Një retrospektivë përkitazi mbi historinë e fotografisë shqiptare na ofron pamjen e një tabloje të pambaruar por, mbi të cilën vijojnë here pas here të hidhen penelata që po e plotësojnë atë me shumë maturi. Si lloji më i ri i artit pamor, i konfirmuar botërisht në fund të shek. XIX (fundi i periudhës Viktoriane), në Shqipëri ai ka përjetuar shpërfilljen, nënvlerësimin e diskriminimin e tij, veçanërisht gjatë periudhës së sistemit komunist.
Nga Kristaq BALLI
Dihet që Shqipëria ka qenë një oaz pjellor i fotografisë, pasi lëvrimi i saj ka filluar thuajse paralelisht me fotografinë botërore në dy qendra të emancipuara shoqërore e kulturore si Shkodra e Korça me disa studio e fotografë të mirëfilltë artistë. Nën influencën e shembullin e tyre, ata induktuan edhe në qendra të tjera urbane të tjerë artizanë të fotografisë t’i përvishen këtij profesioni kryesisht për nevoja shoqërore, familjare e komerciale.
Kështu, deri në fund të gjysmës së parë të shek. XX thuajse në të gjitha qytetet kryesore, madje edhe në venbanime rurale si Dardha e Korçës, prej ku është lançuar edhe fotografi i parë autokton shqiptar-Papa Jani Zengo,(K.Balli, Q. Vrioni, N. Kotherja), u krijua një rrjet i gjerë shërbimesh fotografike, që zakonisht përfshinin edhe procesin e fotografimit në pllaka xhami, apo në filma celuloidi edhe procesin e retushimit estetik të portreteve në studio, edhe procesin e zhvillimit e larjes së tyre.
Pra, këto studio, apo fotografë kryenin njëheresh edhe punën “artistike të vizionit” edhe atë “teknologjike”, të dyja të lidhura ngushtësisht e që siguronin suksesin, apo jo të studios. Ndërkohë, konkurenca profesionale midis tyre ishte e shprehur hapur dhe në favor të atyre që në fund të fundit materializohej me “magjinë” e atij që prodhonte foto më të realizuara estetikisht dhe teknikisht.
E njohur, e dëgjuar dikur, por e harruar, e paevidentuar dhe e pastudiuar deri sot për arsye nga më absurdet, mbi të gjitha vrastare, është edhe një studio fotografike në Korçë, e cila ka kontribute të veçanta e autentike në historinë e fotografisë shqiptare.
Në pasurinë e paçmuar të fotografisë shqiptare kanë meritën e tyre edhe shumë fotografë, studiues, udhëtarë, konsuj, albanologë etnologë e antropologë të huaj, të cilët kanë realizuar mijra fotografi ekzotike për vendin dhe popullin tonë, sikundër duhet vlerësuar edhe kontributi i disa fotografëve të vjetër shqiptarë, apo me origjinë shqiptare që kanë punuar si të tillë jashtë Shqipërisë, në ShBA, Greqi, Rumani, Bullgari, Japoni, Kore, Maqedoninë e Veriut, etj.
Pas Luftës II Botërore, me vendosjen e regjimit totalitar në Shqipëri, ashtu si edhe sferat e tjera të artit e kulturës, edhe fotografia pësoi një metamorfozë dehumanizimi e faktorizimi politik që do t’i shërbente ideologjisë e propagandës komuniste. Fotografia në kontekstin e saj emocional e estetik do të venitej dalëngadalë për t’ia lënë vendin një tjetër lloj arti propogandues të njeriut të politizuar deri në palcë, të njeriut të ri virtual komunist. Fotopllakati i ashpër revolucionar i realizmit socialist, që deformonte antropologjinë fizike e psikologjike, madje edhe të peizazhit natyror në shërbim të megallomanisë patologjike të sistemit totalitar, frustoi e shmangu gradualisht dimensionet e realizmit, të së bukurës, intimes, privatësisë, delikatesës, sensibilitetit human e sidomos atij femëror. Më në fund, procesi përfundimtar i shtetëzimit e kolektivizimit të pronave e profesioneve në ndërmarje artizanale, midis të cilëve edhe atij të fotografëve, shënon edhe goditjen e fundit e pikiatën dramatike të fotografisë që humbi çdo vlerë e interes krijues e artistik. Kjo bëri që fotografët, sidomos ata më të hershmit të humbisnin interesin dhe shpresat për mbijetesë ndaj profesionit dhe bashkë me prishjen e studiove të tyre, ata asgjësuan edhe fototekat me dhjetëra mijëra fotoprova e pllaka, apo filma negativë, duke shkaktuar një dëm të pallogaritshëm për memorjen kombëtare.
Si rezultat i kësaj goditjeje cerebrale mbijetuan shumë pak fotografë të mirëfilltë, që jo publikisht, fshehur nga makineria dërrmuese e shtetit, vijuan të punojnë me shpirt artisti për të lënë si dëshmi antikonformizmin e tyre në fotografi që inkuadrohen me dinjitet në Historinë e Fotografisë Shqiptare.
