Kur duhet të shkruhet “hiq” e kur “hiç”…

Nga Ilmi Rexhepi

Hiq dilemat dhe nuk gabon hiç!

Fjala “hiq” është folje në mënyrën urdhërore: hiq maskën! Hiq kapelën!…

Pra, unë heq, ti heq, ai heq…, urdhërorja: hiq, hiqni!

Ndërsa fjala “hiç” përdoret herë si emër (nga hiçi në hiç), herë si ndajfolje (nuk shoh hiç), herë si përemër i pacaktuar (nuk ka hiç fare) dhe herë si mbiemër (ajo ishte një hiçe).

Që të dallohet kur përdoret si emër, kur si ndajfolje, kur si përemër i pacaktuar e kur si mbiemër, është e vështirë dhe punë gramatikanësh, por ne, kur kemi dilemën se a ta shkruajmë me q apo me ç, le ta mbajmë mend këtë:

Sa herë lidhet me kuptimin “asgjë”, shkruhet me “ç” (hiç). Ndërsa, kur lidhet me veprimin e heqjes, atëherë me “q” (hiq!).

Për çudi, fjala “hiç”, më shumë shkruhet gabim “hiq” sesa në trajtën e saktë drejtshkrimore “hiç”!

ObserverKult


Lexo edhe:

“NËPUNËS” APO “NËNPUNËS”, SI DUHET TË SHKRUHET?

Cila është trajta normative e kësaj fjale?

Na ndodh shpesh që këtë fjalë ta hasim në të dyja trajtat: “nënpunës” dhe “nëpunës”. Me të drejtë, shumë prej nesh ngrenë pyetjen: cila është trajta normative e kësaj fjale dhe pse në fjalor e gjejmë “nëpunës” dhe jo “nënpunës”, kur kemi “nënkalim”, “nëntokë”, “nënkryetar”, “nëndrejtor”, “nënpresident”, “nënprodukt”, “nënprefekt”?

Në rastin e kësaj fjale duhet të shohim prejardhjen e saj.

Kjo fjalë nuk formohet nga tema “punë” me parashtesën “nën”.

Ajo formohet me përngjitje dhe prapashtesim njëkohësisht: “në+punë+ës”, dhe jo si fjalët: nënprodukt, nënpresident, nënkalim, nëntokë, nënkryetar, nëndrejtor etj.

Kjo përngjitje ka ardhur nga përdorimi i madh i fjalëve në + punë, të cilat janë përngjitur me njëra-tjetrën, duke dhënë trajtën “nëpunës”.

Ne përdorim trajtën e gabuar “nënpunës” për analogji me këto fjalë, që formohen me parashtesën “nën”.

Por kjo fjalë bën përjashtim nga grupi i fjalëve që formohen me parashtesim, me parashtesën “nën”, sepse është formuar nga përngjitja e parafjalës “në” + emri “punë” + prapashtesa “s”.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult