Kush ishte gruaja që i qëndroi pranë Pushkinit edhe në internim?

Aleksandër Sergejeviç Pushkini është themelues i rrymës letrare realiste në Rusi. Në krijimtarinë e tij ai pasqyron jetën, botën dhe natyrën ruse.

Kryevepra e tij është romani në vargje “Eugjen Onjegini”, i cili u bë model dhe pikënisje e tërë letërsisë realiste ruse. Ai lindi në Moskë më 6 qershor 1799 në një familje oborrtare. Më 1811 u regjistrua në një lice ku mësonin fëmijet e aristokracisë peterburgase. Ambienti në lice la gjurmë të pashlyeshme në mendjen dhe zemrën e djaloshit. Mjedisi aty ishte i pasur me idetë e anticarizmit. Që në moshë të vogël ai shkroi vjershat e para lirike për gëzimet e jetës, për dashurinë, për miqësinë dhe për natyrën. U bë i njohur me oden “Liria”, poezitë “Cadajevit” dhe “Fshati”. Poezia e Pushkinit u ndalua nga censura cariste, por ajo u përhap dorë me dorë në qarqet përparimtare. E internuan në jug në Kaukaz, ku e mbajtën në mbikëqyrje. Pushkini jetoi në jug gjatë viteve 1820-1824. Ëndërrimet liridashëse i shpalosi me frymë bajroniane. Poemat që e bënë të famshëm janë “Robi i Kaukazit”, “Shatërvani i Bahcesarait”, “Ciganet” etj..

Në vitin 1820 i gjetën një letër ku shpreheshin pikëpamje ateiste, gjë që ia forcoi dënimin. E detyruan të jetonte pa të drejtë largimi në fshatin Mihajllovsk. Njeriu i dashur, që i qëndroi pranë në këto vite të vështira, ishte dadoja, së cilës Pushkini i ka kushtuar vargje nga më të ndierat. Dështimi i kryengritjes së dekabristëve, të këtyre fisnikëve përparimtarë, që donin të rrëzonin carin, e tronditi atë pamasë. Pushkini ishte një përkrahës i hershëm i dekabristëve dhe, kur cari e pyeti se çdo të bënte po të kishte qenë më 25 dhjetor në Sheshin e Pallatit, ai u përgjigj pa iu dridhur qerpiku: “Do të isha përbri shokëve të mi në kryengritje!” Reaksioni carist u bë edhe më i egër kundër poetit. Pas këtij dështimi në poezi u ndjenë ndjenja pesimizmi “mëshira për të rënët”, “mërzia e përgjithshme” që kishte pllakosur brezin e tij etj. Por siç ka vënë në dukje për të Bjelinski, Pushkini shkundte pesimizmin si luani pluhurin nga krifa e tij. Në vitin 1827 shkroi poezinë e njohur “Në Siberi”, ku bënte thirrje për qëndresë krenare dhe shpresë. Viti 1827 ishte viti i fundit i internimit në Mihajllovsk. Pas kësaj, poeti jetoi në Petërburg dhe në Moskë, ku nisi, periudha e fundit e krijimtarisë së tij, që u pasurua me kryeveprën “Eugjen Onjegin”(1831).

Pak kohë para se të vdiste shkroi poezinë “Monument”, ku në mënyrë gjeniale parashikoi pavdekësi për veten, sepse me lirikën e tij ai kishte prekur miliona zemra. Tema e poezisë është madhërimi i poetit nëpërmjet krijimtarisë letrare të tij, ndërsa ideja që përcjellë kjo poezi është se poeti i vërtetë është i pavdekshëm. Gjuha e përdorur është përshkruese, në veçanti për pozitën e tij në botë pas vdekjes dhe në përgjithësi për poetin e vërtetë që krijon vepra të kulluara artistike. Poeti e përshkruan të ardhmen hipotetike që me kohën del të jetë përshkrim real ashtu siç është parashikuar nga ai. Shikuar nga aspekti i shkak-pasojës del se shkak për monumentin e ngritur të poetit është arti i tij i krijuar në të gjallë dhe dashuria e madhe e popullit që kishin për të, kurse pasoja është pikërisht ky monument që është shenjë e pavdekësisë së emrit dhe veprës së poetit. Poezinë e tij kushtimisht mund të themi se e përcjellë një zë i poetit që thotë “Më kujtoni!”. Popullaritetin e poetit anticarist të gjithë sundimtarët e kishin halë në sy. Intrigat dhe shpifjet arritën kulmin kur poeti si kishte mbushur akoma të 38-tat. Kështu, një nga poetët më të mëdhenj të Rusisë u vra në duel për çështje nderi, më 27 janar 1837.

ObserverKult


Lexo edhe: