Kur ia pashë babait qelbin që rridhte nga kyçet e duarve gropë prej hekurave dhe torturave s’mund t’i ndalja lotët…

Foto ilustrim

Pse i fsheh duart ashtu babë? – pyeta me lot ndër sy në atë dhomë të ftohtë të ngushtë që të zinte frymën. – Asgjë nuk kam, të pastë baba, – tha ai dhe uli me shpejtësi mëngët e xhaketës doku ngjyrë bojë kafe duke mbuluar sa më shumë kyçet e duarve, por ky gjest nuk arriti të mbulonte qelbin që rridhte nga kyçet e duarve gropë prej hekurave dhe torturave. Mbulova sytë me dorë nga tmerri dhe lotët më rodhën çurkë, e më vinte të ulërija fort, por polici që mbikqyrte nuk na e hiqte shikimin asnjë çast dhe frika se mos bënim keq babës, na mbyllte gojën.
M’u shkallmua zemra prej dhimbjes dhe ashtu e vogël siç isha nxora një shami prej xhepit dhe ia dhashë me frikë.

Nga: Dolores Ernesto Kraja

-Babë, babë, hajde t’ia marrim një herë,- e ishte gjëja më e bukur në botë, kur unë dhe baba ia merrnim këngës!
E filloi me këto fjalë rrëfimin e saj e ndërsa vështroja sytë e mëdhenj ngjyrë të kaltër, vura re se pas tyre fshihej një dramë e hidhur që kish filluar s’dihej se kur, por e bindur se akoma nuk i njihte as fundin.
-Kam veshur gjithnjë një fund jeshil me një bluzë të bardhë dhe hodhi sytë nga dollapi a thua se ato gjendeshin akoma aty.
-A e din se kam patur flokë të zeza? – tha papritur, duke prekur në mënyrë instinktive flokët tashmë të thinjur, por të hijshëm mbi kokë.
-Je akoma e bukur – i thashë, duke i ngulitur sytë në fytyrën e saj e cila shpeshherë mekej në përhumbjen e fjalëve.
***
Shtëpia ime dykatëshe i kishte dhomat e mëdha ku i ndante një korridor i gjatë.
Poshtë kati i parë qe i parregulluar dhe unë gjendesha në shumicën e kohës duke lozur vetëm.
Ngjitesha dhe zbrisja thuajse me vrap njëzet shkallët që lidhnin katet e shtëpisë, e kjo fillimisht më jepte një lloj kënaqësie, pa menduar se kohë më vonë ato shkallë do deshën shumë forcë të mbanin peshën e madhe të vuajtjeve që nuk do njihnin më kufi!
Lodhesha çdo ditë e më shumë mbas arrestimit të babait e nuk dija se ky ishte vetëm fillimi i një kalvari pa fund, i cili do ma zinte frymën për gjatë gjithë jetës.
Isha një fëmi që harroja sa vjeç mbushja çdo vit. Më dukej vetja e madhe, por isha vetëm 9 vjeç kur mbeta pa babanë.
E kjo u kthye në një dramë të vërtetë!
Çdo ditë mbetesha vetëm me veten time, ku lotët dhe vetmia më shoqëronin për çdo çast, javë, muaj edhe vite. E kështu vetja ime u rrit para kohe me duart e njoma, me shtatin e hollë që shpesh e mbulonte një fustan bojëqielli, i vetmi që më bënte të ndihesha pak femërore.
Çuditesha me emrin tim ndaj e pyesja shpesh babain, se pse pikërisht quhesha ashtu, por ai s’më kthente asnjë përgjigje, atëherë fillova të mendoja vetë dhe të krijoja gjithfarë idesh të bukura të cilat më bënin të ndihesha mirë.
E shkruaja shpesh në xhamin me avull, e ndaja në rrokje, e thërrisja sikur të mos ishte emri im, e kështu u bëra shumë shoqe, e nuk ndihesha vetëm. Unë dhe emri!
-A thua është e vërtetë ajo gojëdhëna se brenda në emër është fshehur gjithë jeta?
Kjo është një pyetje që më ka munduar shumë edhe vite më vonë kur u bëra nënë.
Frika që kam ndier nga vetmia dhe ankthi se emri im tashmë kishte një lidhje të fortë me të, u bënë pjesë e përditshmërisë ku, nga viti në vit, kuptoja se ishin të pandashme dhe rriteshin bashkë me mua.

