Zbulohet në Peru gjeoglifi antik

Një gjeoglif antik është zbuluar nga arkeologët në jug të Perusë. Bëhet fjalë për një figurë të madhe maceje, e cila mendohet se është gdhendur rreth 2,000 vjet më parë. Gjeoglifi është pjesë e linjës “Nazca”, një koleksion me qindra vepra arti misterioze të gdhendura në një pllajë 250 milje, në jug të Limës.

Macja e gdhendur në përmasa rreth 37 metra, bashkohet me një varg vizatimesh të tjera zoomorfe të gjetura në peizazhin e rajonit gjatë shekullit të kaluar, përkatësisht me figurën e një zogu, një majmuni dhe një pelikani. Zbulimi në pllajën që tashmë është destinacion turistik u bë nga punonjësit e mirëmbajtjes.

“Figura ishte e paqartë dhe do të zhdukej si rezultat i vendndodhjes në një shpat mjaft të pjerrët dhe efekteve të erozionit natyror,” thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Kulturës.

Pas procesit të pastrimit, arkeologët zbuluan një seri vijash që ndryshonin në gjerësi nga 30 në 40 centimetra. Stili i saj sugjeron që ajo u krijua midis vitit 200 dhe 100 p.K, në periudhën e vonë të Paracas, transmeton ‘koha jone’.

Linjat “Nazca” u krijuan nga njerëzit para-hispanikë që hoqën shtresat e sipërme të shkëmbit dhe zhavorrit për të zbuluar një shtrat me ngjyrë më të çelët poshtë. Figurat e këtij lloji të familjes së maceve gjenden shpesh në ikonografinë e qeramikës dhe tekstileve në periudhën Paracas.