Kush ishte Paulin Preka? Mjeshtri i humorit që hyri në familjet shqiptare nga “Çifti i lumtur” deri te “Toka Jonë”!

Paulin Preka, mjeshtri i humorit shkodran u nda nga jeta në moshën 86-vjeçare. Një artist i shquar i humorit shkodran duke qenë një nga kryesorët e Estradës së Shkodrës.

Paulini, në rrugën e tij artistike që zhvilloi, u dha pas dy zhanreve skenike: teatrit të dramës e të komedisë dhe atij të humorit.

Respektivisht rreth 8 vite në shfaqje dramatike (edhe në komedi me një a disa akte) dhe 37 vite në premierat e estradës (skeçe, monologë, dialogë, parodi, kuplete, pantomima, grimca humoristike, etj.).

Duke gjurmuar nëpër vite për fillesat e Paulinit, gjejmë se, ai interpretoi përkrah aktorëve me emër, si: Tinka Kurti, Roza Xhuxha, Preng Lëkunda, etj.

Shumë spektatorë shkodranë, tashmë të bërë pleq, me siguri, kujtojnë rolet e tij në: “Një tragjedi optimiste”, “Dy binjakët venecianë”, “Bileta e llotarisë”, “Shoku Niqifor”, etj. Gjithashtu interpretimi i tij solli freski e origjinalitet edhe në kinokomeditë “Çifti i lumtur” dhe “Pak fresk sonte!..”. Ndërsa mitike do të mbeste edhe roli i Tuç Makut, në humorin e realizuar për veprën “Toka Jonë”.

Gjithashtu, duke gjurmuar nëpër vite për fillesat e Paulinit (kësaj radhe në estradë), gjejmë se, ai për herë të parë shkroi skeçin “Bacë Byreku”. Personazhet e këtij skeçi u interpretuan nga aktorët e talentuar:

Tano Banushi, Zyliha Miloti e Jolanda Shala. Ndërsa Paulini personazhet e tij do t’i ‘arkivojë’ në skeçet: “Daja i burrit”, “Dhëndrri nga Amerika”, “Fotografi”, “Toka jonë”,

“Kunati i shokut Xhemal”, “Truall i zënë”, “Kola i dritave”, “Familja A – Familja B”, “Dasma e Refikut”, “Mini e Minusha”, etj.

Veçanërisht, pas viteve ’90 janë një sërë premierash, që libretet e tyre kanë firmën e Paulin Prekës.

Mund të përmendim: “Të shtunat gazmore” në (RTSH, viti 1994), ku spikasin materialet: “Ndihma humane”, “Licensa”, “Krapi”, “Kena harru babën”, “Urgjenca”, “Pikniku 1977 e 1997”, “Eksodi”, “Udhëtim me autobus”, etj.

Paulini, gjatë viteve 1997-1998, e pasuroi repertorin e tij, duke u marrë (shkruar) edhe me vargje humoristike (parapëlqente poemën), subjektet që ia falte realiteti i përditshëm, shpesh tragjik, gjë që ia brengosnin zemrën e shpirtin autorit – aktor Preka teksa i recitonte. Nuk mund të harrohen lehtë: “Një letër mikut tim”, “Prostitutës”, “Tomasit”, “Shkodërloces”, “Zotni”, “Andër grash”, “Pensioni”, etj.

Më poshtë po publikojmë një autobiografi të vetë Paulin Prekës, të bërë para ndarjes nga jeta!

Kam lindur në Shkodër me 2 shkurt 1935 në një familje të varfër, në një shtëpi Jerevi (perdhese) dhe jam rritur në mes të katër fëmijëve, një vëlla dhe dy motra, nga të ardhurat e krahëve të babës me profesion karrocier dhe të përkujdesjeve të jashtëzakonshme të nanës, e cila na rriti dhe na edukoi me tolerancën, besimin në Zot, me shkollim dhe dashuri ndaj së mirës.

Në regjistrin themeltar të Gjendjes Civile jam i regjistruar me emrin dhe mbiemrin Palok Prek Gjergji, por duke u rritë fillova të thirrem nga shoqëria Paulin Preka, emër me të cilin njihem sot nga publiku shkodranë e shqipëtarë.

