Dyqind vjet më parë, hipur mbi një anije me vela që voziste lumit Rhin, ylli i madh i poezisë botërore, lordi “me gjak blu”, Bajroni, u kthehet e iu thotë shokëve “Tani më dëgjoni se do t’ju këndoj nja dy këngë arbërore.”
Dhe pastaj ia dha një sokëllime me një o-ooo të gjatë rrëqethëse sa i shastisi të gjithë e i la pa mend. Fjalët e kënduara shqip prej poetit të madh nuk i kuptonin. Por drithërima e melodisë së saj ta çante zemrën më dysh.
Nga Petrit Ruka
Një ese mbështetur mbi gërmimet koniciane mbi shqiptarët-
Nderi, këngës labe i vinte nga njeri prej gjenive të poezisë botërore. Labërit nuk e dinin këtë lajm, po arb(v)anitasit që luftuan me të ia dinin emrin dhe bëmat në Mesolongj e gojë më gojë emri i tij ish ngjitur maleve shqip deri në Labëri. Një kumt misterioz, nga ata që vetë Zoti mezi i shpjegon, u thoshte labërve se nderi duhet shlyer me nder. Pra kënga me këngë, sepse borxhi duhej larë.
Kushedi në cilin katund a pllajë, pak vite më vonë, një lab kërreu këngën e nderimit që do ta citojmë më poshtë.
Borxhi ishte larë kokë për kokë. Nderi ishte kthyer siç e do zakoni. Por në fillim le të citojmë Faik Konicën që bie lajmin e madh përmes gazetës “Albania” kur shkruan për udhëtimin e tij në Shqipëri më 1809, në artikullin “Udhëtimi i Lord Bajronit në Shqipëri”
“Lord Bajroni në një ndër udhëtimet e tij në Shqipëri, mblodhi disa këngë shqipe. Jo vetëm i mblodhi, por dinte edhe t’i këndojë.
Në jetë të tij mësojmë se, duke qenë një herë me disa miq në të shëtitur në një anije mbi Rhin të Gjermanisë, u tha miqve: “Daleni, t’ju këndoj një këngë shqipe”.
Të gjithë pushuan, thotë shkruesi i jetës së tij. Vjershëtori ia dha një mënyre ulërimit që i çuditi të gjithë. (Duket do të ish ndonjë këngë vajtimtare e Toskërisë). – Nga ato këngë që kish mbledhur, Lord Bajroni shtypi vetëm dy. Ato ishin me notat [shënimet] që ia shtoi Çajld Haroldit.
Por, ato këngë janë aq liksht të përshkruara, sa s’i merr dot kush vesh, përveç ca fjalë tej e këtej. Na u duk pra punë për t’u vënë re të shtypim nga një anë këngët ashtu si i ka shtypur Bajroni, nga ana tjetër të ndërtuara e të shkoqitura ashtu si na duket që duhen.”
Ky është varianti i ndërtuar nga Faik Konica për këto dy këngë.
Kënga e parë:
“Bobobo, bobo!
Na ç’arriva, po pusho.
Na ç’arriva, na çë vinj,
Hape derënë të hinj.
Hape derën e shkretë
Të vinj të marrë xhebhanetë*
Kalariote (?) me sermé*
Eja hape se dua t’i ve.
Bobobo, bobo!
Digju shpirt, u zemëro.
Kalariote vure funde,
Edhe vete tunde-tunde.
Kalariote me sermé
Ti më puth e po më le.
Se të putha që t’i mora,
Zemërën vetë e dogja.
Vallenë e ke me kadale,
Kalo moj, kalo në valle
Pluhëri……….? Pluhuron…
Kënga e Dytë:
Në sevda tënde u llavosa,
Vetëmë u përvëlofsha
Ah vashëzë më përvëlove
Si më rëndë më llavose.
U të thashë roba s’dua,
Sitë e vetullat dua
Robat… s’i dua,
Qumështinë vetë dua.
…………………….? /
Robatë zjarmi t’i diegë.
U tërbova vashëzë
Me zemrën të haptë,
E ti më bëre……..