Babë, pse kam këtë emër? – e pyeta një ditë kur u afrova te vendi i tij i punës ku qëndronte me orë të tëra.
-Ta tregoj një herë tjetër, kur të rritesh dhe pak!
-Jo babë, jo, unë sot e dua ta di, – dhe iu afrova e fillova duke e marrë përqafë me ledhatime.
-Mirë të pastë baba, do ta them po ti më premto që s’do të mbesë hatri!
-Jo, kurrë, veç ma thuaj se dua ta di,-thashë me zë të ëmbël duke e përkëdhelur më shumë.
-Po ja si ta them moj bijë, unë desha të lindje djalë, e kur ti dole vajzë m’u duk sikur u shemb krejt bota e ndjeva dhimbje, sepse unë jam i vuajtur në jetë e mendova se ti je një dhimbje tjetër.
-Pra ti babë nuk më paske dashtë?
-Të dua shumë dhe nuk e kuptova menjëherë, bija ime, – nxitoi baba me folë dhe shpejt e shpejt ndezi një cigare.
Iu hodha në qafë dhe ndjeva shumë dhimbje për babën që ndihej fajtor!
Çdo ditë i rrija afër, dhe për çdo ditë e doja akoma më shumë. U krijua një lidhje që asgjë në botë nuk do ta shkëpuste dot.
Gjersa një ditë nëntori të 1977 – ës ma arrestuan!
Një dhimbje në kraharor ma zinte frymën prej mungesës së tij, e unë sillesha nëpër shtëpi duke e kërkuar në gjithë qoshet e saj.
-A do ma kthenin babën të gjallë?
Kjo frikë më torturonte çdo minutë!
Në shkollë filluan të më përbuznin të gjithë.
Mësuesja e gjuhë – letërsisë më nxori përpara klasës duke iu thënë të gjithëve se babai im ishte armik i popullit dhe unë bija e tij nuk meritoja të kisha shoqe dhe shokë, madje as duhej të shkoja fare në shkollë po të ishte për té.
Unë fëmija i pafajshëm nuk isha e denjë të jetoja jetën e një fëmije!
Përbuzja dhe vetmia tashmë ishin “shoqet” e mia të përditshme ku gëlltisja lotët, e kisha filluar të mendoja se vetëm prej lotit isha përbërë, e vetëm loti do më rriste!
Më pëlqente shumë të këndoja dhe i vetmi mësues që më përkrahte ishte ai i muzikës, ku me dëshirën e tij, merja pjesë me zërin tim të bukur në ansamblin e pionerëve.
… Atë ditë që do zhvillohej Festivali i Pionerëve, një nga mësuesit më tërhoqi për dore duke më thënë se ky nuk ishte vendi që më përkiste.
Zemra m’u shqye prej hidhërimit dhe u mbyta në lot, duke mos pasur fuqi as të kundërshtoja!
Me kokën ulur, shihja shoqet e mia që dukeshin të kënaqura dhe pyesja veten:- Ç’faj kam bërë?
I vetmi gëzim dhe e vetmja gjë e bukur ishte koha kur ulesha të shkruaja letra për në burg.
-O Zot sa më ndriste shpirti kur merrja penën dhe shkruaja fjalën e parë- i dashur babë!
Sytë i tretja larg e mendoja gëzimin që baba do ndjente kur lexonte letrat tona. Po ashtu edhe kur prej burgut të tmerrshëm arrinin letrat në shtëpi dhe unë vrapoja t’i merrja, e hapja me një frymë dhe e lexoja aq shumë herë sa e mësoja përmendësh.
-Ah sa shumë nevojë kisha me u mbështetë te krahët e tij!
Doja ta kisha pranë e të më mbronte prej gjithë atyre njerëzve të këqinj që më merrnin për këmbë e shpesh më torturonin si dëshironin.
-E kush të më mbronte?
Sytë e mi e kërkonin babën edhe në gjumë!

