Shkollat e para shqipe janë hapur në Shkodër e rrethinë rreth 400 vjet më parë dhe shkolla e lartë të paktën 134 vjet më parë. Shkodra ka pasur observatorin e parë astronomik në Ballkan.
Gjatë qindvjeçarëve Shkodra ka qenë një metropol i qytetërimit shqiptar e madje ballkanik.
Shkollat shqipe në viset veriore të Atdheut kanë gjalluar të paktën qysh prej katërqind vjetësh.
At Donat Kurti në një studim të botuar te Hylli i Dritës më 1935 flet për të parën shkollë shqipe në vitin 1638.
Si të parat shkolla “për sa dijm na” ai përmend “tri: shkolla e Pdhanës (lexo: Pllanës), e Blinishtit e e Shkodrës”.
Për të parën thotë se është hapur më 1638. Ndërsa studiuesi amerikan Edvin Zhak (Edëin Jacques) në librin e tij të njohur “Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme” (The Albanians: An Ethnic History from Pre-Historic Times to the Present) i çon shkollat e para shqipe pak më përpara në kohë, në vitin 1632.
“Shkolla e parë, e dokumentuar, në gjuhën shqipe u hap në Velë të Mirditës më 1632”, shkruan ai. Por kjo nuk ishte e vetmja.
Sipas tij “Një tjetër shkollë mjaft e hershme ishte hapur në Kurbin më 1632. Përveç shkrimit e leximit aty mësohej gramatika shqipe dhe përdoreshin librat e Bardhit, Budit e Bogdanit”.
Historiani E. Zhak shton se edhe të tjera u hapën “në Pllanë, një fshat afër lumit Mat, më 1638, në Troshan, më 1639, dhe në vetë qytetin e Shkodrës më 1698”.
Autori përmend disa prej mësuesve që shërbyen në këto shkolla. Tërheqin vemendjen mbiemrat e tyre: Shqiptari (Gjon), Shkodrani (Filip), dhe një i tretë Dhërmiu (Dhimitër), që me sa duket është prej një krahine jugore të vendit, prej Dhërmiut.
Më pas u çelën shumë shkolla të tjera. Derisa më 1878, pra një dhjetëvjeçar para shkollës së Korçës, në qytetet veriore shqiptare e deri në Durrës, siç nënvizon studiuesi amerikan, “kishte 21 shkolla të tjera fillore shqipe, që zhvillonin veprimtarinë e tyre”.
Ai sqaron se secila prej këtyre shkollave kishte rreth tridhjetë nxënës, përveç asaj të Prizrenit, e cila kishte tetëdhjetë”.
Për arsye të njohura historike këto shkolla fillimisht u hapën në rrethinë: në Shkodër dhe në përgjithësi në qytete pushtuesi kishte kontroll të fortë, të përqëndruar, dhe kjo e vështirësonte deri në pamundësi hapjen e një shkolle shqipe.
Shkollat ishin fetare, katolike. Kjo përmasë ishte e kuptueshme për kohën, nuk mund të ishte ndryshe. Katolicizmi përfaqësonte fenë e parë të shqiptarëve.
Në ato kushte sidomos, kur nëpërmjet trysnive me e ndërrue fenë pushtuesi synonte deri asimilimin, mund të thuhet se katolicizmi ishte pjesë qenësore e identitetit shqiptar. Katolicizmi përfaqësonte kulturën dhe qytetërimin perëndimor. E. Zhak citon një klerik françeskan shqiptar të quajtur Leonardo, i cili, lidhur me thelbin e këtyre shkollave, pohon: “Ne jemi më shumë misionarë të qytetërimit se sa të fesë”.
Në këtë hulli është edhe Kuvendi i Arbërit, i mbajtur më 14-15 janar 1703, të dielën e dytë të Epifanisë, në Kishën e Shën Kollit në Mërkinjë të Lezhës. Siç dihet ai u organizua me nismën e nën kujdesin e drejtpërdrejtë të një pape të madh, Klementi XI, Albani.
Studiuesit kanë vënë në dukje se nën veshjen fetare të këtij kuvendi të organizuar prej një pape me gjak shqiptar fshihej edhe synimi i madh me e mbajtë gjallë shqiptarizmën, në kushtet e pushtimit osman.
Edhe fakti që dokumentet e këtij Kuvendi historik u botuan njëherësh në latinisht edhe në shqip, treqind vjet më parë, dëshmon qartësisht këtë synim, ashtu siç dëshmon se njerëzit që shkruanin shqip nuk ishin të pakët, pra as shkollat ku ata kishin mësuar e mësonin shqip.
