reklamë

Kur fajet ia lëmë gjuhës standarde

Qemal Murati

Nga Qemal Murati

Sistemi arsimor në Kosovë nuk është për t’u lavdëruar, ashtu siç nuk është për t’u lavdëruar edhe organizimi gjithandej i një mal “konferencash shkencore”, pa bukë, pa shkencë, vetëm sa për të shkuar radhën, etj.). Sipas rezultateve të PISA 2025 (të publikuara zyrtarisht nga OECD më 8 shtator 2026), Kosova vazhdon të mbetet në fund të renditjes botërore, duke zënë vendin e 82-të nga 91 shtete dhe ekonomi pjesëmarrëse në matematikë. Ajo renditet si e 8-ta nga fundi i tabelës.

Për ta përmirësuar këtë gjendje, intelektuali dhe publicisti Shkëlzen Gashi shprehet se “Problemi i vetëm janë lëndët: histori kombëtare, gjuhë shqipe dhe letërsi shqipe. Për historinë kombëtare mund ta përshtasim librin e historianit britanik Noel Malcolm ‘Kosova, një histori e shkurtë’. Po ashtu, është e rëndësishme që të diskutohet që këto tekste të mos jenë në gjuhën standarde të vitit 1972, sepse kjo është njëra prej arsyeve shtesë pse nxënësit kosovarë po dalin keq, sidomos në lexim, në testin PISA.

Libri i historianit Noel Malcolm ‘Kosova, një histori e shkurtër’ pa dyshim që duhet të jetë një tekst themelor në shkollat dhe universitetet tona, sepse nuk ka një botim tjetër më të arrirë se ky dhe zor se mund të kemi edhe në të ardhmen.

Kurse mëtimi tjetër se “është e rëndësishme që të diskutohet që tekste (tekstet shkollore) të mos jenë në gjuhën standarde të vitit 1972, sepse kjo është njëra prej arsyeve shtesë pse nxënësit kosovarë po dalin keq, sidomos në lexim, në testin PISA” – është një kërkesë sa e çuditshme aq edhe e paqëndrueshme dhe tmerrësisht e lodhur.

Kjo pandehmë e kotë, supozim i kotë, vetëm ta mendosh është një “disaster” (fatkeqësi, katastrofë), e jo më të zbatohet. Koncepti për rikthim në ngastrat dialektore parastandarde në sistemin arsimor shkollor është shumë retrograd, prapakthyes. Ideologjia “antistandard” e shndërruar në dogmë, është e çuditshme dhe e rrezikshme.

“Standardi është njëri nga variantet e gjuhës së përgjithshme. Është varianti i përbashkët dhe më i pëlqyeri. Nëse dikush ka problemet e veta me gjuhën standarde, mund ta mësojë, sepse është kulturë që edukohet e mësohet” (Hajri Shehu). Edhe popujt më të qytetëruar në Europë e mësojnë gjuhën letrare në shkollë. Edhe anglezët e mësojnë anglishten standarde në shkollë. Edhe gjermanët e mësojnë gjermanishten letrare në shkollë. Edhe popujt e tjerë veprojnë po kështu. Përse ne duhet të jemi ndryshe nga ata?!

Nëse nxënësit nuk e dinë gjuhën shqipe në shkollë nuk është faji i gjuhës standarde, por i arsimtarëve. Nëse nxënësit nuk e dinë matematikën, nuk e ka fajin matematika, por arsimtarët e matematikës. Ky është problemi themelor. Problem janë edhe tekstet shkollore jo adapte, të hartuara pa kritere të mirëfillta nga autorë joprofesionistë, që nuk kanë njohuri elementare për gjuhën – por jo vetë gjuha standarde si e tillë.

Një shtet për të zhvilluar kulturën, ekonominë, politikën e shkencën, ka nevojë të domosdoshme për gjuhën standarde. Këtë e kanë të gjitha vendet që arrijnë një shkallë të caktuar. Kjo bëhet duke marrë një variant të gjuhës e duke e kthyer në gjuhë standarde, në plotësimet, ndryshimet etj. Nuk ka nevojë pas kësaj të mbahet qoftë qëndrim përbuzës ndaj një dialekti apo varianti, qoftë të kundërvihet ai me gjuhën letrare. Të gjithë ata që merren sot me cingërima dialektore dhe duan që shqiptarët të flasin si fshati i tyre, harrojnë se e gjithë bota shqiptare është një fshat i vogël përballë globalizimit” (Xhevat Lloshi).

Në shkollë, në radio e në televizion, në institucionet shtetërore e publke, përdoret gjuha standarde, jo të folmet lokale a krahinore apo ndonjë gjuhë “mikste”, as standard as dialekt , siç propozohet.

Linguistë dhe filologë janë shprehur me të drejtë se: “Ata që drejtojnë emisione në televizion duhet të kenë një minimum të kompetencës gjuhësore, duhet të kenë një shkollim elementar. Gjuha standarde është si standardi në trafik. Nëse dëshironi të merrni pjesë në trafik, duhet të respektoni rregullat, nëse doni të komunikoni siç duhet, duhet të respektoni normën gramatikore dhe drejtshkrimore të gjuhës”.

Për dobësitë tona në sistemin arsimor, fajet nuk i ka gjuha standarde, por dembllëku, përtacia për të lexuar dhe për ta kultivuar standardin.

ObserverKult


Lexo edhe:

Zjarri katarzues i fjalës/ Reflektim për librin “Grue prej zjermi” të Donika Dabishevcit