Kur Sadija i shkruante Dritëroit: Mbramë të pashë në andërr…

Shkrimtari ynë i njohur, Dritëro Agolli, dhe bashkëshortja e tij, Sadija, i patën dërguar një mori letrash dashurie njëri-tjetrit, derisa ende nuk ishin të martuar. Ata dy në këto letra shprehnin dashurinë e madhe që e ndjenin.

Në vazhdim mund ta lexoni njërën nga këto letra që Sadija ia kishte dërguar Dritëroit:


I dashtun Dritëro,

Mbramë të pashë në andërr: sikur ishe majë nji shpat mali të thepisun dhe më kërkoje ndihmë. Unë s’mund të vija tek ti dhe thërrisnja. Megjithëse jashtë ftohtë dhe në pullazet vezullonte dëbora e bardhë unë kishe nji të nxehtë të madh.

Mirë që asht andër mendova dhe nuk donja të flinja nga frika mos shoh prapë andër të keqe. Atë natë që ti nuk ishe në Shkodër ra shumë dëborë. Shkuem me Myskan e bamë disa fotografi por nuk na lenin gangsterët tue na gjuejtë me topa dëbore dhe s’besoj të kenë dalë të mira.

Atë ditë dy herë u rrëzova por mirë që kishe veshë pantallona. Edhe në shkollë kam shkue kështu, megjithëse deri tashti në mbramje s’kam ba asnji orë mësim se nuk na kanë ardhë nxanësit.

Sonte kam 4 orë dhe besoj se do kemi mësim, mbasi dëbora ka fillue të shkrijë. Fryn nji erë e freskët që të pëlqen ty. S’kam hangër shumë topa dëbore. Ditën e parë më gjuejtën, megjithëse kudo dilnin nxanësit e mi , kështu që shpëtonja. Ndonjiherë shpëtonja edhe si e fejuemja e Dritëro Agollit.

Bile mbramë kur dola prej shkolle ishin dy djem dhe zinin në gojë emnin tand, sigurisht pse para tyne ishe unë. Kishte plot që thonin profesoreshën e natës mos e gjueni. Bile nji djalë i hangri gjithë topat nga shokët pse më doli në mbrojtje.

Edhe nga fëmijët shumë më delnin në mbrojtje. Njiherë kur dola prej shkolle ishin grumbullue shumë djem dhe m’u desh që t’i kërkoj ndihmen nji burri, i cili më shoqnoi nji copë rruge. Tashti nuk kam frikë se bora po shkrihet dhe asht ftohtë.


Sa mirë të ishe këtu, të rrinje edhe nji ditë do mbesnje në Shkodër . Muhameti i shkretë mbeti këtu . Filloj dëbora , ndaloi qarkullimin dhe ai s’kishte nga shkonte në Berat.
Dritëro a shkrove gja apo e le fare artikullin. Po Elena e Ismailit a erdhi prej Elbasanit . Vajzën si e ka? Ajo vetë a asht shëndoshë apo dobsue?


Letrës i erdhi fundi. Ka dalë filmi Kivitok, do shkoj ta shoh se më ka pasë pëlqye dikur, kur ishe në maturë. Të fala prindërve.


Të puth fort Sadija.

12 shkurt 1965

*Marrë nga profili në Facebook i Elena Agollit

ObserverKult

———————————————-

Lexo edhe:

KLODIAN KOJASHI: UNË VETËM DESHTA ME T’PYTË…