Me fillimin e viteve ’90 të shekullit të kaluar e më tej, tabloja sinoptike e fotografisë, ashtu si gjithë jeta politike, shoqërore, materiale, shpirtërore, kulturore e artistike do të pësonte një kthesë 180 gradë, duke mbartur mbi vete një vektor historie plot zik-zake, zhvillime, dështime, progrese, përpjekje mbijetese dhe, sot, përballjen me një realitet të ri universal pa barriera e kufizime politike e ideologjike, por gjithsesi të ballëpërballshëm artistikisht me arritjet e mëdha botërore.
Pak a shumë këtë parabolë “profesionale” ka përshkuar edhe “Foto-Studio Venetiku”, një nga më të hershmet e më të njohurat në Korçë, me një aktivitet më se gjysmëshekullor e me disa fotografë protagonistë. Sigurisht, ata që kanë ende kujtime, apo marrëdhënie shpirtërore me këtë studio, sikundër edhe historianët e studiuesit e fotografisë, apo qytetarët që e kanë njohur këtë familje intelektualësh e artistësh të mirënjohur korçarë e kanë një dilemë: si është e mundur që kjo studio aq e njohur dikur, “kamerat obscura” të së cilës mbanin gjurmët e imazhet e mijëra qytetarëve, ngjarjeve historike, personazheve e personaliteteve të shumtë të kohës, peizazheve e kartolinave të shumta që u përgatitën këtu, të jenë hedhur në humbellën e harresës e të përjashtimit nga kujtesa, nga opinion qytetar, intelektual, artistik, sikur ata të mos kishin ekzistuar kurrë? Sigurisht që kjo dilemë edhe pse retorike e ka një përgjigje: vitin 1975. Atë vit fatal për këtë familjeje, të ironisë së fatit tragjik të saj nga goditja vdekjeprurëse që grushti drastik i diktaturës, pas pleniumit të katërt famëkeq të KQ të Partisë së Punës, që kishte në shënjestër kryesisht intelektualët e artistët, i dha kësaj familje intelektualësh e artistësh elitarë që, për arsye fare absurde, e antihumane i konsideroi armiq të popullit, të Partisë, të ideologjisë së saj, të artit të realizmit socialist, zëdhënës të agjitacionit e propagandës kundër Partisë, apo, madje edhe bashkëpunëtorë të fashizmit (!) dhe i dënoi me aq vite të zgjatura burgimi, sa ata të mos dilnin dot prej andej të gjallë.
Por cila është historia e familjes dhe Foto-Studios Venetiku?
Rastësisht kishte qëlluar që shtëpia e familjes sonë dhe ajo e Venetikëve të ishin përballë e aq pranë, sa midis pjesëtarëve të tyre, tashmë komshinj të afërt të kishte marrëdhënie të afërta shoqërore, të cilat, veçanërisht në Korçë shpreheshin me një afinitet mjaft të dukshëm, si një zakon e traditë e veçantë morale, miqësore e qytetare për t’iu gjendur pranë njeri-tjetrit në çdo rast, në çdo moment. Gurët e sofateve para portave të çdo shtëpie ishin dëshmitarë mikpritës të fqinjësisë e afërsisë së banorëve të mëhallës, kryesisht të grave e vajzave që, bashkarisht me punët e tyre të dorës, thurrje me shtiza, apo qëndisje në gjergjef me gjilpërë e grep, shkëmbenin edhe “sekretet” e moshës së tyre, apo edhe të reja, pse jo edhe “thashetheme” apo kuriozitete të fshehta “konspirative” nga jeta e bëmat e familjeve rreth e rrotull. Njëra prej këtyre, e cila më është fiksuar në memorje, edhe pse isha ende shumë i vogël (por edhe shumë kurioz) lidhej me familjen Venetiku, pra që ajo kishte patur një djalë, më të madhin midis fëmijëve (me inicialin e emrit Th.) i cili kishte kryer vetëvrasje pasioni, sepse familja e tij nuk kishte pranuar që ai të martohej me vajzën që ai dashuronte…Kjo ndoshta kishte qenë tragjedia e parë e familjes Venetiku, e cila i kishte imponuar asaj mbylljen në vetvete dhe një vello misterioze të amosferës së saj shoqërore.
I pari i familjes Viskë Venetiku, me origjinë nga Vithkuqi bleu tokë poshtë Çezmës së Arave (sot qendra e qytetit) dhe ndërtoi aty shtëpinë e tij rreth vitit 1870. Prapa shtëpisë, ai ngriti edhe një punishte zdrukthtarie, me gjasa që ai të ushtronte aty profesionin e tij të marangozit. Ka mundësi që në këtë shtëpi të ketë lindur djalii tij Dhimitër Venetiku në vitin 1874, me emrin e të cilin lidhet edhe fillimi i një profesioni tjetër familjar që do të vazhdonte të trashëgohej për një periudhë mjaft të gjatë, pra fotografia, si dhe historia interesante e Foto-Studio Venetikut.
Nuk kemi të dhëna dokumentare se si u rrit e u edukua Dhimitri, por logjika gjenealogjike na ndihmon për të nxjerrë disa të dhëna biografike mbi jetën familjare e profesionale të tij. Ai duhet të jetë martuar rreth vitit 1900 me Aleksandra Stratin (1884- 1988) edhe ajo me origjinënga Vithkuqi. Fëmijët e tij, pra kanë lindur pas këtij viti.
Fotografitë e para të Foto-Studios Venetiku i përkasin të paktën vitit 1910. Tek “Enciklopedia e Fotografëve Korçarë” të studiuesit Niko Kotherja, lidhur me aktivitetin fotografik të familjes Venetiku, përmendet se “Historia e kësaj familjeje fillon me një fotograf, të cilit fatkeqësisht nuk i kemi emrin, por vetëm inicalet D. Venetiku…” Më tej: “Një dëshmi fotografike kemi nga shkrimtari Kristaq Cepa, me pseudonimin Kapa, i cili ka një fotografi të vitit 1927 në studion e TH.D.Venetikut që i bije të jetë i biri i D. Venetikut” . Po ky studiues pohon se “ Nga kjo familje ka dalë edhe një nga fotografet e para femra në Shqipëri me emrin Krisanthi Venetiku “(1910-1979 K.B.), por nga të tre emrat e mësipërm ai nuk ka mundur të gjejë ende ndonjë fotografi. Një vulë në anën e prapme të një fotoje me emrin Th.D.Venetiku e disponoj edhe unë (falë koleksionistit e studiuesit Sh.Sala) madje, përbri, me një datë të shkruar me bojë të zezë Kine, 19/9/27.
Nqs flasim për dëshmi, ka shumë të tilla nga persona e familje të shumta okulare korcare, si po edhe familja jonë, apo edhe vetë unë që disponoj foto të mijat nga Studio Venetiku, por do të veçoja, midis të tjerash edhe një dëshmi më të vjetër, atë të diktatorit Enver Hoxha në librin e tij “Kujtimet e Rinisë” kur ai ishte student në Liceun Francez të Korçës (1927-1930, K.B.): “… më kujtohet se tok me Elmaz Konjarin dhe me një shok tjetër korçar shkuam bëmë një fotografi, te «Venetiku», afër Shëngjergjit. (f. 122)
Duket si një rebus proliks apo lëmsh i ngatërruar, por një qëmtim me logjikën koherente të fakteve, dokumenteve, fotove, kartolinave, vulave, si dhe të kujtimeve e gjurmimeve të mia të shumta për këtë familje me disa fotografë do të na nxjerrë në rezultate befasuese.
1. Fotot e hershme të studios Venetiku u takojnë të paktën viteve 1910, disa prej të cilave janë monumentale, me përmbajtje e personazhe të njohur patriotike e kombëtare e me elementë të pasur kulturorë e etnografikë. Që ato mund t’u atribuohen fëmijëve të Dhimitër Venetikut nuk ka mundësi, sepse, ashtu siç e përmendëm më lart fëmijët e tij më të mëdhenj që kishin lindur pas vitit 1900 (sipas dokumenteve zyrtarë), ishin në atë kohë më pak se 10 vjeç e të tjerë nuk kishin ardhur akoma në jetë. Pra fotot e viteve ‘10-20 i takojnë me shumë propabilitet vetë Dhimitrit, edhe duke vlerësuar që vula që përmend z. N.Kotherja, pra “D. Venetiku”, duhet të jetë me shumë gjasa e mjeshtrit Dhimitër Venetiku, sepse, siç ka ka ndodhur shpesh me emrat shqiptarë iniciali “D” është një reduktim, apo thjeshtësim ta konsiderojme simbolik e estetik autorial i shkronjës “Dh”, por që nuk prish semantikisht emrin e tij nga Dimitër në Dhimitër. Kështu kanë bërë edhe shumë shqiptarë, por edhe artistë të tjerë kur e kanë konsideruar të arsyeshme. E, për një burrë mbi të 35-at, të pjekur tashmë, pllot i një familjeje me “shtëpi e katandi” e me ambicje për t’u shkolluar, edukuar e për një status të nderuar shoqëror e kulturor, siç rezultoi në fakt kjo familje në vitet e mëvonshme, nuk mund të jemi të dyzuar tashmë se ai që ka filluar i pari rrugën e fotografisë në familjen Venetiku ka qenë vetë Dhimitri dhe se aktiviteti i tij në fotografi ka vijuar të paktën derin nga vitet 1925, kur fëmijët e tij kanë arritur një moshë për t’u përfshirë në këtë fushë. Një tjetër e dhënë që Dhimitër Venetiku ka qenë fotografi i pare i kësaj studioje ka qenë një bisedë e imja me të bijën kur nga vitet ’70 duke e pyetur se nga e ka mësuar procesin e fotografimit, ajo më ka thënë se e ka mësuar nga babai dhe se ajo ka pasur raste që ka retushuar negativët e tij e të vëllait Jovan. Dhimitri ka vdekur rreth vitit 1945.
