U gjindëm nji ditë të dy njaq ngat, njaq sa fryma m’frymonte në frymën e saj, njaq sa syt, shkreptinin n’detin e dhanun tallaz, ishim njaq ngat, sa me mujt me e ndigjue shkulmin e kurmit mishit qi epshëm i kridhej në zjarm.
N’kyt tërbim e trazim gjimueshëm n’zemër e gjak, hutimi, ngurimi e cytje me ngulm, u epëm pa ja da t’anshmeve dëshirime, syt, syt prekën tue u dridh tulin e hepuem t’buzëve, buzëve qi epshi i kuqlonte, me adh, tue i kall.
U epëm n’kyt çast pror, si pend sfinksi, nderej mbi prush, dhe… ngulmueshëm e rrëmbeva kryet e saj, qafën qi i’u kput, mbi mua u prarua si nji han, gishtat i’a ngërtheva rrëmbyeshëm mbi floknajë, t’mijat buzë i’a ngjesha ngulmueshëm mbi buzët e saj.
I’a nduka me zjarm e afsh t’lumet buzë, shpuzë, t’amlat buzë, qi njaq fort andës po mi hidhnin prush, dhe t’mija buzë kafshonte ajo me huj, u puthëm, u puthëm hujshëm e mujshëm… s’di se sa.
Pambarim i’u dhamë atij ngazëllimi epshi, n’hy blatue njaq, sa edhe tash… n’buzt e mia e ndjej zjarmin e buzëve t’saj, përskuqjes s’hepueme qi struket e djeg, nën hinin e atij çasti që e kallën ato puthje, ai purtek.
Ndalëm s’di se kur njat turr me huj e újë, tue lan, sa shumë eshkë e etje në buzë, e harruem me u pa në sy t’përshkënditur Vezuv, heshtëm, ndonji fjal s’xumë mes vedi me than, me buzët e shkrumuna, n’zjarmin e epjes s’mbram.
Ndërmendem se munda me than vetëm një fjalë, kurrnji ma shumë jo, vetëm nji… m’fal!
Atëditë e sot tue kafshu n’buzt e mija puthjen e saj hala ndihem i xanun n’faj.