“Kur gjethet bien në vjeshtë”, poezia-këngë në gegnisht e shkrimtarit nga Himara

E keni dëgjuar sa e sa herë këngën “Kur gjethet bien në vjeshtë”, që ndërlidhet në mbamendje kryesisht me emrin e këngëtarit Rudolf Stambolla. Por a e keni ditur se autori i tekstit ishte shkrimtari i njohur Odhise Grillo, i njohur për kontribrin e tij sidomos në lëvrimin e letërsisë për fëmijë. Një fakt interesant është që Grillo ka lindur në Vuno të Himarës, ndërkaq poezia është e thurur aq bukur në gegnishte.

Teksti:

Kur gjethet bijnë në vjeshtë dhe m’dukesh n’vaj natyrë
Për ty s’mundem me heshtë, si gjethja bahem n’ftyrë
E zverdhun dhe e ngrime, si barnat në kallnur
Po del kjo kanga ime ankuse thell n’krahnur.

Ti m’ke braktis’, qofshin haram ndjenjat e mija
Se larg dashnis’, t’lindi n’zemër pabesia,
Ke me u pendue, por at’her ka me qen’ vonë
dhe tuj lotue do t’vij nermen dashnia jonë.

T’kujtohen ty pranverat ah puthjet me pasion
Dhe fjalt’ e tua nga hera kjo zemër si harron
Nëqoftse gjethet ranë të vyshkuna mbi dhe
At’her kam me besue se sa e pabesë ti je.

Ti m’ke braktis’, qofshin haram ndjenjat e mija
Se larg dashnis’, të lindi n’zemër pabesia
Ke me u pendue, por at’her ka me qenë vonë
dhe tuj lotue do t’vij nermen dashnia jonë.

Për mua lulet e verës nuk kan ma bukuri,
Jan’ vyshk n’qoshe t’penxheres, të mjerat në saksi
As lot nuk kan t’i ngjallin, jan shterrur lot e rinisë
Veç kur më merr mu malli, i knoj un’ dashurisë.

Ti m’ke braktis’, qofshin haram ndjenjat e mija
Se larg dashnis’, të lindi n’zemër pabesia
Ke me u pendue, por at’her ka me qenë vonë
dhe tuj lotue do t’vij nermen dashnia jonë.

Odhise Grillo

Ju ftojmë ta dëgjoni edhe këngën:

ObserverKult