Mark e Ndue Prenga (Gjeta) ishin të mitur kur në Shqipëri e morën pushtetin komunistët. Babai i tyre, Gjetë Vokërr Prenga, të cilin nuk e mbajnë mend, u vra në luftë në rezistencën ndaj komunizmit. Xhaxhai Gjon Gjeta u vra në kufi me Jugosllavinë në vitin 1948. Xhaxhai tjetër, Zef Gjeta, që ishte në atë kohë kryetar i bashkisë Shkodër, e arrestojnë e dënojnë me 20 vite burg, ndërsë dy djemtë me motrën, Dila, nënën, Prena, gjyshen Mrika (mbesë e Gjon Markagjonit) e gjyshin Gjeta, i degdisin në internim, në fillim në Lezhë e më pas në Berat.
Ua djegin kullën dhe u konfiskojnë gjithë pasurinë.
Marku e Nduja besojnë se janë me fat që nuk i çuan edhe në kampin e Tepelenës, ku përfunduan gjyshi dhe gjyshja. Ata i kthyen bashkë me nanën e motrën në fshatin Petoq në Mirditë, ku në rrënojat e shkrumbuara të kullës gjetën vetëm stallën e lopës, ku jetuan për afro 6 vite pranë bagëtive deri sa e bënë një shtëpi në themelet e djegura. Jeta do të ishte e vështirë për ta me luftën e klasave, ku askush nuk u fliste me gojë, por xhaxhai me gruan Margaritën, që u kthyen nga internimi në fshat për të jetuar me ta ua bënë më të bukura ditët. Një njeri i ditur, që fliste 4 gjuhë të huaja, ai i mbajti afër dhe i mësoi fëmijët e vllait të vrarë. Zefi e ngrysi jetën duke ruajtur bagëtitë në fshat.
Dëshmia e plotë e vëllezërve Mark e Ndue Prenga:
Marku: Në fund të 1944 ka filluar kalvari i vuajtjeve për familjen tonë. Na është vra baba, na është djeg shpia. Babën e kanë qujt Frrok Gjeta, axhat Zef Gjeta dhe Gjon Gjeta, gjyshin Gjetë Vokrri.
Në fund të shkurtit të 1945, na kanë djeg shtëpinë dhe kanë çuar në burg axhën Zefin dhe gjyshin. Na lanë tek ca fshatarë të zonës dhe pastaj na kanë internuar në vitin ’46, në fillim në Lezhë e pastaj në Berat.
Në Berat kemi gjetur një mikpritje të shkëlqyer. Aty kam mësuar gërmat e para afër portës së pashait në shkollë, edhe sot e kujtoj mësuese Lenën.
Kemi nejt deri në fund të ’48-ës dhe në 49’-ën gjyshin e gjyshen i internuan në Tepelenë. Erdhën me na internu krej, po kryetari i këshillit të asaj kohe ishte Zef Dod Pjetri. Ai ndërhyri dhe ne na lanë, ne dy vllezërit, motrën e nanën.
Gjyshin e gjyshen i morën deri në fund të ’50-ës dhe pastaj i liruan dhe u kthyem në Mirditë, po s’kishim shtëpi se na e kishin djeg dhe rrinim në një vend, ku kishin mbajtur lopët.
Gjyshin e varrosëm në 62-in, ne u martuam dhe në ‘67’-ën filloi përsëri kalvari i persekutimit. Ne nuk mund të shkoshim askund, as në dasëm, as në mort, askush s’na fliste me gojë. Gjyshen e kemi varros ne të dy dhe një mik e një shoq, s’kemi pasur tjetër njeri. Në vitin ’68 na ka ardh axha prej internimi bashkë me gruan e tij, e motra e Pashko Gjergjit, profesorit, dhe jetuam me axhën deri në 1987, kur e varrosëm.
Çfarë kujtimesh keni nga internimi?
