Nga Albert Vataj
“Kur dashuria mungon, shpirti u zbraz trupave zjarrin”. Ndoshta ngjet shumë mizore ky definicion, por ballafaqimi me faktin është shumë më i pamëshirshëm. Fatkëqinj janë partnerët, por më e trishtë se çdo dhimbje që kafshon kurmet e dy krijesave që janë gati të bëjnë gjithçka për të merituar më shumë, është dashuria.
Kjo ndjenjë hyjnore vjen, kokëulur, e nënshtruar dhe e përbaltur në altarin e dlirësisë dhe përkortjes. Askush nuk mund ta parandalojë këtë dimër të acartë.
E vetmja gjë që i mbetet të bëjë është të përgatisin trupin dhe shpirtin për këtë ndëshkim. Intimiteti për ta është më pak se një një komunikim mes trupave që kërkojnë të gjejnë domosdonë e shkëmbimit mes gjithë kësaj zbraztësie që i gllabëron.
Dhe vjen një ditë që ata lodhen. Shpirtrat e tyre të drobitur nga nata e gjatë rrebelohen. Kërkojnë dhe ia dalin në këpusin vargonjtë e kësaj robërie dhe nisen në një rrugë të gjatë dhe plot të papritura për të gjetur çfarë atyre u ishte mohuar.
Sa më shumë që e tashmja e tyre lejon t’i shkulen mpleksjes prej atij tabani të ashpër, aq më shumë ngrohtësi i mbështjell kurmet e tyre të mermertë. Flenë dhe zgjohen ku gjithçka është e panjohur për ta.
Toka e butë e vesa e njomë i ledh gjurmët e tyre të ndrojtur. Drita i shquan gjithnjë e më shumë, por dielli e ka të vështirë t’i ngrohë. Bari i njomë e aroma e luleve i thërret ata në një kopulim trupash e ngërthim forcash.
Pijnë prej këtij nektari për të shuar një etje që veçse ndizet më keq. Preken, puthen, penetrojnë në njëri-tjetrin duke provuar çfarë është diçka që kurrë nuk i kishte lejuar të besonin dhe ndjenin.
Dalldisja i merr përpara si përmbytja dy trungje të mbetur filliak. I merr dhe i flakë sa këndej andej në pafundësinë e një dëshirimi të epërm epshi dhe dashurie. Ata nuk e dinë se çfarë po ngjet, por diçka qiellore i ka marrë në krahë dhe i përkund.
Shpesh frika se po jetojnë në ëndrra i zgjon, e ashtu të tromaksur u duhet pak kohë të përmenden.
Pas pak trupat e tyre nisin e dobësohen, ylli i këtij qilli nis të shuhet, duke i lënë vendin një terri pus dhe cingëritjen e acarit që u bie përsipër si një mantel mjegulle.
Diçka e ka prishur këtë ceremoni llamburitëse ndijimesh dhe përjetimesh të ethshme epshi. Ata nuk duan të besojnë se ëndrra e tyre ishte kaq e shkurtër. Gjithçka që ngjet i shtyn të kthehen nga kanë ardhur. Ajo shpërbërje trajtash dhe zbrazje ngjyrash, terratisje hijesh dhe kafshim heshtjeje, i ngjet atij dëbimi prej Edenit biblik.
Marrin trupat e zvargur e gjurmët që rrëshqahen dhe ikin atje ku dimrat janë të gjatë dhe natat mbrujtur në hijet më skërmitëse të territ. Ikin duke mbajtur të strukut thellë në zemrët e tyre të ngurtësuara shkëndijën e atij zjarri që u mësoi atyre se çfarë ishte dashuria, por nuk mundi dot t’i gatiste shpirtrat dhe kurmet e tyre për të jetuar dritshëm diellin e pasionit, dashurinë.
ObserverKult
Lexo edhe: