Faik Konica, figurë poliedrike, i konsideruar edhe si “enciklopedia shëtitëse” ndërroi jetë më 15 dhjetor 1942.
Faik Konica lindi më 15 mars 1875 në Konicë, në një familje të vjetër koniciote. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, ndoqi Kolegjin Jezuit Saverian të Shkodrës e më pas studimet e liceut perandorak francez të Stambollit.
Pasi kreu shkollën e mesme në Francë, vazhdoi studimet në Dizhon për filologji romane dhe më pas u diplomua në universitetin e Harvardit të SH.B.A, ku mori gradën “Master of Arts”.
Konica qe në pararojë të lëvizjeve për çështjen kombëtare. Lëvroi prozën, poezinë, publicistikën, kritikën letrare dhe përkthimin. Në vitin 1912 zgjidhet Sekretar i Përgjithshëm i Federatës “Vatra”. Në këtë cilësi, së bashku me Fan Nolin, bashkëudhëheqësin kryesor të lëvizjes shqiptare në SHBA, i drejtohet Londrës për mbrojtjen e çështjes kombëtare në Konferencën e Ambasadorëve.
U zgjodh kryetar i kongresit shqiptar të Triestes (1913). Duke nisur nga Lufta e Parë Botërore, zhvilloi veprimtari të dendur diplomatike në shërbim të atdheut, në Austri, në Zvicër, në Itali etj.
Në 1921 u kthye në SHBA, ku zgjidhet kryetar i “Vatrës”, duke ndikuar njëkohësisht në lëvizjen demokratike që zhvillohej në Shqipëri. Me dështimin e Revolucionit Demokratik, Konica u emërua ministër fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA, transmeton “ATSH”.
Vdiq në Uashington më 15 dhjetor 1942. Në vitin 1995, pas rënies së diktaturës komuniste, eshtrat e tij u sollën në Tiranë. Me veprën e tij letrare e me shkrimet kritike, Konica pasqyron një njohje të thellë të mendësisë shqiptare, e jetës politike shqiptare. Gjatë veprimtarisë së tij është përpjekur për një gjuhë letrare të përbashkët dhe ndihmoi në pasurimin e zhvillimit të stilit letrar dhe publicistik të shqipes së shkruar.
Krijimtaria e tij ka mbetur në pjesën më të madhe e botuar në shkrime të shtypit të kohës dhe në dorëshkrime.
Lexo edhe: