Nga Kastriot Dervishi
Fatos Lubonja vuante dënimin për agjitacion e propagandë qysh nga data 25.7.1974. Ai u arrestua më 23.2.1979 së bashku me të dënuar të tjerë që vuanin dënimin në kampin e Spaçit. Ai u fut në “grupin” e Fadil Kokomanit dhe Vangjel Leshos. Cilësohej “pjesëmarrës në organizatën antisocialiste dhe antidemokratike”. Fillimisht iu komunikua akuza bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal dhe më pas iu shtua edhe ajo e nenit 57 të këtij kodi. Njohjen me akuzat Lubonja nuk e ka nënshkruar, duke mbajtur deri në fund një qëndrim për t’u admiruar. Në përfundim ai u dënua me 16 vjet burgim.
Pjesë të zgjedhura nga hetuesia ndaj Fatos Lubonjës
23.2.1979, hetuesi Aleko Beta
Pyetje: I pandehuri Fatos Lubonja, akuzoheni se keni kryer krimin e agjitacionit dhe propagandës duke agjituar e propaganduar në kohë e vende të ndryshme, si dhe me persona të ndryshëm për të minuar, dobësuar e rrëzuar pushtetin popullor. Ç’keni për të thënë rreth akuzës së ju bëhet?
Përgjigje: Unë akuzën që më bëhet e dëgjova dhe rreth kësaj akuze kam për të thënë se kjo është krejtësisht false. Nuk është e vërtetë që të kem propaganduar dhe agjituar kundër pushtetit popullor.
27.2.1979, hetuesi Shyqyri Duro
Pyetje: Jepni shpjegime i pandehuri rreth akuzës që ju bëhet.
Përgjigje: Unë nuk e pranoj akuzën që më bëhet për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor dhe nuk di të jap shpjegime rreth kësaj akuze që bë bëhet. Unë në kamp ku vuajta dënimin i kisha vënë vetes për detyrë që të qëndroja mirë, të mos gaboja, por shpifjet e njerëzve të ndryshëm mua më sollën këtu përsëri.
4.3.1979, hetuesi Shyqyri Duro
Pyetje: Po mirë, ne të konsiderojmë si armik sepse ti me veprimet e tua ke kryer veprimtari armiqësore kundër pushtetit popullor.
Përgjigje: Unë them se me veprimet e mia nuk kam kryer asnjë lloj aktiviteti herën e parë kur jam dënuar për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, ashtu edhe këtë herë që jam arrestuar e jam akuzua për të njëjtin krim. Kështu që ju po më konsideroni armik, se unë nuk kam punë e nuk jam i tillë.
Pyetje: Po si të dënuan ligjet e pushtetit popullor herën e parë kur sipas teje nuk ke bërë asgjë? Si e konsideron ti dënimin, pse t’u dha?
Përgjigje: Ku e di unë se si më dënuan këto ligje mua, pasi unë e ndjej se s’kam bërë asgjë…Unë për vete nuk e prisja të dënohesha në burg…Këtë e them se në ato kushte që punonim ne atje në kamp, nuk janë të atilla që të riedukojnë, por janë të atilla që të bëjnë të vuash fizikisht.
Pyetje: Pse, si janë kushtet e jetesës dhe të punës në kampin ku ti vuaje dënimin:
Përgjigje: Kushtet e kampin ku unë vuaj dënimin janë shumë të rënda, ushqimi është mjaft i dobët, lë për të dëshiruar. Fjetja nuk është e mirë, puna është e vështirë, normat janë të larta, na detyronin të punonim edhe ditët e pushimeve. Kështu që kushtet e jetesës e të punës nuk janë për njerëz normalë”.
27.3.1979, hetuesi Shyqyri Duro
Pyetje: Jepni shpjegime i pandehur rreth akuzës.
Përgjigje: Unë akuzën që më bëhet nuk e pranoj. Unë kam pikëpamjet e mia politike, të cilat unë nuk mund t’i them këtu në kushtet që jam sepse unë jam marrë i pandehur, por këto pikëpamje që kam unë mund t’i shpreh vetëm në kushte në tjera, jo në kampin e Spaçit ku unë vuaj dënimin, në rast se atje do të vinte një përfaqësues i shtetit dhe mua do më kërkoheshin prej tij pikëpamjet që kam unë rreth politikës që ndjek partia e shteti për këtë e gjëra të tjera.Unë në hetuesi nuk i them pikëpamjet e mia sepse unë i pranova herën e parë, kur unë si i shpreha edhe u dënova. Kështu që në kushtet kur unë jam marrë i pandehur nuk mund të shpreh pikëpamjet e mia që kam.