Sapo u afrova vitit të tetë të fëmijërisë, baba më regjistroi në shoqërinë e Kishës Katedrale të qytetit tim. Brenda asaj shoqërie, Dom Alfons Tracki, prift misionar gjerman dhe një mjeshtër i apasionuar mbas artit skenik, mori iniciativën për të vù në skenë melodramën “Shtatë Xhuxhmaxhuxhat” ku një nga të shtatët pata fatin të ma besonin mù, e pikërisht një nga rolet e para i quajtur Knapsi. Melodrama u pëlqye së tepërmi nga publiku artëdashës shkodranë, nga autoritetet e asaj kohe, nga autoritetet e kishës katolike, Mons. Gaspër Thaçi, Dom Mikel Koliçi si dhe nga media e atëherëshme. Në vlerësimin që na u ba gjatë interpretimit: Çesk Jubani dhe unë u vlerësuam me çmime të para. Në kënaqesinë e këtij vlerësimi mu kriju pasioni për aktorin dhe skenën, i cili më shtyu për gjithë jetën time drejtë krijimtarisë me interpretime të ndryshme të cilat po i radhis në këtë autobiografi.

Në vitet 1945-1946, rreth moshës 11 vjeç, mësuesi Lec Sekuj vuri në skenë dramën “Djemtë e Rrugës Pal” të dramaturgut austriak për fëmijë Ernest Molnar, e cila u interpretu nga nxënësit e shkollës Pashko Vasa. Në këtë dramë interpretova rolin e Van Daurit të Këmishave të Kuqe. Rolin kryesorë e interpretoi i talentuari Çesk Jubani. Drama u prit me mjaft sukses.

Në vitin 1947-1948 u hap Shtëpija e Pionerit dhe u krijua krahas rretheve të tjera edhe rrethi i teatrit.

Nga viti 1948-1951 rrethi i jonë shfaqi tri drama të autorit rus Arkadi Gajdar: “Timuri dhe skuadra e tij”, “Komandanti i fortesës prej dëbore”, “Një mision i veçantë”. Në të tri dramat u aktivizova me mjaft ngarkesë.

Në vitin 1952, 17 vjeç, për arsye ekonomike u detyrova të hyj në punë, jo ma si pioner por si punëtor i ri.

Në vitin 1953, me shumë vështirësi, falë vullnetit tim u aktivizova pranë Shtëpisë së Kulturës dhe po në atë verë nën drejtimin e regjizorit të mirënjohur Andrea Skanjeti, u shfaq e para premierë e strades amatore “Estrada në Penxhere”. Shfaqjen e udhëhiqnin Tano Banushi dhe unë. Shfaqja pati mjaft humor dhe sukses.

Në vitin 1953-1954, kur sapo ishte krijuar Klubi i Puntorëve pranë Bashkimeve Profesionale më ftuan të luaj një rol tek drama bullgare “Traktoristat” me regjizore Violeta Sekuj. Me këtë dramë konkuruam në Takimin Zonal të Veriut ku u shpallëm Lauratë të këtij takimi. Unë u dallova me dipllomë nderi për interpretim të lartë.

Në fund të vitit 1954 mobilizohem në shërbimin ushtarak dhe mbasi kryej periudhën e betimit në regjimentin e ndërlidhjes, tërhiqem në Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë pranë estradës profesioniste në rolin e konferencierit të cilin e udhëhoqa deri në lirimin tim në fund të vitit 1956.

Viti 1957 e në vazhdim ishte mjaft i ngarkuar me aktivitete edhe pse unë punoja marangoz në kooperativën e punim drurit. Me Shtëpinë e Kulturës nën drejtimin e të mirënjohurit Andrea Skanjeti shfaqëm dramën “Rinija e Baballarëve”, një dramë sovjetike e cila zuri vendin e parë në Lëvizjen Amatore Kombëtare. Në këtë dramë m’u besua pesha ma e madhe e roleve.

Gjatë kësaj kohe, regjizori i Trupës Profesioniste Lec Shllaku më ftoi të interpretoja tek drama “Shtatë Shaljanët” në rolin e Abdullahut (biri i vezirit të Shkodrës), dramë që duke u interpretuar nga mjeshtrat aktorë të dramaturgjisë shqiptare pati një jetëgjatësi të habitshme.

Gjatë vitit 1957-1958, po me trupën amatore të Shtëpisë së Kulturës, marr pjesë tek komedia brilante e Karlo Goldonit “Gjorgj Dade” e cila u prit mjaft mirë nga publiku shkodran si dhe nga ai i Korçës, Elbasanit, Tiranës e Durrësit duke krijuar bindjen se duhej të pranohesha në mes të Trupës Profesioniste të qytetit të Shkodrës. Andrra ime 23 vjeçare u arrit dhe me atë dëshirë e pasion i jam përveshur për 38 vjet aktorit e skenës si në teatër ashtu në estradë, e cila u krijua po në atë vit që unë hyra në teatër.

Mbas 8 vjetësh që unë punoja si aktor drame, me vendim të Komitetit të Partisë kalova aktor estrade. Një vit ma vonë, për arsye të materialeve që krijoheshin me vështirësi, provova për herë të parë t’i vij në ndihmë trupës së estradës duke shkruar skeçin tim të parë “Bac Byreku” i cili u luajt nga mjeshtri Tano Banushi, Zyliha Miloti, Jolanda Shala dhe Katerina Biga. Të gjitha këto që shkruaj në këtë autobiografi janë të dokumentuara në arkivat e Teatrit Migjeni. Pra në këtë vit hyra në vargun e autorëve humoristë.

Që nga viti 1967 e deri sot janë shkruar nga unë me qindra e qindra skeçe, parodi, dialogje emonologje. Materialet e mija janë pëlqye nga Trupa ime e janë kërkuar e luajtur nga Trupat e rretheve të ndryshme si ajo e Peshkopisë, Kukësit, Estradës së Ushtarit, Durrësit, Beratit, Elbasanit, Pogradecit si dhe nga lëvizja amatore e qëndrave të punës të qytetit tim e nga Mirdita, Lezha, Puka e të tjerë.

Kam kriju personalitetin tim me një arsim unik e dy të mesme me shkollë nate, por me intuitën e vullnetin tim, me pasion e këmbëngulje deri në ditën e daljes në pension.

Kam interpretu i uritur, i varfër, me tre fëmijë, i servijuar nga dashakeqas të mi, por i përkrahur dhe i inkurajuar nga kolegët e mi të vjetër në moshë por kollosa në skenë.

Arrita të meritoj nga publiku duartrokitjet dhe simpatinë e nga institucionet ma të larta shtetërore diplloma, medalje e në vitin 1974 Urdhërin Naim Frashëri i Klasit të III, në vitin 1980 Urdhërin Naim Frashëri të Klasit të II, në vitin 1988 Titullin e Lartë Artist i Merituar. Në vitin 1996, pak muaj përpara se ta mbyllja karrierën time profesioniste, në Takimin e Trupave Profesioniste në Tiranë, u diplomova “Aktori Më i Mirë i Karrierës”.

Jam përpjekur të jem i dashur me kolegët e mi për 38 vjet të qenies sime, me kolektivin, me të mirët e të këqinjtë, me artista e karrierista, me ata që më donin e që nuk më donin. Jam përpjekur të argëtoj publikun e varfër të asaj kohe por shumë të etur për gjininë e estradës.

Por mbyllja qe tragjike për Teatrin tim, për spektatorin tim, për qytetin tim. Ngjarjet e marsit të vitit 1997 kushtuan randë për gjith Shkodrën e në mes të sajë për artin skenik si shumë arte të tjera të qytetit të Djepit të Kulturës.

Në pamundësi me i rrezistu atij makabriteti që ngjau, mora rrugët e emigrimit për të qënë pranë fëmijëve të mi.

Nëse e kërkon nevoja e qytetit tim, që të vihet në vend dëshira e qytetarëve shkodranë për një art ma cilësor në të gjitha degët e tij, për artin e skenës së humorit, unë përsëri me aq sa më ka mbetë e sa di vihem në dispozicion.

E kam për obligim ndaj qytetit që më rriti e më vlerësoi me meritën e lartë “Krenaria e Qytetit”./gazetashqip

LEXO EDHE: Ndahet nga jeta në moshën 86-vjeçare kolosi i humorit shkodran, Paulin Preka

Kush ishte Paulin Preka? Mjeshtri i humorit që hyri në familjet
Kush ishte Paulin Preka? Mjeshtri i humorit që hyri në familjet
Kush ishte Paulin Preka? Mjeshtri i humorit që hyri në familjet
Kush ishte Paulin Preka? Mjeshtri i humorit që hyri në familjet
Kush ishte Paulin Preka? Mjeshtri i humorit që hyri në familjet
Kush ishte Paulin Preka? Mjeshtri i humorit që hyri në familjet