Me rastin e ribotimit të librit “Valët e Detit” dhe 70-vjetorit të Revolucionit në Egjipt – 23 korrik 1952 – 2022
Nga Prof. Emil Lafe
Në shekullin XIX Egjipti u bë vendi më mikpritës i mërgimtarëve shqiptarë. Në Egjipt, që atëherë ishte juridikisht pjesë e Perandorisë Osmane, sundonte dinastia mbretërore e themeluar nga një shqiptar, Mehmet Aliu, i njohur edhe si Mehmet Ali Misiri (1769–1849). Porta e Lartë e kishte dërguar atë në Egjipt me një trupë shqiptarësh për të luftuar kundër Napoleon Bonapartit. Pas largimit të francezëve (1804), Mehmet Aliu arriti të bëhet sundimtar i Egjiptit dhe mëkëmbës i Sulltanit. Ndonëse i pashkolluar, ndërmori një program reformash për zhvillimin ekonomik e kulturor të vendit dhe për forcimin e ushtrisë. Kështu, ai synoi të themelonte atje një shtet të përparuar, të begatë e të pavarur.
Shpallja e Egjiptit republikë, ndikoi në emnacipimin e botës arabe.
Për këto ai vlerësohet edhe si themelues i Egjiptit modern. Por pasardhësit e dinastisë mbretërore të themeluar nga Mehmet Aliu nuk patën vizionin, kurajën dhe vendosmërinë e tij. Pas Luftës së Parë Botërore, kur u shpërbë Perandoria Osmane, Egjipti ra në varësinë e fuqive imperialiste, që kishin interesa të veçantë sidomos për Kanalin e Suezit, i cili, përveç rëndësisë strategjike, u sillte edhe shumë të ardhura. Monarkia në Egjipt nuk ishte më një forcë që të luftonte për pavarësinë e vendit nga kapitali i huaj dhe të ndërmerrte modernizimin dhe përparimin ekonomik e kulturor. Asaj i erdhi fundi nga Revolucioni i 23 korrikut të vitit 1952, pas të cilit Egjipti u shpall republikë. Kjo ngjarje historike për Egjiptin ndikoi në zgjimin e në emancipimin e botës arabe në tërësi.
Dinamizmi i jetës në Egjiptin e kohës së Mehmet Aliut tërhoqi atje një numër të madh shqiptarësh. Emigrimi ndodhi si nga krahinat e jugut, ashtu edhe nga ato të veriut. Ata e ndienin veten të lirë e të favorizuar në një vend të sunduar nga një shqiptar. Shqiptarët me kohë u rrënjosën mirë në Egjipt dhe ky vend u bë një nga vatrat më aktive të Lëvizjes së Rilindjes.
“Bleta shqiptare” dhe “Valët e Detit” , dy përmbledhjeve folklorike të ardhura nga Egjipti
Atje zhvilluan veprimtarinë e tyre shumë shoqata kulturore kombëtare dhe veprimtarë të shquar të asaj lëvizjeje. Ndër ta, ishin edhe mbledhësit e përkushtuar të folklorit, Thimi Mitko nga Korça, i mirënjohur për përmbledhjen folklorike “Bleta shqiptare”. Dhe Spiro Dine nga Vithkuqi i Kolonjës (siç cilësohej atëherë), që bashkëpunoi me të. Ky duke ndjekur shembullin e tij, botoi më 1908 në Sofje përmbledhjen folklorike “Valët e Detit” (libri më i madh shqip deri atëherë, me 856 faqe dhe me shtyp të bukur). Pra lënda e këtyre dy përmbledhjeve folklorike me të cilat krenohet folkloristika shqiptare, na vjen nga Egjipti dhe jo drejtpërdrejt nga Shqipëria!
Dispozita shpirtërore e veçantë e shqiptarit për të ruajtur me këmbëngulje të madhe traditën.
Studiuesit e huaj më parë kishin vënë re një dispozitë shpirtërore të veçantë të shqiptarit për të ruajtur me këmbëngulje të madhe traditën e trashëguar. Kjo dispozitë, siç shkruante albanologu më i shquar i kohës së vet, Johann Georg von Hahn (1811–1863), “del më mirë në pah po të kemi parasysh se një pjesë e madhe e popullsisë, madje mund të them “lulja e saj”, kohën më të mirë të jetës e çon në mërgim. Megjithatë qytetërimi i huaj nuk arrin të zhdukë atë që mërgimtari shqiptar merr nga atdheu.”
