Kur e si u themelua Prishtina dhe nga e mori emrin

prishtina


Në sfond shihet Prishtina! Sot kryeqyteti i Kosovës, Prishtina u ngjiz si qytet falë një zhvillimi shumë të largët nga këto vise.

Më 1204, gjatë Kryqëzatës së Katërt, në muajin prill, kryqtarët arritën të futeshin brenda mureve të Kostandinopojës dhe ta merrnin atë tradhtisht, duke i dhënë fund Perandorisë Bizantine (deri më 1261), që u zëvendësua nga një shtet kryqtar i njohur si Perandoria Latine e Kostandinopojës.

Nga Durim Abdullahu


Deri atë kohë, këto anë, pushteti bizantin i kontrollonte përmes një qyteti garnizon, Lipyanonit, i mbijetuar si toponim te Lipjani i sotëm. Rënia e Perandorisë Bizantine si pushtet i qendërzuar në Kostandinopojë, bëri që edhe Lipyanoni të shpërbëhej. Megjithatë, kjo pjesë e Ballkanit ishte zonë ku kalonin rrugë tregtare, mes dy qendrash minerare:

Novobërdës dhe Trepçës pranë qyteti garnizon kufitar, Zveçanit. Rrjedhimisht, kishte nevojë për një qendër të ndërmjetme, që shërbente si pikëndalesë karvanesh, stacion ku këmbeheshin kuajt e paratë dhe ku përditësoheshe me lajme për sigurinë e rrugës dhe ngjarjet e kohës.

Atë botë, vegjetacioni i Kosovës ishte shumë më i dendur. Luginat e lumenjve ishin të mbushura me shkurre e ferra, kurse zonat malore ishin shumë më të pyllëzuara, siç është ruajtur në toponime si Lluga, Hvosno (sllavisht: pyll i dendur), Leskovc, Zabel etj.
Kështu jo shumë larg Lipyanonit, u ngjiz një qendër e tillë që e mori emrin Prisetina. Për këtë toponim janë ngritur hipoteza përgjithsisht nga kurreshtje intuitive.

Por shpjegimi më i gjasshëm, mbetet ai i gjuhëtarit të madh amerikan Eric P. Hamp, sipas të cilit, ky toponim vjen nga fjala e hershme indoevropiane “pri” që ka kuptimim “va” dhe fjala tjetër indoevropiane “setin” me kuptimin e “gurit” (kujto në anglisht fjalën “stone” – “gur”). Va i gurit, apo va mbi gurë mund të jetë kuptimi i toponimit origjinar Prisetina.

Përmendja e parë e njohur e Prishtinës në një dokument të shkruar, datohet në tetor të vitit 1325. Është fjala për një letër në të cilën Stefan Uroshi III (1276-1331), Mbreti i Serbisë, i njohur edhe si Stefan Deçanski, i shkruan Republikës së Raguzës. Në këtë letër, Stefan Uroshi III kërkon që nëse vijnë nga Raguza, Elia dhe Thomai, t’ia sjellin tributin apo haraçin e Shën Dhimitrit në Prishtinë (Pristinae).

Përmendja e dytë më e hershme e Prishtinës në një burim të shkruar, ka për autorësi vetë perandorin bizantin Joan VI Kantakuzen (1292 – 1393), i cili duke përshkruar takimin e tij me mbretin serb Stefan Dushani, më 1342, shkruan se u takuan “…atje në një fshat të parrethuar me mure të quajtur Pristinon”.

Gjatë dy shekujve të parë, të XIII dhe XIV, Prishtina ishte qendër ndalese e fushimi për karvanet tregtare, në doganën e të cilës kalonin produkte të ndryshme nga ari e argjendi, te drithërat, kripa dhe shtofrat. Zotër të dinastive sllave të Nemanjiqëve dhe Brankoviqëve, e patën nën zotërim, herë nga njëra e hërë nga tjetra.

Aty ku sot është Muzeu i Kosovës, Stefan Dushani kishte një pallat të tij të verimit.

E ngritur në një ultësirë mes kodrash (edhe sot nga të gjitha hyrjet në Prishtinë hyhet duke zbritur nga lart poshtë), Prishtina njihej për klimën e pashëndetshme, përveç që asnjëherë nuk pati rëndësi strategjike dhe asnjëherë nuk u fortifikua si qytet me mure.
Në fushatat osmane të fundshekullit të XIV dhe fillimshekullit të XV, ajo u pushtua disa herë.

Kur Sulltan Mehmeti II erdhi në fron dhe pushtoi Kostandinopojën (1453) duke i dhënë fund përgjithmonë Bizantit, ai ndërtoi një kompleks në Prishtinë me një xhami të madhe (Xhamia e Madhe e Prishtinës), një hamam dhe një medrese. Kjo e ktheu Prishtinën nga një qytet stacion ku vinin e shkonin edhe tregtarë raguzanë dhe minatorë saks, në një kasaba, qytezë osmane me myslimanë.

Vetëm diku në shekullin e XVI, Prishtina do të bëhej shehër. Kur u ndërtua hekurudha që lidhte Selanikun me Nishin më 1873, Prishtina ia mori primatin Prizrenit duke u bërë përkohësisht kryeqendër e Vilajetit të Kosovës.

Në fillim të shekullit të XX, popullsia e Prishtinës mezi arrinte në 15 000 banorë, mes tyre shqiptarë, serbë, turq, hebrenj, romë, cancarë e ndonjë pakicë etnoreligjioze.
Vetëm pas Luftës së Dytë Botërore, Prishtina u bë kryeqytet i Kosovës, pastaj i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës dhe sot i Republikës së Kosovës.

ObserverKult


Kliko edhe:

PARKU ARKEOLOGJIK ULPIANA, NJË THESAR ANTIK AFËR PRISHTINËS (VIDEO)

ObserverKult