Luan Rama: Të gjitha gratë e dashuruara janë të bukura

Luan Rama: e dashuruar

“Të gjitha gratë e dashuruara janë të bukura”
më tha një ditë një plak
“Si mund të jetë ndryshe – iu përgjigja,
nga Sulamit tek e dashura më e re
gjithë dashuritë që lindin përkundin botën
e në fund si diej zhyten e përflaken në det
duke ngjizur të tjera jetë.

Dashuria tyre agimet i bën më të bukura
të kaltrën e qiellit më të thellë
të gjelbërtën e pllajave, të madhërishme,
dhe po kështu okrën e diellit mbi sy,
një sonatë diellore e zjarresh
përqafuar nga krahë shiu,
njëmijë harqe për Orfeun
dhe një violonçel nderur në fllad
si një shami nusërore që veç endet s’dihet ku,
e ëmbël kjo dashuri
për të ngrohur shpirtra të tjerë
të dhimbur, të heshtur,
harruar në zinë e vetmisë.

Ju shpirtra të bukur që të dashurit i ktheni në shenjtë,
ju kortezhe të mrekullisë dhe mistikës lëvduar nga poetët,
ju buzë të kantikave më të bukura biblike
të njomështa, qershiza që pikojnë,
ju jepni veç shpresë dhe shtroni rrugë
për dashuri vajzash të reja,
shegët tuaja hapen ngadalë,
të kuqe kardinale që rrjedhin musht,
duar të padukshme ju ngrenë lart
si tu tregojnë Zotave më të ëmblën dashuri,
më të hirshmen,
e denjë për altarin e kantikës së kantikave.

Të gjitha gratë e dashuruara janë të bukura
të përkorat gra me aureolën e dashurisë,
me gjinjtë e bardhë me aromë qumështi
që hepohen lehtë në koncertin e madh të pranverës
ku “Endërrimtarja” e Hendel i ngre në ajër
në lëndina që nderen në qiell
dhe ju ktheheni në ëngjëj të bukur përhumbur në dashuri,
sa hire e nure mbi tokë,
pikturuar me dora e një Botiçeli, Ticiani, Modiliani,
të bukura gjithnjë, flokë pushpurisura kudo e në çdo kohë
në brezare e fusha të dëshirës,
në shtretër të drunjtë fshatrash të largët,
mbi çarçafë të bardhë të botës alpine
mbuluar e zbuluar nga afshet e përgjërimit.

Ju gra të dashuruara që rendni si sorkadhe
veç zogj ju ndjekin
tek rrahin flatrat në delir,
ju krijesa të mallit që gjithnjë nxitoni
drejt shesheve të dashurisë,
nën strehëza mjalti,
lëshuar e shtrirë si lotuese
për t’u puthur gishtërinjtë dhe këmbët,
supet, ijet e barqet,
nenyfarë ëndërruar nga Monet
në pritje të gëzimit sublim
në përhumbjen e trupit dhe portat hapur
duke harruar perënditë:
kështu dhe ju vetë ktheheni në hyjni.

Të gjitha gratë e dashuruara janë më të bukura
se statujat e xhveshura të antikitetit
Praksiteli do të zgjohej i mahnitur nga dashuria juaj,
pasi gjaku juaj i nxehtë nxiton
gjer në buzët tuaj të hapur e të purpurt,
gojë më gojë
e frymë më frymë,
gjinjtë ju fryhen nga limfa e epshit dhe dëshirës
si në sytë mbyllur të Madalenës,
të gjitha jeni të bukura ju gra të dashuruara,
punëtore të tokës, mjelëse, rrobalarëse,
zonja të penës, artit, shkencës,
njëlloj të bukura përshkëndritur nga dashuria
tek lëshoheni e shtriheni duke humbur kujtesën.

Po, i dua të gjitha gratë e dashuruara
cilatdo qofshin,
dua të purpurtën e shpirtit të tyre,
gjakun që rend dhe britmën e lehtë të gëzimit,
dihatjen e ekstazës,
dua ecjen e shpenguar dhe fustanet e hapura
që tunden në fllade dashurie,
ashtu të dashuruara
kthehen në shpendë mitikë e hyjnorë
mbi çatitë e botës,
shkojnë, dehen e kthehen,
duke harruar se çfarë dite e stinë është,
në sytë e tyre bota të shfaqet ndryshe,
reflekse në njëmijë pasqyra
me diej të nxehtë që të drithërojnë
dhe hëna që shkëlqejnë si liqene të argjendta.

Të bukura jeni gjithnjë ju gra të dashuruara
që në gjenezën tuaj!

ObserverKult

Lexo edhe:

LUAN RAMA: E VERDHA ËSHTË NGJYRA E ATYRE QË TRADHTOJNË