Studio Venetiku nuk ishte e vendosur në një dyqan jashtë shtëpisë, siç bënin zakonisht zanatçinjtë e tregtarët e vegjël të asaj kohe, por ishte akomoduar e përshtatur brenda saj, në një dhomë të madhe në katin e dytë. Mjediset e retushit dhe laboratori i zhvillimit e larjes ishin më prapa, ndoshta në një ndarje të punishtes së zdrukthtarisë. Fotot që i përkasin kësaj kohe pasqyrojnë gjerësisht situatën e re të jetës politike, ekonomike, sociale, arsimore, kulturore e artistike të Korçës në një periudhë kur qyteti bënte një jetë të gjallë e shumë progresive në çdo këndvështrim, e kjo s’kishte si të mos pasqyrohej edhe në atmosferën e përmbajtjes dhe paraqitjes së fotografive të kësaj studioje. Një vend të rëndësishëm në to zenë edhe personazhe protagonistë dhe ngjarje të rëndësishme historike në Korçë që lidhen me zhvillimet e shoqërisë shqiptare.
2. Duhet të përqëndrohemi tek një foto e prerë në mënyrë katërkëndshe në një nga cepat e saj, ku nuk identifikohet dot personazhi, apo pamja fotografike e realizuar. Por, në anën e prapme gjendet vula e fotografit që përfaqëson një nga anëtarët e tjerë të familjes Ventiku: Th.D.Venetiku. Ajo është një vulë e njomë me ngjyrë blu, me shkrim kaligrafik dhe një nënvizim në formë shigjete. Po ashtu i referohemi studiuesit Kotherja mbi ekzistencën në familjen Cepa të një fotoje me po të njëjtin autor. Akrostika kompozicionale (Inicialii emrit të fëmijës, iniciali i emrit të babait e në fund mbiemri ) dhe fakti që profesioni në shumë familje zejtarësh korçarë trashëgohej brez pas brezi, na çon në përfundimin e sigurt se ky autor përfaqëson një prej fëmijëve të Dhimitrit. Por, cilin? Kjo familje, për arsye që do t’i shpjegojmë më poshtë është shuar plotësisht, ndërkohë që nga të dhënat e dokumenteve familjare nuk ekziston ndonjë fëmijë që t’i fillojë emri me shkronjën “Th”, madje as i bashkëshortes, mbi të cilin të aludojmë. Atëherë mendja na shkon sakaq tek tragjedia suicide e njërit prej djemve të familjes të përfolur në opinion e që ka ndodhur, sipas gjasave, nga vitet 1927-30. Sipas një arsyetimi të përafërt e adekuat, ky inicial është pjesë e emrit të djalit të madh të Dhimitrit, lindur rreth vitit 1900, i cili ka ushtruar profesionin e fotografit në një moshë të bindshme e deri në aktin e tij traumatik. Përsa i takon mungesës së emrit të tij në dokumentet zyrtare(të viteve 1945) mund të ketë ndodhur që, për hir të rrethanave familjare, të opinionit, frustimit, “diskriminimit”, mentalitetit paragjykues provincial të atëhershëm e bulizmit që ajo mund të linte njollë të errët për të ardhmen e fëmijëve të tjerë dhe tek gjithë familja, në ndonjë census të viteve ’30, pra pas vdekjes së Th., ai nuk është regjistruar nga familja zyrtarisht, është bërë inekzistent dhe nuk është pëmendur e kujtuar më, aq sa edhe ne banorët komshinj të viteve të mëvonshëm nuk arritëm ta mësojmë asgjë për të, veçse jehonën e misterit të tij. Edhe diçka, gruan e Dhimitrit, teto Aleksandrën, apo “e Dhimitrit”, siç e thërrisnim të gjithë, e mbajmë mend të veshur vetëm me rroba të zeza zije e fataliteti gjatë gjithë jetës së saj dhe që, thuajse nuk kapërxente pragun e shtëpisë. Aq sa kur kishte për të dërguar ndonjë send apo ushqim tek një e afërme e saj e moshuar aty pranë Mitropolisë, nuk shkonte vetë por na dërgonte ne të vegjëlve t’ia mbaronim porosinë dhe kur ktheheshim e i thoshim se e kishim kryer “misionin”, na falenderonte duke na dhënë edhe ndonjë biskotë.
Sidoqoftë, Th. D.Venetiku mbetet fotografi i dytë në rradhë i familjes dhe Foto-Studios Venetku, i cili na ka lënë dëshmi fotografike, si dhe identitetin e emrit të tij profesional. Me siguri, nëse ai e ka përdorur për një kohë të gjatë shemrën e identifikimit të tij, mund të gjenden edhe foto të tjera . Nëse, jo, mund të ndodhë që fotot e tij mund të përzihen me fotot e autorëve të tjerë të familjes por, gjithsesi, ai mbetet një fotograf autentik i kësaj studioje.
3. Në vitin 1907 lindi djali Jovan. Ai duhet të ketë pasur një jetë fëmijërore e rinore të plotësuar me shkollim, edukim, shoqëri e aktivitet të bollshëm qytetar. Ai zotëronte gjithashtu botëkuptim properëndimor dhe politikisht ishte një tip diskret e kontraversal ndaj lëvizjes komuniste e nacionalizmit. Nuk dihet se çfarë arsimi e edukimi kishte marrë brenda apo jashtë vendit, por dihet që në shtëpinë e tyre kishte shumë libra në gjuhë të huaj që do të përbënin nuklin e një biblioteke të pasur vite më vonë. Nuk dihet, gjithashtu se çfarë angazhimesh profesionale ka patur, por dimë nëpërmjet dokumenteve e fotografive të shumta që ai ka marrë drejtimin e studios fotografike dhe se gjatë kohës që ai ka menaxhuar këtë studio, sasia dhe niveli profesional e artistik i fotografive ka qenë i admirueshëm. Sigurisht, proceset e fotografimit ai i mësoi fillimisht nga babai i tij, pa përjashtuar mundësinë e ndonjë specializimi jashtë Shqipërisë. Fatmirësisht një pjesë e madhe e fotove të tij kanë vulat autoriale. Dhe janë dy lloj vulash. Njëra, ajo më e hershmja është e përafërt me vulat tradicionale familjare të mësipërme, e njomë, me bojë blu e ku lexohet J. Venetiku. Ndërsa tjetra, më vonshmja është rrumbullake, e njomë, me bojë të kuqe të theksuar, vendoset në një cep prapa fotos, ku lexohet shumë qartë” JOVAN DH. VENETIKU- FOTOGRAF-KORCЁ.
Këtë vulë mendoj se ai e ka përdorur deri në vitin 1943, vit që shënon edhe përfundimin e profesionit të fotografit në Shqipëri. Në fund të këtij viti, apo në fillim të vitit 1944 Jovani, në moshën 36 -vjeçare, që nuk kishte krijuar ende familjen e vet, emigroi si refugjat në Itali pas kapitullimit të saj dhe hyrjes së forcave gjermane. Arsyet e emigrimit të tij nuk i ka shprehur vetë, por disa e lidhin me një argumentim politik enigmatik. Unë mendoj se profili i tij i formuar antikonformist e sfidues intelektual parashikoi një të ardhme të zymtë e dogmatike të sistemit dhe shoqërisë shqiptare, ndaj ai gjeti rastin të emigrojë për një jetë me hapësira më të lira bindjesh e shprehish demokratike. Ajo që ne mësuam shumë vite më vonë, ishte se lidhja e komunikimi e tij me familjen, sidomos pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri u bë thuajse inekzistent dhe ai, nuk përmendej nga familja, sidomos pas çlirimit të saj, më 1944, gjurmët e tij humbën. Madje ai do të bëhej një njollë e dyshimtë që do të influenconte shumë më vonë në tragjedinë asgjesuese të familjes së tij të mbetur në Korçë. Pas shumë dekadash, kur sistemi politik diktatorial në Shqipëri u rrëzua, por kur edhe familja e tij native kishte pësuar kalvarin e zhdukjes, rastësisht bijem sërish në gjurmët e jetës së e tij. Një fotografi e vitit 1959 e hedhur pak kohë më parë në internet, e shoqëruar me një interpretim shumë human zyrtar të Departamentit Kanadez të Emigracionit hedh dritë të saktë mbi jetën e Jovan Ventikut: “Jovan Venetiku, 52 vjeç kaloi 14 vjet në kampet e refugjatëve në Itali pa mundur të emigrojë për arsye të gjendjes së TB (Tuberkulozit). Ai, gruaja e tij dhe vajza, Maria, ishin midis grupit të parë të refugjatëve që mbërriti në Kanada në kuadër të një plani special rivendosjeje me rastin e Vitit Botëror të Refugjatëve. Maria, gjatë 10 viteve të saj, nuk ka njohur kurrë një shtëpi të vërtetë.” Sot Jovani dhe gruaja e tij nuk jetojnë, por vajza Maria, e cila duhet të jetë e datëlindjes 1949 jeton në Kanada. Kështu, ajo mbetet pinjollja më e afërt e familjes Venetiku. Në raport me profesionin dhe prodhimtarinë fotografike prej më se pesëmbëdhjetë vitesh, (1928-1943) Jovan Venetiku mbetet fotografi më prominent i Foto-Studios Venetiku. Fotografitë e periudhës së tij janë në gjini dhe me subjekte të larmishme. Përveç fotove në studio, portreteve vetiake, familjeve, fëmijëve, grupeve të ndryshme muzikore, karnavaleve, të cilat i kompozon me një narrativë plot fantazi e elementë improvizues e estetikë, ai ka lëvruar dendur edhe foto-peizazhin si sheshet, rrugët kryesore, ndërtesa të mëdha e karakteristike institucionale, si dhe foto direkte nga ngjarje të rëndësishme shoqërore e qytetare. Me disa foto peizazhe, madje janë realizuar edhe kartolina, si “Sheshi i Shën Gjergjit”, 1930, Bulevardit Zogu I (nga Libraria Kotzias, Korçë),1929,etj. Ndërkaq, midis fotove në studio, të cilat janë të shumta e të realizuara me elementë plot finesë artistike mund të veçohen “Fëmijët e mëhallës”, “Çupat e mëhallës”, “Portret vajze duke lexuar”,që i takon më shumë një fotoje studimore, “Djemtë e Thoma Orollogajt” (Minister i drejtësisë,K.B.),
Fotografitë e Jovan Venetikut, të panjohura deri sot, mbeten jo vetëm dëshmi autentike e jetës historike, shoqërore e kulturore të kohës, por edhe një kontribut i vyer artistik në Historinë e Fotografisë Shqiptare.
4. Pas emigrimit të J.Venetikut, më 1943, aktiviteti i Foto-Studios Venetiku nuk ndërpritet. Një tjetër pjesëtar i familjes, por këtë herë femër, bijë e kësaj familjeje e quajtur Krisanthi (1910 – 1979) mori drejtimin e saj. Krisanthi, si gjithë fëmijët e kësaj familjeje kishte një prirje të shprehur artistike, atë të pikturës. Shtëpiake, krahas punëve të përditshme, ajo merrej me qëndisjen, në të cilën ishte mjeshtre, sidomos në kompozimin e nënkresave me lule të ngrira dhe pikturimin e tyre me një metodë piroteknike, që atë botë ishte tejet në modë në Korçë. Një vajzë e imët, shëndetligë, me syze të trasha optike dhe disi e tërhequr nga jeta shoqërore, por shumë e qetë, e arsimuar, edukuar dhe e sjellshme e elokuente, ajo i ishte kushtuar kujdesit për shtëpinë e madhe, prindërit e vëllezërit dhe nuk do të krijonte kurrë familjen e saj. Nga ana tjetër, studioja fotografike siguronte të ardhura për të jetuar. Situata e vështirë e krijuar pas emigrimit të Jovanit u bë një motiv mbijetese, ndaj ajo vendosi të vazhdojë krahas punëve të tjera të dorës edhe atë të fotografes. Në këtë kohë ajo ishte 33 vjeç dhe duhej të ishte e familjarizuar edhe me studion e fotografive, për hir edhe të dellit të saj artistik. Në këtë mënyrë nuk e pati të vështirë të përshtatet e të vazhdojë normalisht veprimtarinë studios. Shumë vite më vonë, mbaj mend se e kam pyetur ku dhe si e ka mësuar profesinin dhe ajo më është përgjigjur se babai, Dhimitri, e ka ndihmuar për ta përvetësuar atë.
Krisanthi është, pa dyshim, fotografja e parë shqiptare. Aktiviteti i saj fotografik vijoi deri nga vitet ’70 të shekullit të kaluar, pra rreth 30 vjet. Puna e saj si fotografe ishte e përqëndruar kryesisht në studio, dhe fare pak, ose aspak jashtë saj. Me tematikë, përmbajtje, kompozicione të larmishme, me sfonde që i ndryshonte shpesh, me një ndriçim plot efekte vizuale, me objekte ornamentale si tavolina të vogla antike prej druri të gdhendura e vepra skulpturore artistike që shoqëronin subjektin, ajo krijonte një mjedis “skenografik” të kulturuar e plot imagjinatë. Gjinia e preferuar dhe më e lëvruar nga Krisanthi ishte portreti bust, apo statujë, pasi edhe kërkesat për këtë gjini ishin më të mëdha, sidomos gjatë dhe pas viteve ’50 për shkak të dokumenteve zyrtarë dhe diplomave të shkollave të mesme e të larta. Për ne fëmijët e mëhallës fotot ishin dhuratë e studios. Sidomos kur na nevojitej për tabelën e të dalluarve në shkollë.
Edhe Krisanthi kishte vulën e saj identifikuese të studios. Ajo ishte një varianti më i vjetër i një prej vulave të përdorura edhe nga babai dhe vëllezërit, ajo e njoma me ngjyrën blu, duke i hequr inicialet e emrave të pararendësve të saj, duke lënë vetëm mbiemrin Venetiku dhe me ngjyrë kafe sepia.
Rreth viteve 1960, me krijimin e qendrës qytetit, të teatrit dhe disa pallateve të reja (Optika), shtëpinë e Venetikëve e zuri plani urbanistik dhe ajo u prish. Familja u zhvendos nga shteti në një hyrje të vogël pallati në po atë lagje. Njëheresh, ishte edhe koha e shtetëzimit e kolektvizimit të shërbimeve publike. Ndaj, rrënimi i shtëpisë, shënoi edhe fundin e “Studio-Venetikut”. Për të përballuar jetesën, Krisanthi, si shumë fotografë e zantaçinj të tjerë punoi për disa kohë si fotografe në kooperativën artizanale të qytetit. Por aty ajo nuk ndjehej vetvetja. Sipas saj, fotot e realizuara aty ishin sa për të shkuar rradhën, aspak të denja dhe pa asnjë gjurmë identiteti, sepse tjetër njeri shkrepte aparatin, të tjerë që nuk merrej vesh bënin përpunimin laboratorik dhe në përfundim për cilësinë e tyre të dobët nuk përgjigjej askush. Ca më keq, që në këtë profesion edhe artistik, u punësuan edhe njerëz diletantë, të pakualifikuar, të paarsimuar, të patalentuar. Për këtë arsye, e deziluzionuar dhe e zhgënjyer, ajo u largua prej andej, për t’iu kushtuar nënës së moshuar, Aleksandra (Babai, Dhimitri, kishte ndërruar jetë rreh vitit1945) dhe duke u marrë me profesionin saj të vjetër të qëndisjes me pirografi, ndonëse shikimi i saj sa vinte e dobësohej.