Historiani amerikan Edvin Zhak në veprën e naltpërmendur shton se më 1877 në qytetin e Shkodrës kishte edhe një “qendër me ndikim për arsimin e lartë, Kolegja e Shën Françesk Savierit, që pajiste me arsim teknik e tregtar rreth 400 studentë”.
Kjo shkollë e lartë ishte edhe një qendër shkencore për krejt Ballkanin, jo vetëm për Shqipërinë.
Sipas këtij autori, “një risi shkencore në Kolegjin e Shën Savierit ishte Observatori Metereologjik, i themeluar aty më 1888, si i pari observator astronomik në Ballkan”.
Ky observator, thekson Zhak, “i vazhdoi shërbimet e tij të vlefshme deri më 1946, kur u konfiskua nga regjimi komunist”.
Shkodra kështu dëshmohet edhe një herë si një qendër me peshë e qytetërimit perëndimor jo vetëm në shkallë shqiptare, por edhe më gjërë, në shkallë rajonale.
Datat e themelimit të shkollës së parë të lartë në Shqipëri nuk lidhen me institutet që i shpalli me shumë zhurmë pushtetit komunist e që vazhdojnë edhe sot me u njohë si data zyrtare të fillimit të shkollës së lartë.
Shkolla e parë e lartë shqipe daton të paktën vitin 1877, kur dokumentohet Kolegji i Shën Françesk Savierit, që pajiste me njohuri tregtare e teknike 400 studentë.
Dokumentohet kjo datë, por nuk dihet: mund të ketë qenë hapur edhe më parë.
Në studimin që e përmenda më lart At Donat Kurti jep edhe një të dhënë të mrekullueshme për marrëdhëniet e vendit tonë me atë revolucion teknologjik që e tronditi botën kulturore me fuqinë e jashtëzakonshme shtytëse që u dha botimeve dhe kulturës në tërësi: për lidhjet me shtypshkronjën.
Ai thekson se shtypshkronja kishte hyrë në Obot “fill mbas të gjetunit”, domethënë fill pas shpikjes së saj nga Gutenbergu.
Shtypshkronja e Obotit, shkruan At Kurti, njihet më 1493. Kjo do të thotë se ajo ishte futur në Shqipëri vetëm 38 vjet pasi Gutenbergu i dha vendit të vet dhe botës prodhimin më të famshëm të krijesës së tij: Biblën e shtypur në shtypshkronjën e vet.
Tridhjetë e tetë vjet për atë kohë janë si tridhjetë e tetë ditë sot, ndoshta më pak. Ai përmend edhe shtypshkronjën tjetër të Shkodrës, që njihet më 1563, por nuk përjashtohet që edhe kjo të jetë më e hershme.
Shtypshkronja, siç dihet, vlerësohet si një prej shpikjeve më të mëdha të gjithë kohëve.
Studiues të ndryshëm e vendosin Gutenbergun, autorin e kësaj shpikjeje, ndër njëqind njerëzit më me ndikim në historinë e njerëzimit.
Madje amerikani Majkëll Hart (Michael H. Hart), e rendit të tetin sipas këtij kriteri.
Futja kaq e vrullshme, e menjëhershme, e kësaj teknologjie dëshmon se në Shkodër e rrethina lidhjet me Perëndimin ishin të drejtpërdrejta; dëshmon se aty kishte një jetë intelektuale të dendur, plot energji, aty shkruhej, krijohej, botohej, përhapej kulturë.
Cilët libra janë botuar në ato vite të mugëta? Mjerisht gjatë zhvillimeve të mëvonshme dramatike në trojet shqiptare ato janë zhdukur.
Por gjithësesi mund të shpresohet se diçka do të ketë mbetur e herëdokur do të zbulohet. Arkivat e Vatikanit e ato të Stambollit kanë ende shumë galeri të paprekura prej nesh.
(Burimi: Pasqyra, VITI V – 24 DHJETOR 2003)
*Marrë nga profili në Facebook i Marsel Lelës
ObserverKult
Lexo edhe:
FOTOGRAFI TË RRALLA: SI DUKESHIN GRATË SHKODRANE PËRGJATË VITEVE ‘40
Këto fotografi të rralla ku shfaqen gratë shkodrane janë realizuar në vitin 1940 nga fotografi italian Giuseppe Massani.
Massani doli në pah me një album fotograk “La sua terra (Toka e tij), Bergamo 1936.
Në prill 1939, Shqipëria u pushtua nga forcat italiane, ishte momenti i duhur për fotografin që t’i prezantonte publikut italian “trevat e reja” të Italisë përtej Adriatikut.
Sigurisht me mbështetjen zyrtare, Massani udhëtoi gjerësisht në Shqipërinë e pushtuar nga Italia dhe bëri fotografi të ndryshme.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult