Që kur u zbuluan aksidentalisht mbi 70 vjet më parë në një shpellë në territoret palestineze, Rrotullat e Detit të Vdekur kanë qenë një burim magjepsjeje. Ato janë të famshme për përmbajtjen e dorëshkrimeve më të vjetra të Biblës Hebraike.
Por se kush i ka shkruar saktësisht këto dokumente të rëndësishme, kjo ka qenë një mister.
Tani, falë përdorimit të teknologjisë më të fundit, ne po i afrohemi të kuptuarit të disa prej mistereve të këtyre teksteve enigmatike.
Në një studim të ri, studiuesit në Institutin Kumran të Universitetit të Gronigenit në Holandë, kanë kryer një investigim paleografik, që është studimi i shkrimeve të vjetra me dorë, mbi njërën prej rrotullave.
Përmes një serie procesesh të përpikta, duke përfshirë dixhitalizimin, makinerinë e leximit dhe analizën statistikore, ekipi i studiuesve propozon që dy skribë me një shkrim dore shumë të ngjashëm, janë ndoshta autorët që kanë dy gjysmat e dorëshkrimit në fjalë.
Rrotulla në fjalë, 1QIsaa, është një dorëshkrim i madh, dhe një nga shtatë dorëshkrimet që u gjetën në vitin 1947 afër Detit të Vdekur në Kumran, pjesë e territoreve palestineze. Rrotulla 2000-vjeçare ruan 66 kapitujt e Librit të Isaisë të Biblës Hebraike, dhe dorëshkrime të tjera hebraike të Isaisë.
Autorët e studimit përdorën një algoritëm për të ndarë bojën nga sfondi i saj, lëkurën apo papirusin e rrotullës. Pastaj, algoritmi studioi çdo gërmë, duke kërkuar ndryshime të vogla që mund të sinjalizojnë ekzistencën e një autori tjetër.
Kjo lloj teknologjie algoritmike, ka filluar të përdoret vetëm vitet e fundit në studimet biblike dhe në shkencat humane më të gjëra. Në një farë mase, studimi më i ri e hedh poshtë argumentin se teksti origjinal ishte vepër e një shkruesi të vetëm.
Në fund të kolonës së 27-të të tekstit nga 54 të tilla në total, studiuesit gjetën një ndryshim të stilit të shkrimit. Një fletë e dytë është e qepur në të parën, dhe në këtë fazë sugjerojnë autorët, ka ndryshuar edhe shkruesi.
Ky rezultat i bashkohet supozimit të përgjithshëm dhe disa studimeve të mëparshme, që sugjerojnë se ka pasur ndoshta disa ekipe skribësh që kanë punuar së bashku mbi Rrotullat e Detit të Vdekur, me disa prej tyre që u angazhuan si praktikantë për anëtarët më të vjetër.
Gjithsesi, një skrib i ndryshëm nuk është shpjegimi i vetëm i mundshëm i atij ndryshimi të vërejtur. Autorët e studimit gjithashtu vunë re një ndryshim të stilolapsit të përdorur, që sinjalizon një ndryshim në kushtet e shkrimit apo në shëndetin e vetëshkruesit.
Por sërish ndryshimi duket shumë i qartë, dhe ndryshimi i shkruesit është përfundimi më i mundshëm. Kompjuterët janë sot një pjesë gjithnjë e më e rëndësishme e analizës së teksteve. Unë kam parë një numër gjithnjë e më të madh studimesh në konferencat mbi Biblën Hebraike dhe Dhjatën e Re, që eksplorojnë aspekte të ndryshme të procesit të transferimit të teksteve në artefakteve dixhitale (si projekti Codex Sinaiticus), çështje që lidhen me mënyrën se si projekte të ndryshme mund të përdorin të dhënat e njëri-tjetrit, dhe suksesin apo dështimin e proceseve të të mësuarit makinerik.
Studiuesit biblikë, përfshirë një grup studiuesish në Zvicër, po përdorin të mësuarit makinerik dhe stilometrinë – studimin e stilit gjuhësor – për të përcaktuar se cilat letra të reja janë shkruar për shembulli nga apostulli Pal.
Të tjerët janë duke modeluar tekste për të eksploruar temat historike në Biblën Hebraike. Të mësuarit makinerik po përdoret gjithashtu edhe për të eksploruar variacione midis teksteve të ndryshme. Numri i rezultateve pozitive të gjetura në këtë mënyrë, e tejkalon shumë numrin e propozuar nga ekspertët njerëzorë.
E ndërsa përdorimi i inteligjencës artificiale në titullin e studimit të ri, mund të sugjerojë se kompjuterët kanë marrë rolin e studiuesve në Holandën Veriore, sigurisht që nuk është kështu. Por kalimi në studimin dixhital ofron mundësi të reja për studimin e teksteve të shenjta, veçanërisht të shkrimeve të krishtera dhe Biblës Hebraike./ “The Conversation” – Bota.al