Një tablo të gjallë të jetës shqiptare në Egjiptin e kohës së Rilindjes e na e jep mbledhësi i zellshëm i folklorit, Spiro Dine (1844–1922), te parathënia e librit “Valët e Detit”. Këtu autori tregon bukur, thjesht e me çiltërsi për jetën tij. Për rrethanat kur mësoi të shkruaj shqip në shkollë me abetaren e Naum Veqilharxhit. Kur hyri në lëvizjen kombëtare dhe si nisi të mbledhë me zell e me dashuri visaret folklorike, që kishin sjellë me vete dhe i mbanin të gjalla, shqiptarët në Egjipt. Kjo parathënie ka vlera të shumanshme atdhetare, historike, prandaj po e sjellim të plotë për lexuesin e sotshëm.
Shkrime të tilla janë shumë të nevojshme të dihen e të lexohen sot me vëmendje: duke njohur heroizmin e atyre që e bënë Shqipërinë. Do të vlerësojmë më mirë detyrat dhe përgjegjësitë tona ndaj kësaj Shqipërie. Sa me fat që u bë, aq edhe pa fat si u qeveris e si po qeveriset.
Ndër të tjera Spiro Dinia shkruan: “Për fat të mirë atë kohë, ndodheshin dhe Shqipëtarë shumë n’Egjypt, nga do të shkonje do të piqnje Shqipëtarë. Karakollët e Kairos qenë plotë gegë e toskë. Këngët e vallet nukë reshtnin; buzuku, tamburaja e bakllamaja buçisnin më të katër anët, na dukej sikur gjëndeshim në Shqipëri; tregu i armëvet (çoksillah) përveç shqipëtarëve tjatër nukë kish, më të shumët gegë myslimanë e të krishterë mirëditas; prandaj gjeta kohë të mbleth nga të dy anët (dialekte) prej gegëve dhe prej toskëve.”
Edhe sot në diasporën e re shqiptare folklori në tërësinë e tij ka një rol të dorës së parë për ruajtjen dhe përforcimin e vetëdijes kombëtare, të lidhjeve me atdheun e origjinës, për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe të vlerave kulturore e artistike shqiptare. Gëzimet e jetës së shqiptarëve në atdhe e në mërgatë janë të pandara nga folklori ynë i bukur, i pasur, i larmishëm, i cili sot i ka zgjeruar kufijtë e vet edhe jashtë krahinave burimore. Shqiptarët kudo që janë, shfaqin dëshirë të veçantë për të bërë të vetat këngët e vallet e njëri-tjetrit si dhe elemente të tjera të kulturës sonë popullore.
Ka qenë një ide e bukur e Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale për të përkujtuar Spiro Dinën në 100-vjetorin e ndarjes nga jeta (Korçë, 1922) me një botim anastatik të librit të tij. Siç është bërë e njohur, libri ka dalë nga shtypi kohët e fundit (për fat të keq lë mjaft për të dëshiruar nga ana teknike).
Ky ribotim i detyrohet kujdesit të studiuesit Niko Kotherja, hulumtues i zellshëm i traditave kulturore e kombëtare të qarkut të Korçës dhe drejtor i Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale. Ai ka shkruar edhe studimin hyrës “Rreth figurës së patriotit dhe folkloristit Spiro Dine”. Ky studim përmban të dhëna dhe shqyrtime historike-kulturore me shumë interes, për kohën kur jetoi autori i librit dhe për vetë librin (studimi meriton të botohet edhe në një revistë shkencore).
Libri “Valët e Detit” është shkruar dhe shtypur me alfabetin e Shoqërisë së Stambollit, e njohur ndryshe edhe si Shoqëria e Shkronjëzave (1879). Në këtë vështrim ai ka vlerë më fort për studiuesit, që duan ta njohin e ta shfrytëzojnë lëndën folklorike të tij në botimin e parë origjinal.
Nga 856 faqet që ka libri “Valët e Detit”, 186 faqe janë një përmbledhje vjershash të vetë Spiro Dines dhe të disa autorëve të tjerë bashkëkohës, si Koto Hoxhi, Thimi Krej, Loni Logori, Kristo Floqi, Eftim Brandi, Jani Vreto, L. G. Naçi dhe një përkthim i K. Kristoforidhit. Përgjithësisht janë vjersha të thjeshta, pa ndonjë vlerë të spikatur letrare, që meritojnë të botohen edhe më vete si antologji e poezisë së Rilindjes (të ashtuquajturit poetë minorë). Vetë autori rrëfehet se dëshira për të shkruar vjersha edhe ai, iu ngjall pasi lexoi “Istorinë e Skënderbeut” të Naim Frashërit. Kjo e mahniti dhe e preku thellë në shpirt, por nuk e njeh veten për vjershëtor (“nga vjershëtorët jam larg sa qielli me dhenë” – shih Parathënien).