Pse i fsheh duart ashtu babë? – pyeta me lot ndër sy në atë dhomë të ftohtë të ngushtë që të zinte frymën.
– Asgjë nuk kam, të pastë baba, – tha ai dhe uli me shpejtësi mëngët e xhaketës doku ngjyrë bojë kafe duke mbuluar sa më shumë kyçet e duarve, por ky xhest nuk arriti të mbulonte qelbin që rridhte nga kyçet e duarve gropë prej hekurave dhe torturave.
Mbulova sytë me dorë nga tmerri dhe lotët më rodhën çurkë, e më vinte të ulërija fort, por polici që mbikqyrte nuk na e hiqte shikimin asnjë çast dhe frika se mos bënim keq babës, na mbyllte gojën.
M’u shkallmua zemra prej dhimbjes dhe ashtu e vogël siç isha nxora një shami prej xhepit dhe ia dhashë me frikë.
-Fshihu babë se je bërë pis – fola përmes lotëve!
-Kurrgja nuk kam bija ime, kurrgja – tha ai me sytë e mpirë prej lotit!
-Kaloi pesëmbëdhjetë minuti – tha me zë të egër polici!
-Amanet mësoni në shkollë, e mësoni sa më shumë anglisht – tha baba duke shtrënguar dhëmbët prej dhimbjes së ndarjes me ne.
Gjendeshim përballë tij pas një rruge të gjatë të mundimshme dhe bashkë me çantat me ushqime mbanim dhe ankthin se a do t’i pranonin të gjitha ato çfarë kishim marë apo jo, dhe kjo ishte shumë gjë e rëndë për ne.
Frika dhe ankthi i asaj rruge për të arritur deri në atë majë mali nuk na ndahej edhe kur arrinim në shtëpi.
Asgjë nuk më ndihmonte të hiqja nga sytë dhe mendja ato çaste takimi me shenja nga më të ndryshmet në fytyrë.
-Oh sa e doja babën tim, aq sa në muret e shtëpisë kisha ngulitur thellë zërin e tij për t’ia përcjellë atyre orëve gjatë ditës, të cilat ishin të mundimshme me punët e shtëpisë, unë fëmija dymbëdhjetë vjeç, i vetëm, i vrarë, i rrit para kohe, unë “vajza e babës” siç më thërriste ai.
Në ditët e caktuara të atyre takimeve, një natë të tërë nuk flija me mallin në sy, se do ta përqafoja, e kur gjendesha para tij, takimi mbaronte aq shpejt sa nuk e kuptoja, a e kisha përqafuar mjaft sa duhej?!
Fillova ta ktheja jetën time të mbytur në trishtim në një dëshirë të vetme, ikja!
-Po ku të ikja?
-Ku mund të shkoja që mos të vuaja kaq shumë?
-Kush do mbante një fëmi 12-13 vjeç?
Vite të tëra jetova burgun e babës të lidhur me burgun e jetës që jetoja.
Askush nuk kishte sy të shihte se çfarë isha unë, çfarë doja, çfarë mendoja, e të gjitha këto i derdhja në gjithë dyshemenë e shtëpisë së shtruar me dërrasa, dhe unë i laja çdo ditë derisa ngelesha pa fuqi.
Askush nuk më përkëdhelte, sepse unë isha vajza e babës, dhe babën e kisha larg, shumë larg të mbyllur mes torturave, ndërsa në shtëpinë me dy kate të trishtë dhe pa dashuri ishte dhe vëllai i vogël, bashkë me nanën.
-Ahhh, – nana!…

