË MBI JETËN, VDEKJEN E DINJITETIN NJERËZOR!