Kur Sadija i shkruante Dritëroit: Kam frikë se ndonjëherë do të mërzitesh prej meje, sa do të vuej unë atëherë…

Një dashuri e dokumentuar po me kujdesin që kishin për njëri-tjetrin. Dritëroi dhe Sadija e tij, shkëmbenin letra të shpeshta, në pritje për t’u bashkuar në të njëjtën çati. Janë fjalë shumë të sinqerta dhe shprehen, herë me drojë e herë, me guximin nga malli për njeriun që do të doje ta kishe pranë, përballë, teksa mendimet shkojnë veç aty.

Në vazhdim mund ta lexoni njërën nga letrat që Sadija ia pati dërguar Dritëro Agollit:

Shkodër, (2.II.1965)

I dashtuni im,

Më fal që të kam shkrue në atë mënyrë. Mos e lexo dy herë, mos mbaj në mend asgjë nga ato që të kam shkrue. Ajo letër s’ka të bajë me dashuninë që ushqej për ty. Jam mësue keq, unë rrallë kam mendue vetë për të zgjidhë ma të randësishmen në jetë. Gjaja e vetme që përfundova pa ndihmën e të tjerëve deri në nji farë vendi, asht fejesa e ime me ty. Gjithmonë, për çdo gja kanë mendue të tjerët, ato që më donin. Kjo asht e meta e ime ma e madhe që kam unë. Të kujtohet sa nevrike isha ba në kohën e celebrimit. Kështu bahem edhe kur ndeshem me gënjeshtrën, me burokracitë e njerëzve. Due që ta zhduk këtë të metë, po nuk mundem. Ka të drejtë motra kur më thotë se për disa gjana të jetës kam mendjen e një 15 vjeçareje. Ajo atëherë ma tha në inat e sipër, po unë tashti e ve re, se ka pasë të drejtë.

Ja të shkrova ato marrëzi nga fjalët e ndryshme që ndëgjova, nuk mendova ma thellë se sa mund të vrasin ato që të kam shkrue kur je larg meje. Por ti kujto se Sadija asht ndonjiherë budallaqe dhe pendohet ma vonë kur kupton budallallëkun.

Të shkrova ashtu nga që kisha frikë se mos ftohem nga ti kur të lindin edhe nevoja e të hollave. O, unë s’due të mendoj hiç për ato. Sa mirë që kemi Xhexhenë, se unë do ta baja lamsh shtëpinë. Ai konvikti i 4 vjetëve më vjejti shumë, por ja prapë jam midis këtyne që më dojnë dhe që më plotësojnë çdo dëshirë.

Dikur, kur isha e re shumë, kur shihja dashninë dhe kujdesin e madh të prindërve mendoja t’ua shpërbleja tue punue për ato, ose tue i ndihmue në mënyra të ndryshme. Por andrra e ime nuk u plotësue.

Në vend që t’i ndihmoj, vazhdojnë ato të më ndihmojnë, vazhdojnë të më plotësojnë çdo dëshirë që çfaq. Ja pse të shkrova atë letër. U frikësova tue mendue se edhe burri im nuk mendon shumë për disa çështje që do të lindin ma vonë. Asnjiherë nuk kam mendue për atë që veshëshe të re në trup, por tashti jam pak a shumë afër këtyne gjanave dhe s’di se si kam një frikë. A do të di unë vetë, kur të jem krejt e pamvarun të veproj si duhet. Lenin dhe Verin që i kisha shoqe të ngushta, më këshillonin për çdo gja. Po tashti, kush do të jetë këshilluesi i im. Nanën s’do ta kem pranë, as Verin, as Lenin. Do të thuash ti më ke mue. Deri në një farë vendi, i dashtun. Më vjen inat që jam rritë në nji ambjent që nuk din ç’asht djallëzia, që beson në të mirën, në paragjykimet.

I dashtun, ti dikur më ke thanë, s’kam hasë njeri të tillë që të ketë kaq nevojë për dashuni. Kjo ashtë e vërtetë. Bile më duket e çuditshme që një njeri të më urrejë. Mue ndonjiherë më lind ideja se do të vdes, edhe tashti e ndiej këtë. Nuk e kuptoj as unë se si më vjen ndonjiherë, kërcej nga një gëzim i mbrendshëm, i due të gjithë që shoh, çdo qenie.

Më dhimbset ndonji që vuen.

S’di si jam i dashtun, por ty të due ma shumë se të gjithë, megjithëse edhe prindët i due shumë. Dritëro, kam frikë se ndonjëherë do të mërzitesh prej meje, sa do të vuej unë atëherë.

Tashti ora 7 e mbrëmjes, nuk kam dal hiç nga shtëpija. Fryen nji erë e ftohtë shumë jashtë. Nana po më lut të ha ndonji gja, se në drekë nuk kishe oreks.

O Zot, them, po ma vonë si do ja bëj. Ishalla kur të vi tek ti, s’do jem kjo. Ti vetë më ke paralajmërue se unë nuk jam i kujdesshëm ndaj grave. Po s’ka gja unë të due sido që të jesh. Njeni prej nesh do të ndryshojë se nuk ban. Si thue ti, a kam të drejtë? Më thuej po. Letrës i erdhi fundi, si nji hartimi të zgjatun sentimental me nji temë të lirë./(konica.al)

———————–

Lexo edhe:

AGOLLI: E DASHUR SADIJE! TË DUA SI JETËN TIME, MADJE EDHE MË SHUMË; DËSHIROJ SINQERISHT QË UNË TË VDES DHE TI TË JETOSH…

ObserverKult