Muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi” ka publikuar, kohë më parë, një material kushtuar Pietro Marubit.
Pietro Marubi (Piacenza, Itali 14. 8.1832 – Shkodër, 22. 5.1903).
“Në moshën 22-vjeçare, u përfshi në lëvizje patriotike kundër pushtimit austriak duke luftuar për bashkimin e Italisë. Përfshirja e tij në këto lëvizje si dhe në vrasjen e Dukës së Parmës, Karlit III, e detyruan të ikte nga vendlindja.
Udhëtimi i tij filloi në Trieste. Për të vijuar në Korfuz, Zarë, Budva derisa vjen e vendoset përfundimisht në Shkodër më 1858”, shkruan muzeu.
Në materialin e institucionit thuhet se meqë kishte studiuar në Institutin Gazzola në Piacenza, vinte me njëfarë përvoje si arkitekt, piktor e skulptor. Ndër veprat e tij në Shkodër përmenden: projekti për Katedralen Katolike në Shkodër (Kisha e Madhe), projekti i Selisë së Konsullatës italiane dhe franceze si dhe realizimi i disa pikturave murale në Kishën Ortodokse.
“Në Shkodër ka përndritjen e sjelljes së mediumit të fotografisë. Në 1865 hap studion e parë fotografike Foto-Studio ‘Marubi’ e para në Shqipërinë Osmane. Ndonëse e dimë se kishte filluar të eksperimentonte me këtë medium disa vite para kësaj date. I gjendur në krye të një aktiviteti premtues, ai merr si ndihmës bijtë e Rrok Kodhelit, Mati e Kel”, shkruan muzeu.
Gjatë veprimtarisë së tij si fotograf ka realizuar kartolina me shqiptarë të veshur me kostume të zonave fushore e malore. Realizoi portrete kartvizitash në formate të ndryshme. Muzeu vijon më tej në materialin e publikuar se ai ka fotografuar edhe në vendet fqinje. Si për shembull familjen mbretërore, por edhe banorë e peizazhe të Malit të Zi.
“Teknika e përdorur fillimisht prej tij është ajo e kolodiumit të lëngshëm e më pas e xhelatinës së thatë. Ka lënë si trashëgimi në fushën e fotografisë mbi 40000 negativë në xham të përmasave të ndryshme”, shkruan muzeu.
ObserverKult
_ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _
Lexo edhe:
JETA E NJERËZVE TË THJESHTË DHE TRADITA SHKODRANE NË EKSPOZITËN E VEÇANTË NË MUZEUN “MARUBI”
ObserverKult