Për fat të keq lënda e folklorit në programet e arsimit parauniversitar e universitar është vështruar si diçka jo e kohës sonë
Tematika e vjershave të S. Dines dhe të tjerëve është kryesisht dashuria për atdheun e për gjuhën shqipe. Brenga për gjendjen e mjeruar të Shqipërisë, nderimi e vlerësimi i atyre që kanë punuar e punojnë për atdheun e vet. Denimi i ashpër për ata që bëhen vegla të propagandave dhe politikave të huaja armiqësore. Harmonia ndërmjet shqiptarëve të besimeve të ndryshme: Gjithë Shqipëtarë jemi /Sido s’jemi më një besë/ Po një atë e mëmë kemi/ Për mirësi të mëmëdhesë”.
Lënda folklorike e librit “Valët e Detit” është ribotuar më 1962 me alfabetin e sotshëm të vëllimi i tretë i serisë “Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar” nga Instituti i atëhershëm i Folklorit. Përkujtimi i Spiro Dines në 100-vjetorin e ndarjes nga jeta le të jetë edhe një shtysë për një botim të ri, të ”Valëve të Detit” me alfabetin e sotshëm.
Folklori ose letërsia gojore nuk duhet vështruar vetëm si një lëndë për studiuesit e folkloristikës e të filologëve në përgjithësi. Kjo letërsi përmban vlera edukative, njohëse edhe artistike. Në parathënien e librit të vet Spiro Dinia ndër të tjera shkruan se në këngët dhe në përrallat e vjetra të popullit, ruhen zakonet, gjuha dhe historia e tij. Kështu pra, këngët tona janë shumë të nevojshme e të vyera për kombin tonë. Ndër to shikojmë të ngjarat e çdo kohe dhe prej tyre mund të dalë një histori e plotë. Një histori të tillë na e ka dhënë mjeshtërisht Ismail Kadareja në esenë e mirënjohur “Autobiografia e popullit në vargje”.
Krijimtaria letrare e popullit ka qenë gjithnjë burim frymëzimi për letërsinë shqipe. Është e nevojshme që te brezat e rinj të skalitet ndjenja e vlerësimit dhe e dashurisë për këtë krijimtari që në bankat e shkollës. Kush nuk është i mbushur që në moshë të re me pasurinë e gjuhës së folklorit, do të rrëshqasë në një gjuhë të drunjosur, si ajo që dëgjojmë e lexojmë përditë.
Për fat të keq lënda e folklorit në programet e arsimit parauniversitar e universitar është vështruar si diçka jo e kohës sonë dhe kështu është rrudhur së tepërmi. Jo vetëm ata që kryejnë gjimnazin, por edhe të diplomuarit në fakultetet filologjike, e të mësuesisë, nuk janë në gjendje sot të thonë ndonjë gjë konkrete për gjinitë e folklorit shqiptar dhe botimet folklorike. Kjo është një mangësi e ndjeshme në formimin kulturor të tyre edhe në njohjen e historisë kombëtare. Me sa jam në dijeni, problematika e folklorit, duke përfshirë këtu edhe folklorin e krahasuar, nuk është tërheqëse për kualifikimin pasuniversitar, megjithëse ofron tema me interes shkencor si për folkloristikën, ashtu edhe për studimet gjuhësore. Vërehet sot një mangësi në përgatitjen e studiuesve të rinj për këtë fushë.
Librat me lëndë folklorike kanë qenë gjithnjë të mirëpritur nga lexuesi, por për fat të keq botime të tilla janë rralluar shumë. Mendoj se është koha për të ndërtuar një program botimesh të letërsisë gojore shqiptare, siç quhet ndryshe folklori, me qëllim që pasuria dhe vlerat e saj të mos mbeten si objekt studimi për disa specialistë, por të bëhen më të afërta për masën e gjerë të lexuesve që kanë dëshirë dhe ëndje të lexojnë e të njohin letërsinë popullore, veçanërisht për brezat e rinj dhe për studentët.
ObserverKult
Lexo edhe: