reklamë

Kur suksesi institucional kthehet në marketing privat

Nga Alma Dema

Festivali i XI-të i Ansambleve Popullore, zhvilluar mes shkollave 9-vjeçare, që u mbyll së fundmi në Durrës ishte një ngjarje që meriton vlerësim. Me pjesëmarrjen e 29 shkollave të varësisë së Drejtorisë Arsimore të Arsimit Parauniversitar, Durrës, ai dëshmoi një mobilizim të gjerë të sistemit publik arsimor në ruajtjen dhe promovimin e traditës folklorike. Organizimi në kategori sipas moshës dhe aftësive vokale tregoi seriozitet dhe profesionalizëm, ndërsa përpjekjet e Qendrës Kulturore të Fëmijëve, për të garantuar cilësi dhe vazhdimësi ishin të dukshme.

Megjithatë, pas përfundimit të festivalit dhe ndarjes së çmimeve, një tjetër realitet u shfaq në rrjetet sociale. Publikimet që pasuan nuk pasqyronin gjithmonë punën e mësuesve të shkollave publike, por zhvendosnin vëmendjen drejt qendrave apo grupeve private jashtë institucionit, me të cilat kishin bashkëpunuar disa prej nxënësve të vlerësuar.

Këtu lind një pyetje e drejtë: kur një aktivitet organizohet dhe realizohet nga shkolla publike, kujt i takon merita institucionale?

Askush nuk e mohon që talenti i fëmijëve ushqehet edhe jashtë mjedisit shkollor. Bashkëpunimet artistike janë të mirëpritura dhe shpesh të dobishme, por problemi lind kur suksesi i arritur në një aktivitet institucional përdoret si platformë promovimi për struktura private. Në këtë rast, kufiri midis bashkëpunimit dhe marketingut bëhet i paqartë.

Shkolla publike ka detyrimin ligjor dhe moral për edukimin dhe formimin artistik të nxënësve të saj. Mësuesit e saj mbajnë përgjegjësinë institucionale për përgatitjen, përfaqësimin dhe suksesin në aktivitete të tilla. Kur në hapësirat zyrtare, madje edhe në faqet e shkollave, suksesi institucional shoqërohet me referenca që promovojnë mësime private apo qendra të caktuara, krijohet perceptimi i një konflikti interesi.

Kjo nuk është vetëm çështje perceptimi; është çështje etike.

Etika profesionale e mësuesit kërkon ndarjen e qartë mes rolit publik dhe interesit privat. Përdorimi i arritjeve të nxënësve për qëllime reklamimi privat, veçanërisht kur këto arritje janë rezultat i një aktiviteti të organizuar nga institucioni publik, cenon integritetin institucional, sepse fëmijët (nxënësit) nuk mund të shndërrohen në instrument marketingu.

Ruajtja e traditës përmes folklorit është një mision kulturor dhe edukativ. Ajo synon të forcojë identitetin, bashkësinë dhe ndjenjën e përkatësisë. Por në momentin që kjo traditë përdoret për përfitime individuale apo për të ndërtuar imazh privat mbi suksesin institucional, rrezikojmë të deformojmë qëllimin fillestar.

Por problematika nuk mbaron këtu.

Një tjetër dimension i kësaj çështjeje është ai i barazisë në konkurrim. Në një festival ku përfaqësohen 29 shkolla të Zyrës Arsimore Vendore Parauniversitare- Durrës, gara duhet të jetë mes nxënësve, brenda të njëjtit sistem përgatitjeje institucionale. Parimi themelor i çdo aktiviteti shkollor është konkurrimi i drejtë, në kushte sa më të barabarta.

Çfarë ndodh kur disa nxënës përgatiten jo vetëm nga mësuesit e shkollës, por paralelisht nga mësues profesionistë të kantos apo nga qendra private artistike?

Në këtë rast, konkurrimi nuk zhvillohet më thjesht mes bashkëmoshatarëve, por në mënyrë të tërthortë mes niveleve të ndryshme përgatitjeje profesionale. Nxënësit që përgatiten ekskluzivisht në shkollë, përballen me bashkëmoshatarë që marrin trajnim të specializuar jashtë sistemit publik. Kjo krijon një diferencë të dukshme jo vetëm në performancë, por edhe në perceptimin e drejtësisë.

Pasoja më e ndjeshme nuk është humbja e çmimit. Është zhgënjimi.

Kur një fëmijë ndjen se nuk konkurron në kushte të barabarta, ai fillon të dyshojë në vlerën e përpjekjes së tij dhe në drejtësinë e sistemit. Kur një mësues sheh që puna e tij matet me standarde që i tejkalojnë burimet dhe kohën që i ofron institucioni publik, ai përballet me ndjesinë e mohimit profesional.

Kjo situatë krijon dy pasoja problematike: së pari, dobëson besimin në shkollën publike si hapësirë e mjaftueshme formimi. Së dyti, krijon një standard të heshtur elitarizimi, ku suksesi duket i lidhur me mundësinë për përgatitje private.

Natyrisht, askush nuk mund dhe nuk duhet të paragjykojë përgatitjen private. Prindërit kanë të drejtë të investojnë në talentin e fëmijëve të tyre, por kur aktiviteti është institucional dhe përfaqëson shkollën publike, është e nevojshme të reflektohet nëse duhen mekanizma që garantojnë barazi reale në konkurrim, apo të paktën transparencë të plotë mbi mënyrën e përgatitjes.

Në të kundërt, festivali rrezikon të mos jetë më një hapësirë motivimi kolektiv, por një pasqyrë e diferencave ekonomike dhe aksesit në trajnim privat.

A duhet të ketë rregulla më të qarta? Patjetër. Institucionet arsimore duhet të përcaktojnë udhëzime të sakta mbi publikimet zyrtare, transparencën e bashkëpunimeve dhe kufijtë mes angazhimit publik dhe veprimtarisë private, jo për të ndaluar bashkëpunimin, por për të mbrojtur integritetin e shkollës dhe dinjitetin e nxënësve.

Suksesi i Festivalit të XI-të të Ansambleve Popullore, organizuar nga Qendra Kulturore e Fëmijëve dhe Zyra, Vendore e Arsimit Parauniversitar, Durrës, është një arritje për t’u përgëzuar. Por çdo arritje institucionale duhet të shoqërohet me reflektim. Tradita është pasuri e përbashkët. Ajo nuk mund të privatizohet në heshtje përmes një postimi në rrjete sociale, sepse festivale të tilla nuk duhet të prodhojnë vetëm fitues; duhet të prodhojnë besim.

Kur humbet ndjesia e barazisë, humbet edhe kuptimi edukativ i garës!

ObserverKult


Lexo edhe:

Nga kartolina te mesazhi i kopjuar: transformimi kulturor i urimit në epokën digjitale