Nga Xhentiana Muskaj
Kjo nuk është historia ime, por e gjithë atyre vajzave shqiptare që kanë vite që i urojnë “ISHALLA ME NJË FAT TË MIRË!”. Fati nënkupton burrin, e cili duhet të jetë princi i kaltër i përrallave, ai që të plotëson gjithë dëshirat, që të lë në shtëpi dhe një vajzë është me fat nëse nuk punon dhe nuk ndjek ëndërrat e saj, dëshirat.
Unë nisa ta dëgjoja shumë pasi mbarova fakultetin. Sa herë kthehesha në qytetin ku linda dëgjoja: “Tani mbarove shkollën, me një fat të mirë’’.
Kurrë nuk i dëgjova fjalët: “Lufto për të ardhmen tënde”, nuk më thanë kurrë “do të rrëzojnë Xhena, po ti duhet të ngrihesh”… Jo vetëm unë s’i kam dëgjuar, po asnjë vajzë që do të ketë një të ardhme me shpatullat e veta nuk i ka dëgjuar këto fjalë.
Ne u rritëm me fjalët burri është e gjitha për një vajzë, nëse ke gjetur një burrë të mirë, fati yt është i rrallë.
Burrë me shtëpi, burrë më makinë, burrë me para, burrë i cili të mundëson pushimet, këto kohët e fundit po thuhet ndonjë burrë edhe me letrat gjermane ose amerikane, por ato gjermane më shumë.
“Fatin” na e kanë lidhur me burrin, por mua më kanë thënë se nuk do t’ia dal dot e vetme sepse jam vajzë se më duhet patjetër një shpatull tjetër… dhe këto fjalë nuk m’i kanë thënë vetëm mua jam e bindur.
Tani pyes veten a duhet t’i bërtas fort mentalitetit shqiptar, i cili nuk i frymëzon vajzat të ndjekin ëndërrat, të luftojnë për të ardhmen e tyre dhe të jenë të zonjat e vetes?! Përgjigja është PO.
Po ashtu jam e bindur se secilës prej vajzave që po ndjekin karrierat e tyre i kanë gjetur ndonjë burrë me letra.
Mua dy, njëri kishte letrat gjermane, tjetri amerikane… Pasi u ktheva nga Berlini më panë me keqardhje në qytetin ku linda e më ndoqën me sy sikur u vinte keq dhe dëgjova sërish “NJË FAT TË MIRË TANI!”
Unë e kam kuptuar kur isha 15 vjeçe se nuk ka princ të kaltër, se atë e krijuan shkrimtarët dhe se ka një vetëm një grua të kaltër dhe të fortë.
Ajo është brenda secilës vajzë dhe nëse lufton me gjithë forcën që është brenda teje do ia dalësh, edhe kur të rrëzojnë edhe kur të thonë je vajzë ti nuk e bën dot atë, është punë burri kjo, edhe kur të qeshin nga pas shpine dhe thonë kushedi si e ke fituar atë vend pune… edhe kur merren me veshjen tënde dhe jo me faktin se sa di, se sa ke lexuar. Kur merren si ke bërë rimelin, penelin…
Se duhet të luftoja edhe më shumë për veten dhe se nuk duhet të ndalesha ma tregoi Mirela. Mirela është ende e burgosur. “Fati” i Mirelës ishte i keq, ishte një fat që e dhunonte, një fat që pinte dhe një baba që hodhi me benzinë edhe fëmijët e tij.
Në kam bërë një gjë që më ka ndihmuar shumë në punën time si gazetare është intervista me Mirelën.
Ajo grua as me tetë klasë shkollë më mësoi shumë. Mirelën nuk e frymëzuan të lexonte, e hoqën nga shkolla se ishte më e zhvilluar se duhej dhe e mësuan se fati i saj ishte burri. Mirela nuk punoi kurrë sepse mori as një profesion nuk e kishte.
Ajo ka një ëndërr të blejë një rimel me lekët e saj sepse fati i saj nuk i dha as dy mijë lekë të vjetra ta blinte.
Ndaj ju lutem i frymëzoni vajzat të shkollohen, të jenë të zonjat e vetes dhe të ecin para, mos i martoni ende të mitura. Na thonë “Fati është në dorën tënde dhe ishalla të kesh një fat të mirë.’”
Im atë është një njeri punëtor, në duart e tij gjen kallo si te duart e çdo babai shqiptar që ka punuar me ndershmëri.
Ama në ka njeri që falënderoj është ai për frymën që më rriti, që më dha liri dhe më la të ndjek ëndërrat e mia.
Im atë ka bërë shumë të mira me mua dhe time motër, por edhe pse në një qytet të vogël me mentalitet të vrazhdë, të prapambetur më la mua të ikja e vetme mes Berlinit, herën e parë s’më priti askush në aeroport… dhe nuk kishte frikë se unë do humbja rrugën.
Mentaliteti shqiptar është i hidhur sidomos në zonat e thella rurale, por i lutem çdo babai që ka një vajzë, frymëzoni të shkollohen dhe i lini të lira. Fati i mirë është në duart e vajzave tuaja, jo duart e burrit që ju do i jepni. I lini të lira të zgjedhin të shkollohen, i lini të dashurojnë, i lini dhe t’i lëndojnë edhe të gabojnë. Më besoni se do keni një vajzë më të fortë që do jetë e aftë t’i bëjë ballë vetë jetës dhe mos të ketë nevojë t’i shtrijë dorën askujt.
Nëse babai i Mirelës do e kishte bërë këtë më besoni, ajo nuk do ishte në burg se i mori jetën “fatit të saj” të lig, për të mbrojtur veten sepse nuk duroi dot më dhunën sitematike.
Kur nisa të shkruaj në blogun tim dhe mes rreshtat të tregoj copëza nga jeta ime prej 25 vitesh më thanë, mos trego shumë thuaj është historia e një shoqes time. Por kjo është historia e gjithë vajzave shqiptare që kanë ëndrra dhe duan të punojnë, duan t’ia dalin vetë. Nuk është vetëm historia ime.
ObserverKult
Lexo edhe:
A DONI T’JU TREGOJ KUSH MË NGACMOI SEKSUALISHT?
A doni t’ju tregoj listën e personave që më kanë ngacmuar mua seksualisht? Po sikur t’ju them që janë me qindra, që kur isha fëmijë e deri më sot. Po listën e atyre që kanë abuzuar me trupin tim? Ata që e kanë përdhosur trupin tim, timin, dhe kanë bërë gjithçka deshën me të. Po unë a kam të drejtë mbi trupin tim? Ta zhvesh e ta djeg totalisht trupin tim nga dhimbja? A do të më kuptonit vallë?
Kam frikë se jo. Sepse çuditërisht gjëja që dinë shqiptarët të bëjnë më mirë dhe më me shpejtësi, është të të kryqëzojnë. Edhe pa të dëgjuar më parë, apo të bëjnë qoftë edhe një përpjekje për të të kuptuar. Mbase ka lidhje me faktin të qënit popull sanguin e që reagojmë në mënyrë instiktive.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult