Shkrimtari Bledar Kurti në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Jetë Shqiptare” ka rrëfyer takimin që ka zhvilluar para disa vitesh me kolosin e letrave shqipe, të ndjerin Ismail Kadare.
Kurti bën me dije se në bisedën e gjatë që zhvilloi me Kadarenë, u ndalën në një sërë temash, por ajo që i ka mbetur thellë në memorie, është momenti kur kuptoi anën njerëzore të shkrimtarit të madh.
“Brenda 3 orëshit që dialoguam, unë përdora disa truke të qëllimshme për të kuptuar natyrën më njerëzore të tij.
Kur po e shihja që po mundohej të mblidhte mendimet në një linjë të thjeshtë, i dorëzova një kartolinë të vizatuar nga vajza ime Kristina 10-vjeçe, e cila kishte pikturuar mjeshtrin dhe i kishte bërë një zemër. Ai e mori dhe qeshi.
Ajo buzëqeshje u shoqërua me një koment të tij: më pyeti: Bledar përse fëmijët, të rinjtë më respektojnë kaq shumë, bëjnë foto me mua, më bëjnë dhurata? Unë se kuptoj, unë jam vetëm një shkrimtar që bëj atë që di të bëj më mirë, sepse unë jam njeri i letrave, i fjalës dhe letërsisë, përse jam kaq apelues te rinia e sotme?
Si mund t’ia shpjegosh një gjeniu si Kadare, rëndësinë që ai ka?”, rrëfeu mes emocionesh Kurti.
Ditën e djeshme, pas homazheve dhe ceremonisë shtetërore, shkrimtari i madh, gjeniu i letrave shqipe u përcoll për në banesën e fundit. Kadare u nda nga jeta mëngjesin e 1 korrikut në moshën 88-vjeçare duke lënë pas thesare të paçmuara për Shqipërinë, por jo vetëm./rtsh
ObserverKult
Lexo edhe:
“I KA NDËRTUAR VETES NJË MONUMENT”/ BLENDI FEVZIU: JA BISEDA IME E FUNDIT ME ISMAIL KADARENË