Beratin e ka bekue, në krahasim se çfarë është parë në Tepelenë. Kur shkonim ne fëmijë në Pazar, na jepnin ndonjë mollë, ndonjë zerdeli, ndonjë vesh rrush, ishin bujarë. Kurse pas 67’-ës, ka qenë tmerr i madh se gjë më të keqe kur shoqi kishte dasëm dhe ne ishim izoluar aty brenda. Gruaja e këtij vllait e kishte babën kryetar kooperative, po nuk ishte e zonja as me shkue, as me ardh.
Flet vëllai tjetër, Ndue Prenga:
Në Berat, na çuan në një shtëpi 2-katëshe. Poshtë ishte han, sipër ishim 6 familje. Ne ishim me familjen e Dod Bibë Palocajt, flinim në një dhomë. Atje në dhomën tjetër ishin 2 gratë të internuara me fëmijët e Frrok Mëlyshit dhe Nikoll Gjonit. Andej ishte bajraktari i Lurës. Aty më kujtohen gratë e veshura në të zeza. Çdo javë dhe çdo muaj vinte lajmi se u vra një pjesëtar i familjes dhe nisnin e qanin.
Unë isha i vogël e më kujtohet që i shkoja nanën; nanë du bukë e ajo më thotë; kur të hypë hoxha në minare se kishim nëj xhami aty afër, se s’kishte ku me e marr ajo dhe na gënjente kështu.
Ç’është e vërteta kanë hequr keq nana dhe motra e vogël 13-14 vjeçe se shkonin në malin e Shpiragut dhe merrnin dru mbi shpinë që ta shisnin gjysëm napoloni me na ble bukë ne. Kuptohet si në internim se çfarë kemi hequr. Ata beratsit e kulturuem po s’kishim çfarë me na ba. Ne s’kemi hequr keq aq sa nana e gjyshja, ato kanë nejt pa hangër me na rrit ne.
Kur erdhëm te shpia e gjejmë të djegur e të bastisur. Edhe pjatat e gotat që kishte sjellë axha nga Tirana e prej Shkodrës i kanë marrë krejt i kanë konfiskuar. Na kanë marrë qetë, 100 dhi, na kanë marrë mushkën. Atë mushkën e mbaj mend se ishte 6 orë me ec në këmbë nga fshati ynë në Shpal të Mirditës dhe ne na hypnin në mushkë.
Ne si familje, gjyshi dhe vëllai i gjyshit kemi 5 të vdekur nga komunizmi. Një djali i kushëririt tonë ka vdekur 13 vjeç nga malaria në Lezhë. baba im i vrarë, axha i vrarë, dy kushërinj të vrarë, axha tjetër 25 vjet internim dhe burg dhe plus lufta e klasave që kemi kalue.
Vitet ’50 kanë qenë tmerr në Mirëditë. Aty është bërë raprezalje, pushkatim pa gjyq.
Nuk kishe ku me fitue asnjë lek, çfarë të bënim vetëm me lopën e dhinë, bukën se prodhonte toka, shkonte gjyshi nga Kukësi me marrë hua. Kënaqeshim kur vinte buka e thekrit apo elbit.
Sa për axhën, ai ishte nip i Gjon Markagjonit. Bëri gjimnazin e jezuitëve në Shkodër, pastaj mbreti Zog e bashkoi këtë gjimnaz me atë të françeskanëve dhe aty ka marrë maturën. Ka dalë me 4 gjuhë të huajave, kishte profesor të gjuhës e letërsisë Ndre Mjedën.
Atëherë është bërë sekretar i gjykatës së shkallës së dytë dhe sekretar i gjykatës së lartë. Ka bërë shkollën për oficer, është regjistruar në juridik në Firence me korespodencë, është bërë inspektor i bashkive dhe në ’42 është bërë drejtor i parë politik i ministrisë Punëve të Brendshme, par si drejtor i Sigurimit të Shtetit të asaj kohe, në vitin 43 ka shku inspektor i bashkive Shkodër, Pukë, deri në Prishtinë. Atëherë ka vdekur kryetari i bashkisë dhe ai është bërë kryetar bashkia deri në vitin 1944.