Babë ëëë, – bërtita sa kisha në kokë atë mbasdite të dhjetorit të ’86 kur ra zilja e derës dhe vrapova në dritare të shoh se kush ishte.
U turra si e çmendur, hapa derën duke i kapërcyer shkallët dy e nga dy, u hodha fort në qafë e fillova të qaja nga gëzimi dhe nuk u besoja syve që përpara meje qëndronte baba im!
Në trup akoma rrobat e burgut dhe në krah një thes plastmasi ku ishin mbledhur enët plastike gjatë viteve të burgut.
Shumë i dobët dhe i tjetërsuar në fytyrë, i lodhur nga rruga e gjatë, i munduar që mbas shumë vitesh nuk ishte në gjendje të gjente rrugën drejt shtëpisë, baba tregoi se kush e kishte ndihmuar për të ardhur në shtëpi.
Qaja pa pushim nga gëzimi, dhe ndërkohë mendoja se kurrsesi nuk duhet të ndaheshim më. Prekja shenjat e torturave në fytyrën e tij plot plagë dhe të lodhur dhe zemra më coptohej.
Kaluam ditë e net së bashku duke i treguar se çfarë më kishte ndodhur gjatë gjithë atyre viteve.

Vetmia, përbuzja dhe mundimet e mëdha të cilat nuk ja kisha treguar asnjëherë në vitet e burgut, i vranë shpirtin babës duke i dëgjuar prej gojës time.
Zemërimi i mbulonte sytë dhe bërtiste me mllef edhe kundër nanës e cila nuk kishte ditur kurrë të më dilte për zot por përkundrazi ishte pjesë e asaj dhimbje që rritej bashkë me mua.

-Të pastë baba, mos i trego kujt përjashta – fillonte tregimet e tij të burgut baba.
-Askujt bija ime sepse më futin përsëri brenda për këto që tregoj.
Çdo natë baba tregonte, e unë betohesha se kurrë nuk do hapja gojë për çka dëgjoja.
Ato ishin tmerre që shumë prej shokëve të babës nuk i kishin mbijetu.
-Çfarëdo që të ndodhi, bija ime, ti kurrë nuk duhet të harrosh, po ta lejë amanet!
Ditët dhe vitet kalonin me shpejtësi dhe mbërritëm në vitin ku ra muri i Berlinit
Baba ishte njeri optimist dhe kishte shpresa të mëdha për të ardhmen!
Gjithsesi edhe pse një trup i lodhur vuajtjesh ai u bë dritë për t’u gjendur krah për krah në ëndrrën e madhe të një demokracie, e cila shumë shpejt do ta zhgënjente atë dhe shumë si ai.
Disi më ndryshe rodhi dhe jeta ime me babën në krah.
Tani kisha kush më mbronte!
Por fati nuk është asnjëherë në anën tonë, ndaj dhe jeta na rrënoi gjer në palcë, dhe askush nuk u dënua fajtor për këtë.
Në grevën e urisë baba ishte nga të parët që mori pjesë dhe gjendja e tij fizike u përkeqësua tej mase. Frika se mos ikte sërish filloi të më mundonte nga e para!
Shumë gjëra të cilat në burg as nuk i kishin imagjinuar ishin padrejtësi siç i quan ai dhe pasojat do t’i ndjenim shumë shpejt.
Gjatë kësaj kohe unë ika nga Shqipëria dhe emigrova për një ëndërr të lirë, duke filluar kështu jetën nga e para mes një mijë vështirësish të cilat gjithsesi i lidha me emrin tim, me thelbin gjer në kockë të lindjes.
Me vdekjen e babës mori fund gjithçka që unë kisha ndërtuar me të!

***
-E kupton pra mike e dashur se jeta fillon nga emri?
Tunda kokën e menduar dhe mbasi e falënderova për besimin që më dha duke vënë lakuriqësinë e dhimbjes së saj për ta bërë publike, pëshpërita e mbytur në lot për gjithë shkronjat e emrit të saj.
– Dikush duhet të shkruaj për të treguar se fëmijët e Spaçit, Qafë-Barit apo të të gjitha burgjeve të persekutimit komunist, mbajnë në shpatullat e tyre jetët e hidhura lidhur me fjalën DHIMBJE!/kujto.al

Nga cikli – Fëmijët e Spaçit

Shënim: Historia eshtë rrëfyer nga Dolores Ernesto Kraja dhe është përgatitur nga Mimoza Leskaj!

——————————-

Lexo edhe:

Tronditëse: Tragjedia e gruas shtatzënë që e pushkatua nga regjimi komunist…

ObserverKult