Së fundmi ndodhi që ta dëshmoj mënyrën se si një vajze ambicioze e përjetonte dështimin e saj. E përjetonte më rëndë se që i kisha përjetuar unë të miat ndonjëherë. Fillimisht e mendova se ishte më shumë çështje personaliteti.
Nga Lum Gashi
Mirëpo, midis fjalëve që i murmuronte, kuptova se dhimbja e dështimit, sipas saj, vinte sepse humbja e saj ishte një tjetër anekdotë që i shtohej koleksionit stereotipizues të gruas përgjatë historisë. Dhimbja e saj, si një person që i përkiste një kategorie të disavantazhuar shoqërore–supozohej të ishte më e madhe, sikur ishte ajo e të qenët kosovar në ish-Jugosllavi – sepse dështimi është në të vërtetë përmbushje e pritshmërisë.
Dështimet e mia ishin për cakun që nuk e arrija, sepse kur një burrë dështon në këtë sistem, atëherë ai dështon t’i përmbushë pritshmëritë. Dhemb edhe kjo. Por, kur një grua dështon në një synim, atëherë ajo është një donkishote të cilës “i tregohet vendi”, se “kërkuaka diçka që s’e meriton” dhe “mëton të arrijë aty ku nuk përket” sepse është “inferiore”.
Pra, kur dështon një grua, atëherë ajo i paskësh përmbushur pritshmëritë (e sistemit dhe mendësisë mbizotëruese, jo të miat). Kur unë dështoj, janë të tjerët që më thonë: ti je më shumë se kaq. Por kur një grua dështon, zakonisht është ajo që çirret: jam më shume se kaq!
Dhimbja e saj nuk kishte të bënte ekskluzivisht me personalitetin, sepse kur një grua dështon, i thyhet shpina, pasi që mbi të rëndon një histori tragjike gjinore prej mijëra vjetësh. Me apo pa dëshirën e saj, ajo përfaqëson dhe ka trashëguar dhimbjen, disavantazhin, telashet e gjinisë së cilës i përket.
ObserverKult