Një dokument arkivor zbulon kërkesën e sipërmarrësit amerikan, Clayton W. Old, nga Nju Jorku, për të hapur rrjetin e kinemave në qytetet shqiptare.
Në propozimin që ai i drejton Kryeministrit të asaj kohe, Fan Nolit dhe Ministrisë së Arsimit, sipërmarrësi angazhohet që të shfaqë në Shqipëri pesë zhanre të ndryshme filmi, siç janë: udhëtime, filma, shkencë, industri dhe bujqësi.
Mbas një bisedimi që Clayton W. Old ka pasur në Nju Jork me Faik Konicën, sipërmarrësi është bindur për fitimet që mund t’i sjellë ky investim dhe si kusht kryesor kishte: të drejtën ekskluzive për t’i hapur ai kinematë në të gjithë Shqipërinë.
Ai gjithashtu, ka siguruar mbështetjen e disa inxhinierëve elektrikë, tregtarëve dhe bankierëve, të cilët kanë shprehur dëshirën të vijnë në Shqipëri për të vëzhguar fuqinë e lumenjve, me qëllim që t’i sjellin dritë qyteteve dhe të ndërtojnë tramvaje elektrike. Pas shqyrtimit të kërkesës, Ministria e Arsimit ka vendosur që ta pranojë projektin dhe ka parashtruar nga ana e saj dy propozime të tjera:
1. Lejimin e nxënësve dy herë në javë pa pagesë në kinema dhe
2. Ministria e Arsimit të ketë mundësi të përdorë mjetet e kinemasë në konferenca.
Ky projekt bën fjalë për vitin 1922, kur Kryeministër ishte Fan Noli. Letrën e botojmë për herë të parë, të plotë
***
Clayton W. Old
62 West. 45 th Streeet
Neë York
Shkëlqesisë së Tij
At Fan Noli
Ministrisë së Punëve të Jashtme
Tiranë, Shqipnie
Shkëlqesë:
Mbas nji bisedimi qo pata me Zonjushën Williams dhe me Z.Faik Konitza u binda qi t’ju baj proponimet qi vijojnë për të hapë kinematografe në qytetet e Shqipnies. Filmat e kompanies s’onë janë shumë të vlefshëm dhe mund të ndahen në pesë kategorinat e poshtëshënueme:
- Udhëtime- të cilat dëftejnë fetyra të marruna, po thuaj në të gjith anët e botës.
- Ngjarje të përditshme- të cilat përbëhen prej filmash të nji interes botnorë.
- Shkenca- këto filma dëftejnë zhdrivillimet e fundme në gjithë degët e shkëncët.
- Industrie- filmat nënë këtë titull dëftejnë methodat e ndryshme të industris.
- Bujqësie- filma të cilat dëftejnë methodat e ndryshme të punimit të dheut.
Tue qënë se si mbas bashkë-fjalimit qi patëm me Zonjushën Williams dhe me Z. Faik Konitza morra vesht se të hollat qi përdoren në Shqipnie janë ar dhe argjent, dhe po të hapim një kinematografe dhe t’a pranojmë njerëzien me çmime të ulëta kemi me sigurue nji fitim, të arsyeshëm dëshiroj të ju baj proponimet e poshtshënueme:
Në qoftë se Qeveria Shqiptare na nep të drejtën e vetme (exclusive) të të hapunit të institutave kinematografike për 10 vjet në gjithë qytetet e Shqipnies, pa me na u kërkue kurrfar tagri, athere kemi me organizue nji shoqnie qi vijon.
Përmbrenda gjasht muejsh, mbasi të na ipet e drejta e sipërpërmendur kemi me ba nji provë me anën e maqinave të cilat kemi me i dërgue së këtejmi dhe të cilat kanë me qënë nënë: drejtimin e maqinistave Amerikanë. Për punët e tjera të institutave kinematografikë kanë me u përdorue Shqiptarët.
Filmat qi kemi me i tregue kanë me qënë të kllasit të parë dhe merale, dhe ma të shumtat kanë me qënë ato të cilat kanë përshkue nga censura e Shtetevet e Bashkuem. Përveç kësaj mbi filmat qi kemi me tregue kemi me e marrë mendimin e Ministrive Shqiptare të Arsimit, të Mjeshtëries dhe të Bujqësies qi kështu të mundim të dëftejmë filma për të cilat populli i juej ka nevojë të madhe. Ju sigurojmë se aksionet e kapitalit t’onë kemi për t’u a shitun vetëm Amerikanëve dhe Shqiptarëve. N ë qoftë se mbas gjasht muejsh prove i nxjerrim shpenzimet dhe mjaft fitim i cili të na bajt të besojmë se mund të hapim kinematografe dhe në qytetet e tjera. Kompania t’onë nuk dëshiron të bajt, kurrfarë shpenzimi në këtë fushë, pa me u sigurue konceesjen e vetme (exclusive) të kinematografevet në Shqipnie. Kam biseduem mbi këtë çështje me ca bankerë, tregtarë dhe ingjinerë elektriku dhe jam sigurue për bashkë-punimin e tyne në qoftë se venë mbarë punët e mia, dëshirojnë të vëzhgojnë zhvillimet të fuqies së lumenjve të juej, me qëllim qi t’u japin dritë qyteteve dhe qi të ndërtojnë tramvaje elektrike. Sa për personin t’im dhe për punën t’eme mund të pyetni këta zotërinj:
Mr.Joseph A. Bower, Vice President, New York Trust Co.
Mr. Caswell Haden, President, Brooklyn Savings Bank
Mr. Edmund Seymour, Banker, 45 Wall Street, New York
Në qoftë se përgjigja e juej ka me qënë e pëlqyeshme kemi me pregatitë nji kontratë të cilën kemi me ju a dërguem për nënshkrim.
Mbetem i juaji me nder
Clayton W. Old
***
Kërkesën e mësipërme e merr në shqyrtim Ministria jonë e Arsimit, duke e pranuar për herë të parë projektin për ngritjen e kinemave në Shqipëri, sipas kushteve të vendosura nga sipërmarrësi amerikan, Clayton W. Old. Përgjigjen e Ministrisë, firmosur nga vula e shtetit shqiptar, që gjendet e depozituar në Arkiv në numër dosje 80, e botojmë të plotë, si më poshtë
***
Ministria Arsimit
Tiranë më 15.VI.1922
Për kërkesën qi ban Z.Clayton W. Old për të pasur ekskluzivitetin e kinematografis në Shqipni s’kemi kurrnji arsye për të kundërshtue, por lypim për ne për në qoftë se pranohet këto kushte:
- Ndër të gjitha viset ku do të ngrehet kinematografia të kenë të drejtë qi dy herë në muej nxanësit e shkollavet t’ona të marrin pjesë falë ndër të çfaquna kinematografore tue gjetun filma të posaçm për nxanës, qi don me thonë të kenë të përpjekur me arsim sikurse ka edhe në program kërkesa e atij Zotnije.
- Të kenë të drejtë Ministrija e Arsimit për për konferenca qi mund t’ipen të përdori veglat e kinematografis për projeksione./standard