Axha tjetër doli në mal, baba u vra, familja e Gjonmarkajt u vranë, po ky nuk lujti. “Unë, tha nuk kam ku me shkue”. Na tha se kur kam dalë para gjyqit pretenca ishte se unë kam bërë krime e të gjitha. Po kryetari i gjykatës më lejoi kur i bëra një pyetje; a do të përgjigjem cfarë kam bërë unë apo çfarë ka bërë Mirdita dhe daja im. Jo, i tha përgjigju veç për vete’. Nga 30 vite që ishte pretenca gjykata i dha 20 vjet. Në korrik ’59 na çoi letër ku thoshte se jam i shtrënguar të jetoj në një qytet më të largët. E kuptuam Ka ardhur në Lushnje dhe ka jetuar 10 vjet në Savër.
Po xhaxhait tjetër çfarë i ndodhi?
Xhaxhi i vogël u vra, u elemnua në kufi të Jugosllavisë, 45 burra, bashkë me Bilal Kolën.Dolën në kufi ishte fundi i ’48-ës kur nuk ishte prishur me Jugosllavisë, po i kanë eleminuar sigurimi i shtetit bashkë me ata.
Ky xhaxhai na tregoi një rast. Isha drejtor i sigurimit dhe karabinierët e bllokuan Enver Hoxhën dhe më kërkuan një akt arrestimi. Ai ishte tek Bahri Omari, që e kishte burrin e motrën. Dhe unë mendova si kam me ia bo unë këtë mikut tim, ti arrestoj vëllain e motrën. mendova nga burrëria dhe nuk e hodha fletë-arrestin. Po ai e pushkatoi burrin e motrën, ja ky është Enver Hoxha.
Si shkoi jeta juaj pas internimit?
Ky (Marku) ka bërë 2 vjet në Berat, unë bëra 7-vjeçaren, më vonë pas 15 vitesh doli kjo shkolla me shkëputje nga puna për ekonomik. Më thanë shokët hajde Ndue shkojmë në Kukës dhe vazhdova unë 1 vit shkëlqyer.Më raportuan dhe më hoqën nga puna dhe më penguan shkollën. Kam ik në Gole të Kukësit e Mal të Zi me fillu punëtor në gjeologji. I thashë axhës a ta vazhdoj shkollën, më tha; një herë të la pa punë, po mund të të hajë dhe kryet.
Gjëja më e zorshme për ne ishte se po na fusin në burg e më bëjnë me dal dëshmitar kundër axhës. se çfarë po na bënin ne, do na çonin në Spaç, i ri isha.
Ne për fat, as axha dy herë nuk është arrestua dhe as ne nuk na kanë provoku. Se si ka qenë kjo se di, madje kur mendoj se kanë ndodh ngjarje nga më të ndryshmet me dalë djali babës etj.. Ç’është e drejta familjen më të fortë, që ishte e partisë, e kishim tonin nga nana, se e kishte kushëri. Kjo na shpëtoi. Ndoshta na e falën, se shokët e mi janë futur në burg nga 2-3 herë. Ky mjeshtër dhe unë gjysëm-mjeshtër s’lamë punë pa bo, ndreqim kulla, ndreqëm shpia. Edhe nga kooperativa arritëm të shkëputeshim, ruajtëm bagëtitë.
Nëse ju pyesin nipërit e mbesat; çfarë ishte komunizmi, si do i përgjigjeshit?
Marku: Amanet; mos i besoni asaj fryme se është fryma ma gjakatare, ma e pabesë, ma rrenacake që ekziston në botë
Ndue: Frika është akoma e gjallë në këto momente për arsye se ai regjim është mbajt në dy kollona; në propagandën dhe sigurimin. Edhe sot fatkeqësisht është mbështet mbi propagandën./kujto.al