Kur Dritëro Agolli tregonte se “çfarë e bënte të qeshte më shumë…”

Dritëro Agolli

E bija e Dritëro Agolli, Elona Agolli, na sjell vazhdimisht poezi, shkrime dhe pjesë të shkëputura nga intervista që poeti ynë i njohur i kishte dhënë për medie të ndryshme.

Në një nga postimet e saj në Facebook ajo na solli pyetjen që ishte bërë Dritëroit se “Ç’ju bën për të qeshur më shumë?” dhe përgjigjen e tij:

Postimi i plotë:

Pyetje-përgjigje nga Dritëro …

Pyetje: Ç’ju bën për të qeshur më shumë?

Dritëro: Në jetë më ka bërë për të qeshur vetëmburrja e njeriut. Aty njeriu më duket më qesharak se kurrë. Ky njeri, që nuk i njeh zotësitë e tij, por i bën gjëra të tijat ato që s’i ka, shfaqet grotesk e të shkrin gazit.

Në këtë pozitë i shoh shpesh edhe qeveritarët nëpër konferenca shtypi, edhe politikanët e sidomos deputetët, që përtypin çamçakëz duke lëvizur nofullat përmbi kollaret si gjuhë viçi. Për shembull, fushata elektorale më duket jo rrallë si sezon karnavalesh.

Gjatë tyre, njerëz krejt ordinerë, hipin nëpër podiume dhe, me gjuhë politikanësh ngrenë zërin: ”Unë do të bëj këtë dhe atë. Do t’ju sjell 11 lloje buke, do t’ua qëndis tavanet me abazhure me motive kombëtare…”

Pas zgjedhjeve futin bishtin ndër shalë e ikin, ose ngjiten nëpër karriget e tyre të dashura. Stolisen me varëse e byzylykë. Ngasin makina të shtrenjta, duke pluhurosur elektoratin që tani nuk iu duhet më.

Para këtyre gjërave unë qesh, pastaj zemërohem. Kjo ndodh edhe në letërsi. Ka plot të rinj që ngrihen e thonë:

”Do të bëj këtë e atë lloj letërsie“. Piktorët nxijnë mure e telajo me “art të madh modern”, siç e quajnë ata.

Lexuesi dhe shikuesi para tyre kalon gjithnjë indiferent. Dhe, ku ishe? Hiçgjëkundi. Kjo tema e vanitetit më sjell, më shumë se çdo gjë tjetër, në humor.

ObserverKult


Lexo edhe:

KUR PODRIMJA I LUTEJ DRITËRO AGOLLIT “NËSE MUND T’JA GJENTE NJË MJEK TË MIRË PËR DJALIN E SËMURË”