Si një dhëndrë të lartë .”
Tani, mund të themi se me aq sa dimë e derisa nuk kemi dëshmi tjetër të shkruar, se Bajroni është njeriu i parë evropian që e çoi këngën labe në Europë, madje në zemër të saj. Gati 100 vjet më parë se një djalë himariot, Neço Muko, së bashku me grupin e tij të regjistronte i pari ca këngë labe në mes të Parisit.
Dhe pastaj në kohërat e shtetit shqiptar ta çonin atë aty, radiot apo televizionet, ansamblet shtetërore apo grupet e famshme të Labërisë.
Ky fakt i shkruar është një thesar i madh për kulturën shqiptare. Nuk ke sesi të mos drithërohesh kur mendon se këtë e ka bërë një nga mendjet më poetike të shekullit të 19-të dhe një nga poetët më të famshëm të kësaj bote.
Jo vetëm i ka mbledhur e i ka shkruar, por dhe i ka mësuar shqip përmendësh.
Duhet t’i kenë qëndruar si një lëmsh përvëlues për vite me radhë në zemër, derisa një pasditeje a mbrëmjeje mbi një anije me vela se ka duruar dot shtrëngimin e tyre në kraharor dhe i ka nxjerrë mes shokëve përmes një ulërimë tronditëse, siç shkruan Konica. Faiku i mençu,r sa shok ka vetëm veten e tij, ka gjetur të vetmen fjalë të shqipes për të na përçuar drithërimën që ajo ka shkaktuar tek miqtë e Bajronit, fjalën “ulërimë”.
E ndërsa poeti i madh i flakëruar në fytyrë këndonte, dikush prej shokëve të tij i ka mbajtur shënim fjalët e tyre.
Le të mendojmë për një çast se sa “heroike” është që ato të na vinin “të sakta” si këngë, kur një anglez aty për aty mban shënim fjalët e tyre. Vetë Bajroni, që nuk e njihte shqipen, edhe pse i ka mësuar përmendësh duhet t’i ketë kënduar plot deformime.
Shtoj pastaj kësaj mikun e tij që po i transkripton me alfabetin anglez aty për aty në këmbë, duke i shkruar shatra- patra do të thoshte një lab, po ti dëgjonte të katranosura kështu të deformuara.
Faik Konica duhet të ketë hequr të zitë e ullirit për t’i rregulluar e shkruar drejt këngët drejt origjinalit. E megjithatë, edhe kështu, me plot mungesa, ato janë qartësisht të kuptueshme dhe të mahnitshme për bukurinë e tyre.
Të dyja janë këngë dashurie plot përgjërata për një vajzë që i ka përvëluar zemrën një burri. (E çfarë këngësh të tjera mund ta tronditnin një poet si Bajroni?)
Të dyja vezullojnë nga kulti për vajzën e zemrës, kësaj “kalariote me serme” që e plagos një burrë për jetë a vdekje nëse ajo nuk i hap derën “të vinj e të hinj.”
Bajroni e njihte Shqipërinë disi vagullimthi prej atyre pak përmendjeve historike mbi shqiptarët, por vetëm pasi zbriti në pashallëkun e Ali Pashës dhe në Greqinë që vlonte nga gjuha dhe kultura arvanitase, mësoi se ç’ishte shpirti i tyre i paepur për këngën dhe luftën. Ishte kjo tronditje që i përjetësoi pastaj tek vepra e famshme “Shtegtimet e Childe Haroldit” kur përmend virtytet e tyre dhe shkruan për këngët e vallet e rralla:
“Në zall të shtruar ndritën zjarret natën,
darka mbaroi, vjen rrotull verë e kuqe;
Dhe kush u ndodh atje pa pritur gjë,
Ju muar mentë fare nga ajo pamje;
Se sa pa shkuar orëz e mesnatës,
Përcjellësit ia nisën këngës tyre;
Çdo Palikar e flaku tutje shpatën
Kërcyen dorë për dorë njëri pas tjetrit,
Me këngë apo vajtim u drodhën fustanellat…”
Kaq e fortë ka qenë goditja emocionale e poetit prej këtyre këngëve me iso, sa që edhe pas kaq kohe e kaq mijëra kilometra larg nuk i ndahen nga mendja.