Kur u boshatis dhe u shemb shtëpia dhe studioja e familjes Venetiku, për ne fëmijët e lagjes, por jo vetëm, ka mbetur një ngjarje e pashlyer nga kujtimet. Meqënëse apartamenti, ku do të transferohej familja ishte shumë më i vogël se ndërtesa e shtëpisë, mjaft objekte e aparatura të studios, baçokë, tava, aparatura të vjetra fotografike, shishe me tretësira kimike, projektorë, sfonde, por, në veçanti dhjetëra kuti të mbushura me xhama, lastra e filma negativë të arkivuar për dekada të tëra, u nxorën në oborr dhe u lanë aty në pamundësi risistemimi. Pa ua ditur vlerën e madhe kulturore, ato u bënë objekt shpërdorimesh, thyerjesh, e sidomos lodrash për fëmijët. Oborri u mbush me një shtresë xhamash të zinj të thyer. Ne, fëmijët, me kuriozitet shihnim nëpërmjet tyre silueta njerëzish e peizashesh inverse në ngjyrë dhe habiteshim sepse nuk kuptonim procesin e xhamit apo filmit negativ. Të shumtën, ne i përdornim ato per të vështruar diellin gjatë ditës, apo për të luajtur “me fit”, pra kush do t’i fitonte më shumë xhama njeri-tjetrit, të cilat thyheshin në fund, njëlloj sikundër bënim me ashikët, kapaçkat e birrës, fugat, pullat, etj. Nga këto ditë, unë kam akoma kujtim “damkën” e një prerjeje serioze në dorë, që më kushtoi një muaj mjekim kirurgjikal. Ndërkohë, një kujdes të veçantë familja tregoi për librat e bibliotekës, që ishin në gjuhë të huaj, si dhe shumë libra muzikorë e partitura, shumica të kopjuara të kompozitorëve botërorë. Një dosje të madhe prej tyre, si dhe një kuti me xhama të filmuar e mbajtëm në shtëpinë tonë me kujdes e mirëbesim (pa e ditur fare se çfarë përfaqësonin) dhe e kthyem sërish pasi familja u sistemua në apartamentin e ri.
Kur u prish shtëpia, kuptuam se u gris edhe pezhishka (velloja) e misterit të kësaj familjeje profesionistësh, artistësh e intelektualësh të veçantë, që jetonte përtej kohës e ngjarjeve të ditës, e shkëputur, e mbyllur, e sfumuar privatisht në një realitet tjetër virtual e vetmitar, prudent e tejet diskret, të pakuptueshme për të tjerët, në thelb e një paradigme surreale, që e konservonte ritualin e jetës së vet në hermetizmin e ekzistencializmin individual.
Ky duhet të ketë qenë edhe momenti i fillimit të survejimit politik të familjes Venetiku nga organet e Sigurimit të Shtetit. Shoqërizimi i pashmangshëm i jetës në pallatin ku banuan rishtas, krijoi mundësinë e infiltrimit të njerëzve të afërt komshinj (madje edhe brenda familjes) dhe të Degës së Brendshme për të kontrolluar e vlerësuar jetën e tyre private.
Për të plotësuar sa më mirë kalvarin e dhimbshëm human e profesional të famljes dhe Foto-Studios Venetiku, më duhet të them sintetikisht disa fjalë edhe për dy fëmijët e tjerë më të vegjël të familjes:
Andoneta Venetiku (Netka)(1912- 2000), e prafundit e fëmijëve të Dhimitrit, duket se nuk ka marrë pjesë aktive në veprimtarinë e studios. Ajo është arsimuar dhe ka bërë një jetë të gjatë rinore, beqarie e alegrie. Rreth viteve ’50 ajo u martua me një shtetas intelektual austriak në Tiranë (të cilit i kishte vdekur gruaja e parë dhe nuk kishte fëmijë), lindi një djalë, i cili për fatin e keq, si po e gjithë familjes Venetiku, ndërroi jetë në moshë minorene nga një pleurit akut. Vitet e mëpasshme të çiftit vazhduan të ankthshme për fatin e pjesës tjetër të familjes Venetiku, derisa ata ndërruan jetë, fillimisht burri e më pas Andoneta rreth vitit 2000.
