Kur të mungon dikush që do…

Nga Silvi Çeli

Nuk je më, dhe ky është një fakt. Nuk do jesh më pranë meje, duke folur e duke qeshur.

Kur mendoja ndonjëherë se ç’mund të bëja pa ty, më dukeshin mendime shumë të frikshme dhe i largoja menjëherë nga mendja ime me lot në sy… por ja që kjo ditë erdhi!

Nuk më pëlqen kjo jetë pa ty. Dua të jem gjithmonë pranë teje, dua të bëhem hija jote. Çdo plagë të më mbyllet duke të të pasur ty. Nuk gjej më ngushëllim.

Dita ime vazhdon njësoj, çdo gjë ecën normalisht, shkoj në punë, vij në shtëpi dhe kujdesem për familjen dhe shtëpinë, dhe në darkë, kur shtrihem dhe trupi më bie në qetësi, çfarë më ka mbetur? Një zbrazëti e madhe.

Të mendoj në çdo çast… kur është ftohtë, kur bie shi, kur eci rrugëve që shoh lokalet ku uleshim bashkë duke pirë kafe e cigare, duke qarë hallet tona, duke më këshilluar dhe duke më qortuar.

Kur shoh dyqane me rroba duke menduar sesi kujdeseshe me mua, lexoj librat që ti kishe qejf, mbulesa e tavolinës më kujton darkën e fundit që kemi ngrënë bashkë.

Shikoj fotot e tua, fotot tona dhe pastaj mbyll sytë duke menduar se je me mua, sikur do bjerë dera dhe do thuash: “Ku është kotelja ime?”

Ku shkojnë gjithë këto ëndrra? Ku mbetën gjithë këto dëshira? Mbetën thellë në zemrën time, si çdo ndjesi e imja, e shoqëruar me mungesë, dhimbje, mall dhe dëshirë për të kthyer kohën pas.

M’u deshën 4 muaj që ta kuptoj qartësisht se çfarë ka ndodhur. Në fillim e ngushëlloja veten sikur ishe në shërbim me punën dhe do vije pas disa muajsh, kur nuk të merrja në telefon i thosha vetes se nuk ke linjë, kur nuk të shkruaja në whatsapp e justifikoja sikur e ke zëvendësuar telefonin tënd me një të thjeshtë.

Për çdo mungesë tënden gjeja një justifikim në veten time, edhe pse para njerëzve sillesha normalisht.

Ishe babai im, ai ku mund të mbështesja supin dhe të ndihesha e sigurt. Ishe shoku im, ai që unë mund t’i thosha mendimet e mia.

Ishe nëna ime, kur të ankohesha se më dhimbte diçka. Ishe gjyshi i vajzës sime, së cilës i mungon shumë dhe sa herë sheh qiellin, mendon se je aty, duke luajtur.

Kur mendoj se sa shumë vite më presin pa ty, më duket e papërballueshme, sikur edhe një ditë, ështe vrastare. Thonë se njeriu mësohet me çdo gjë… po unë, si do mësohem pa ty?

Edhe në ëndrra më vjen i mërzitur dhe i plogështuar, e kjo më trishton më shumë, më mërzit mënyra e ikjes tënde dhe e ndjesive të tua.

Shumë vite ndjeja se më mungoje, ndërsa tani? Tani do më mungosh përgjithmonë.

ObserverKult


Lexo edhe:

ÇARLS DIKENS: S’KEMI NEVOJË TË TURPËROHEMI PËR LOTËT TANË…