Militantizmi dhe indiferenca
Kur lind nji militant vdes nji njeri. Militantizmi asht uniforma që veshë marria kur rekrutohet. Tek ne ma së shumti ai asht politik. Militantizmi asht mbyllja hermetike ndaj çdo arsyeje që kundërshton dogmat e kapos; zakonisht kjo sëmundje ban që truni të kthehet o në nji pelte pa formë që lëviz si kandili i detit tue djegë këdo që t’i afrohet, o në nji koc të fortë që as thehet as kalbet, mbrenda të cilit nuk hyn, as kontrabandë, nji mendim i vetëm. Zakonisht militanti i mirëfilltë gjysmën e kresë e ka vetëm për me krijue formën sferike të kësaj pjese të trupit. Gjanat e mira tek ai janë si gabimet e shtypit, rrallëherë losin ndonji rol të madh.
Nga Ardian Ndreca
Cilado kauzë, sado madhore të jetë, kur përfundon në gojën e militantave zbehet e vyshket, era e qelbtë e shpirtit që kundërshton edhe vetë evidencën e fakteve ka nji fuqi të mbinatyrshme, ajo mban gjallë do kufoma që shkojnë tue ndotë çdo fjalë e çdo emën që marrin nepër gojë.
Anmiku ma i madh i militantit asht arsyeja dhe realiteti, prandaj ai ban ç’ban e del prej tyne. Korja e trunit të tij asht si zhguell breshket, nuk e shpon mirësia e as nuk e freskon dija. Mendja e topitun endet pa cak tue gjuejt me shigjeta të helmatisuna faktet sovrane. Arsyetimet e militantit janë si kollitjet e nji tuberkulozi, nuk asht për me pasë kureshtje me pa se çka del me to.
Militantizmi nuk gjen paqë, ai endet si shpirt i keq, mes konvulsionesh dhe halucinacionesh, tue u mundue me e nxi të bardhën, pse kjo asht e vetmja mënyrë që askush mos ta dallojë ma kontrastin mes të kundërtave. Militantizmi asht sëmundje infektive e qenjeve me gjak të nxehtë, ai asht ekuivalenti i tërbimit tek kafshët. Kur sheh krijesa që vuejnë me ketë patologji politike mendon menjiherë se nji qen i madh, pararendës i çdo tërbimi i ka kafshue e tash të mjerët sillen si të ndërkryem pa gjetë paqë, tue lehë e tue lëshue shkumë prej cepave të buzëve të frangjisuna prej mallkimeve që lëshojnë pa pra.
Ata pak vetë që shpëtojnë shëndosh prej kësaj lëngate zhvillojnë nji imunitet e sapo ndiejnë ndokend tue lehë, qoftë në ndonji foltore parlamentit, qoftë në tavolinën e ndytë të ndonji qebabtores, largohen me neveri të pathanshme.
Indiferentizmi asht sindroma e atyne që nuk kanë asnji kujdes për vetveten. Indiferenti kryet e ka vetëm për me dijtë se kah e ka të mbarën, por e mbara nuk i prihet kurrë, mbasi ai nuk ka asnji interesë. Vetë fjala inter-esse don me thanë “me qenë në mes”, pra me qenë i primë, i drejtuem dikund. Indiferenca asht paraliza e qenjes e kështu që kjo nuk i përket ma askujt.
Shpirtnat e topitun, që s’kanë asnji interesë me i ndryshue gjanat janë aleatët ma të mirë të tiranëve e t’atyne që mbysin çdo afsh lirijet. Indiferentizmi ka nji veprim të bindshëm tek njerzit: rruzat e kuqe të gjakut shndrrohen në guraleca, goja mbushet me brumë, sytë e humbin shkëlqimin e bahet si të ziem në voj, lëkura bahet e pandieshme si me e qenë e lyeme me zift, zakonisht ata janë shurdha si gjarpnij, zemra u kumbon aq sa mundet me kumbue nji gur në llomshtinë.
Indiferentizmi rrit njerëz të vegjël, të mnershëm si xhuxha e gopça si kulshedra që përtypin me dy bulshij çka t’u dalin përpara. Përreth mundet me ndodh gjithçka, me ra zjarrmi, me përmbytë uji, me rrafshue termeku, me ra lëngata, por indiferentizmi nuk lot vendit. Ai asht njikohsisht faji dhe ndërshkimi, asht nji vdekje e ngadaltë dhe e përditshme e çdo gjaje të mirë që ka shoqnia njerzore.
Indiferentizmi shkatrron neuro-përçuesit, tue e ba të pandjeshëm subjektin nga ana afektive, tue ia shkurtue frymëmarrjen dhe dëshirën me jetue i lirë; indiferenti jeton i anestetizuem, jeta e tij asht si nji pikëçuditëse që zgjatet në pakuptimësí. Indiferenti meriton plotsisht gjithçka që i ndodh në jetë.
***
Militantizmi dhe indiferenca janë dy skaje të kundërta, dy sëmundje që reshtin me vdekjen metaforike të vetë pacientit. Kur “vdes” nji militant a njiindiferent lind nji njeri.
Ndoshta edhe për ketë ka këndue Poeti uragan:
“Të lindet nji njerí
i madh si madhní
dhe ndërgjegjet tona t’i ndezi në dashní”.
Deri tash kemi kundrue njerëz që vdesin, por jo njerëz që lindin gjallë.
ObserverKult
Lexo edhe:
ARDIAN NDRECA: ERNEST KOLIQI S’E KA MOHUE KURRË TË KALUEMEN E TIJ, E KA DASHTË ATDHEUN…