Derisa një dite, aty mbi Rhin-in e gjerë ua përçon miqve të tij duke i lënë edhe ata gojë hapur. I vetëm, pa shokë isosh, pa kthyesin që ia mban, vetëm me shushurimën e lumit të shtruar pranë.
Lebërit e mi nuk e kanë ditur këtë ngjarje, por dinin që një burrë i lartë anglez, i pasur dhe i famshëm kish ardhur në viset e tyre, kish takuar një bir e vëlla lab, vetë Ali Pashë Gjëmëmadhin e ca më vonë kish luftuar me vëllezërit arvanitas ne Mesolongj.
Kaq u mjaftonte, u kish ardhur në shtëpi e i kish respektuar, kish luftuar me ta krah për krah dhe ish i fisëm e trim. Kjo dilte e tepronte për ta nderuar me një këngë. Nderi lahet me nder, kokë për kokë. Paçka se ai nuk do ta dëgjonte dot kurrë, aty në varrin e tij të ftohtë. Por kjo nuk kish pikë rëndësie. Rëndësi kish të ruhej zakoni, kodi i nderimit, ky institucion i famshëm i maleve që e mbante në ekuilibër jetën e tyre të varfër. Dhe ia morën këngës në një qafë mali:
“Lord Baroni ill i rrallë,
Që kish mik Ali Pashanë,
Shkoi e luftoi për Elladhë,
Po trimat i kish shqiptarë,
Si besnikë e kordhëtarë.”
Doemos emrin nuk do t’ia shqiptojnë dot mirë, si e kish në atë gjuhën e tij, po kjo nuk ish fare e rëndësishme.
Ai plotësonte dy kushte të mëdha e të denja për një këngë, “kish mik Ali Pashanë” djalin dhe vëllanë e tyre dhe luftoi krah për krahë me “trimat i kish shqiptarë”.
Doemos derisa ish në krah të tyre dhe ai ish trim, e kish hak këngën. Derisa plotësonte këto kushte Bajroni ish për ta një “ill i rrallë.”
Sikur ta dinte poeti i madh që do të përmendej maleve e grykave për dekada me radhë dasmë më dasmë e sebeb më sebeb do të rrotullohej në varr me fytyrë andej nga endeshin këto këngë të mahnitshme.
I çuditshëm dhe i paharrueshëm mbetet për ne ky çast për të cilin është fol e është shkruar aq pak dhe që do të duhej të tretej në shumë emisione e në mësimet që u bëhen shkollarëve tanë.
Ministria e Kulturës, në se do të dinte e do të ndjente gjera kaq të vyera, me siguri do të lëvizte vendit. Më e pakta do të vinte një pllakë të madhe tek kalaja e Gjirokastrës ku bëhet Festivali Folklorik Shqiptar e do të shkruante me germa të argjendta këtë fakt. (E kisha fjalën me bojë të argjendtë, se argjendin nuk kemi ku e gjejmë) ta shkruante në anglisht e në shqip shënimin e Konicës te “Albania” që ne por dhe të huajt të ndjeheshim krenarë për këngën tonë.
Mbase aty në Gjirokastër apo në Tepelene mund te ngrihej një monument i Bajronit i veshur me fustanellë si lab e ku të shkruhej se Poeti i madh ka kënduar dy këngë labe mbi Rhin në vitin njëmijë e tetëqid e …
Literaturë mbështetëse:
– Shënimet e Çajld Harold. Tiranë: 1973, përkthyer nga Skënder Luarasi.
– Fotaq Andrea, Faik Konica-Përlindësi modern. Fletore koniciane, Zenit, Tiranë: 2016
– Dorian Koçi: “Childe Harold, Shtegtimi i polifonisë shqiptare në Evropë përmes Bajronit”
– Mbledhës të Folklorit, vëllimi 8, Këngë popullore të Labërisë, nga Fatos Mero Rrapaj, Tiranë, 1991
ObserverKult
Lexo edhe: