Inxhinieri i njohur, Vladimir Agalliu, (anëtar i Bordit të Shoqatës Shqiptare të Inxhinierëve Konsulente) rrëfen miqësinë me eruditin Moikom Zeqo, të ndarë nga jeta mëngjesin e së hënës që lamë pas, në moshën 71-vjeçare.
Ai tregon njohjen me të gjatë viteve studentore në Tiranë, duke theksuar se Moikomi që në rini dallonte ndër të tjerë, duke sjellë në vëmendje parashikimin e publicistit LLazar Vero për të. “Do të bëhet ‘kokë e madhe’”, i patë thënë nën zë.
Po ashtu, Agalliu flet për një Moikom jo vetëm të pasur me dije të gjithanshme, por edhe kurajoz në momente kyçe. I pranishëm gjatë Kongresit të 10-të, ai rrëfen kritikat që shkrimtari i bën Nexhmije Hoxhës për disa ndërhyrje, që sipas tij i tejkalonin kompetencat e saj dhe se si u duartrokit në sallë për guximin.
VLADIMIR AGALLIU
Ndarja e parakohshme dhe kaq e papritur nga jeta e Moikomit, më nxiti të shpreh publikisht disa nga mendimet e mia për këtë figurë të shquar. E kam njohur qysh në fundvitet ’60, kur ishim në vitin e dytë të studimeve në Universitetin e Tiranës. Ai në Fakultetin e Histori -Filologjisë e unë në atë të Inxhinierisë.
Na prezantoi për herë të parë miku dhe shoku ynë i përbashkët, Llazar Vero, që po ashtu në atë kohë ishte student e shok kursi me Moikomin. “Ladi, njihu me këtë shokun tim nga Durrësi”, më tha. Dhe ne, pasi u prezantuam, shtrënguam duart.
Pastaj si pak mënjanë e nën zë, por me seriozitet, Llazari më tha: “Do bëhet kokë e madhe ky”.
Unë i besoja fjalëve të Llazarit dhe kjo frazë më mbeti në mend dhe e kam kujtuar tërë jetën. Dhe për hir të së vërtetës, asnjëherë nuk u zhgënjeva nga qëndrimi, vepra apo krijimtaria e Moikomit.
Në çdo prezantim të veprave të tij spikati origjinaliteti dhe përmbajta e thellë filozofike e shkencore. Ai ishte mbrojtësi i denjë dhe kontribuuesi i madh në evokimin dhe mbrojtjen e çështjes sonë kombëtare. Ndërkohë, ishte edhe një shok i gjendur, origjinal dhe komunikues me shokët e tij. Ishte sa origjinal, edhe kurajoz dhe e shprehte mendimin e tij hapur. Unë do të kujtoj vetëm një episod publik që e kam përjetuar nga afër. Bëhet fjalë për diskutimin e tij në Kongresin e 10-të të PPSH-së(ose siç njihet ndryshe Kongresi i Parë i Partisë Socialiste, pasi në këtë Kongres mori edhe emrin e ri PSja.
Ishte seanca e dytë apo e tretë e diskutimeve në Kongres dhe pas polemikave që shkaktoi diskutimi i Dritëro Agollit në seancën e parë (i cili, në mënyrë figurative tha se Partia e Punës është në shtratin e vdekjes dhe siç dihet, dikush në sallë e vërshëlleu).
Më pas reagime, por edhe diskutime të tjera po ndiqeshin me interes. Me të njëjtin interes u ndoq edhe diskutimi i veçantë i Moikom Zeqos, i cili në fjalën e tij e vuri theksin kritik edhe te ndikimi, shpeshherë me pa të drejtë dhe i dëmshëm i disa prej kuadrove, apo figurave drejtuese të partisë së asaj kohe në probleme shoqërore apo ekonomike.
Dhe kur Moikomi midis të tjerash kritikoi me emër e mbiemër edhe të shoqen e ish-udhëheqësit të asaj kohe, Enver Hoxha, për disa ndërhyrje jashtë kompetencave, salla e duartrokiti diskutimin e Moikomit.
Moikomi, edhe një herë si gjithmonë, solli për shoqërinë një gjë të re. Vepra e Moikomit do të mbetet përjetë në lartësitë e historisë që veç brezat, gjithnjë e më shumë, dinë ta zgjedhin më mirë se ku e kanë vendin ato vepra dhe krijuesit e atyre veprave.