Kristo (Kiço) Venetiku (1922-1985). Ёshtë fëmija i fundit i familjes Venetiku. I mësuar në shkollat e kohës në Korçë, ndoshta edhe jashtë vendit, ai ishte një erudit i talentuar në fushat e shkencave të natyrës (matematikë) dhe sidomos në muzikë. Ishte, gjithashtu, poliglot e midis gjuhëve të huaja ai dinte mirë gjuhën gjermane, një fenomen i rrallë në Korçë në atë kohë. Studiues autodidakt, muzikant me talent gjenuin, por edhe i përkushtuar me pasion të jashtzakonshëm ndaj muzikës klasike. Ai luante mrekullisht në trompo dhe korno, por veçanërisht në kitarë, ku ishte një nga mjeshrat më virtuozë të kohës në Shqipëri dhe njihte pothuajse të gjitha veglat muzikore të një orkestre. Nuk e dimë se ku e kishte mësuar solfezhin dhe disiplinat e tjera muzikore, pasi ai ishte një profesionist i vërtetë i partiturës, i orkestrimit, i aranzhimit, i dirigjimit, i shkrimit e kopimit të veprave muzikore me një kaligrafi të bukur, origjinalet e të cilave ishin shumë të rralla. Ai kishte, gjithashtu, një bibliotekë me libra të huaj muzikorë e letrarë. Për disa vite punoi si mësues matematike në disa shkolla të Korçës. Paralelisht ishte një prej instrumentistëve themlues e kryesorë të Korit Lira, të orkestrës simfonike të qytetit, si edhe edhe drejtues dhe dirigjent i bandës muzikore të qytetit. Në marrëdhënie me fotografinë dhe studion familjare ai nuk është përfshirë, por, mendoj se ai e ka njohur dhe ka ushtruar këtë profesion për hir të kuriozitetit dhe hobisë së vet në të gjitha artet. Sidoqoftë, ndonjë shkrim, apo album që i atribuon atij disa foto të caktuara (madje të periudhës së hershme, kur ai nuk kishte lindur), janë keqkuptime e të pavërteta. Pra, ai nuk mund të konsiderohet si fotograf i studios Venetiku, por si një intektual e artist i shquar e shumë aktiv në veprimtaritë muzikore.
Kiçoja u martua, por nuk pati fëmijë.
Do të duhej të vinte viti 1975, kur, pas Pleniumit famëkeq të KQ të Partisë së Punës (1973), filloi fushata kundër “shfaqjeve të huaja liberale” në kulturë e arte. Kjo gjueti shtrigash që kishte si qëllim eleminimin e një plejade artistësh të të gjitha fushave krijuese e interpretuese, në favor të një arti dogmatik që t’i shërbente formimit të njeriut të ri, një prototip i robotit frymor, si instrument i diktaturës e ideologjisë komuniste, i kushtoi Shqipërisë, ashtu si edhe qytetit të Korçës viktima të shumta e të pafajshme që i jepnin tonin atmosferës kulturore e artistike të qytetit e më gjerë. Radarët dhe skaneri i sistemit më të madh e më të sofistikuar të gjurmimit, spiunimit dhe dënimit antihuman të lirisë së mendimit e krijimit, nuk kurseu as “grupin armiqësor të partisë e popullit” të përbërë nga piktori Vangjush Tushi (sot-Piktor i Popullit), muzikanti Kiço Venetiku (sot Qytetar Nderi), profesori e gjuhëtari Gaqo Peci (djali i patriotit të shquar, Sotir Peci) dhe fotografja artiste Krisanthi Venetiku. Pas një periudhe hetuesie shumë të gjatë për të pranuar akuzat e stisura e të manipuluara, gjyqi i tyre farsë para një publiku të gjerë nëpërmjet dëshmish e dëshmitarësh të frustuar e të detyruar për të bërë stigmat e porositura në zyrat e prokurorëve të diktaturës) atyre iu privua liria e jetës për aq vjet sa ata nuk mund të dilnin më gjallë nga burgjet komuniste.
Kështu, Krisanthi Venetiku, e para fotografe shqiptare, një grua e urtë, e kulturuar, e edukuar dhe e emancipuar ndërroi jetë pas një greve urie në burg në vitin 1979.
Kiço Venetiku, gjithashtu, ndërroi jetë në burgun e Burrelit në vitin 1985.
Ndërkohë, nëna e tyre e moshuar, e vetmuar, e sëmurë dhe e abandonuar nga njerëzit përreth, kishte vdekur në vitin 1976.
Ja, pra, ky ishte kalvari, fundi dhe shuarja tragjike e një prej familjeve më të njohura intelektuale në Korçë, si dhe e një studioje fotografike me një shpurë fotografësh profesionistë e artistë të vërtetë të kamerës obscura. Prodhimtaria e tyre më se 50 vjeçare prej mijra e mijra fotosh e negativësh, sidomos ajo eksperimentuese e studimore u zhduk, u sekustrua, u shkatërrua, për të mos lënë gjurmë e dëshmi autentike sidomos në Historinë e Fotografisë Shqiptare e duke i krijuar një boshllëk të konsiderueshëm.
Sidoqoftë, kërkimet dhe gjurmimet tona të vijueshme, përveç fotove të shumta familjare që ende ekzistojnë në Korçë, janë në drejtimin e duhur e shpresëdhënëse në zbulimin e një kolekisoni (dhe mua me kujtohet si vegim kutia e xhamave që familja jonë ruajti për pak kohë) unikal e përfaqësues të kësaj studioje me autoritet e identitet të spikatur profesional./koha jonë