Shemo Kasua, i biri i Ibrahimit, i popullarizuar me emrin Shemo Hajduti, me datëlindje 1822, rridhte nga një familje e varfër nga lagjia Manalat i qytetit të Gjirokastrës. Kjo familje kishte qenë në armiqësi të vazhdueshme me bejlerët, agallarët e me mbarë pasanikët e vendit që ishin lidhur ngushtë me pushtuesin osman. Shemua, qysh në rini, u rrit midis vuajtjeve, skamjes dhe përbuzjes. Ai ndjeu mbi shpatullat e tij peshën e rëndë të varfërisë.
Nga Mexhit Kokolari*
Vetë shfrytëzimi i egër feudal vendas dhe i huaj e detyroi këtë bir të vegjëlisë gjirokastrite të marrë pallën dhe të dalë malit përpjetë në luftë për ekzistencë, ashtu si e kuptonte ai, thikë më thikë, me pasanikët dhe me mbarë feudalët shfrytëzues të vendit.
Ai e urrente administratën skllavëruese të pushtuesit osman, që ishte ngritur dhe mbajtur në bashkëpunim të ngushtë me feudalët gjakpirës të vendit. Thuhet se kudo që shkelte këmba e këtij trimi, digjeshin zyrat qeveritare dhe hapeshin dyert e burgjeve dhe kafazet e zogjve.
Shemo Kasua i përbuzte lypësit dhe quante të drejtë vetëm rrëmbimin, duke ushtruar dhunën tek pasanikët e majmur në sajë të djersës dhe gjakut të vegjëlisë.
Urrejtja e tij e thellë kundër bejlerëve, agallarëve, tregëtarëve dhe arhondëve i qe kalitur qysh në vegjëli, kur ai bridhte i urritur dhe i zhveshur nëpër rrugët plot gurë të Gjirokastrës për t’i siguruar kafshatën e gojës familjes së vet. Origjina e tij e varfër pasqyrohet qartë në këngët popullore. Kjo del haptas nga përgjigjet që i jep ky trim pyetjeve të gruas se me çfarë të ardhura do të rriten djemtë e tij:
“… -Shemo, si do rritën djemtë?
– Ashtu si jam rritur vetë,
Maleve posht’ e përpjetë,
Me rrëpicë e me lëpjetë…”
Dhe me të vërtetë, ashtu u rrit Shemuo Kasua, i ndjekur këmba-këmbës nga nizamët osmanlli nëpër malet e thata të rrethit të Gjirokastrës. Ja me se e shuante etjen dhe urinë Shemo trimi:
“…Me uj’ në zgurbull si verë,
Me mish të pjekur dy herë…”
Sa herë u përpoqën autoritetet osmane dhe feudalët e vendit për ta hedhur në dorë këtë kordhëtar, që aq shumë u kishte prishur gjakun e qetësinë pasanikëve të vendit, por më kot u munduan. Nuk ish lehtë të kapej ky trim. Ai, ku mbillej, nuk korrej. Atë e mbronte kudo vegjëlia; mbarë fshatarësia e priste krahëhapur në shtëpi apo në stane dhe me të i qante hallet. Tregojnë për Shemon se ai së bashku me shokët e tij kish marrë në mbrojtje një sërë fshatrash në Lunxhëri, Zagori, Pogon etj, sepse feudalët e vendit, me ekspeditat e tyre ndëshkimore ia kishin bërë jetën të padurueshme banorëve të këtyre krahinave të varfëra malore.
Gojëdhëna poullore tregon për Shemo Hajdutin, se fshatrat që ai merrte “deurde” (në mbrojtje), në fillim i mblidhte banorët e tyre dhe kërkonte prej tyre që ata të zotoheshin se do ta përkrahnin pa rezervë: do t’i siguronin luftëtarët e tij me ushqime e strehim, me fishekë dhe duhan. Atëhere, ky kordhëtar në shenjë pranimi bënte betimin. Sa herë që banditët e bejlerëve orvateshin t’i grabisnin këto fshatra, Shemua nuk përtonte t’ua bënte gjyqin dhe ekzekutimin aty për aty, në mes të popullit.
E paharruar ka mbetur në popull gjuha e prerë e Rauf beut nga Shemua. Ky bej, së bashku me njerëzit e tij ishte dërguar fshehurazi nga valiu i Janinës në krahinën e Pogonit dhe të Zagories për të diktuar forcat dhe strehuesit e Shemo Hajdutit. Beu, së bashku me njerëzit e tij ra në duar të Shemos, por nuk u vra. Ai u gjykua si hafije (si spiun) dhe u lejua të kthehet tek valiu, veçse me gjuhë të prerë.
Valiu i Janinën kishte urdhëruar që fshatrat e vënë në mbrojtjen e Shemos, mos të furnizoheshin me kripë dhe me ushqime. Në fakt asnjëherë ky urdhër i valiut nuk u vu në jetë. . . Tregëtarët vendas, të tmerruar nga qëndrimi luftarak i këtij kordhëtari, nuk ua kishin prerë kurrë furnizimet këtyre fshatrave të varfëra malore….
Shemua nuk e peshoi kurrë parësinë dhe mbarë pasanikët e vendit. Ja si e pasqyron kënga e bukur popullore:
“…Shemo Kaso kordhëtari,
Kur shkoje, dridhej pazari,…”
Në pamundësi të kapjes së këtij trimi, qeveria turke vuri në ndjekje të Shemos reparte të rregullta ushtarake (nizamët). Me ta u organizuan me dhjetra ekspedita… Gjatë kësaj kohe Shemo Kasua vepronte me forca të shumta kaçakësh në rrethin e Janinës. Ai u kishte futurr tmerrin nizamëve të valiut të Janinës, Hysen pashës. Sipas folklorit:
Në mallet mbi Veleshicë,
Lule more Shemo, lule,
Shemo Brahimi, o lule.
Hodhi mali bor’ e shinë,
Nizamët me zor u gdhinë.
Pall’ e Shemos me gajtanë,
Turqit i zuri të gjallë…
Nëpër shtigjet e rrugëve malore shumë herë gjendeshin koka të prera të bashkënizamëve osmanë, të ekspozuara nga vetë Shëmo Kasua në përgjigje të angazhimit që kishin marrë këta komandantë para valiut se do ishin ata të parët që do ta sillnin në Janinë kokën e prerë të Shemos. Shemua i tërhiqte në brendësi të maleve, dhe atje kokat e tyre përfundonin nën presën e jataganit të këtij trimi, që populli i thotë:
Kur futeshe në tabuar,
Dilje me kokë në duar,
Thosh veziri: kush i muar?
– Ai trim që s’ka sinuar…
Shemo Hajduti i qëndroi me këllëç në hundë dhe vetë Hysni pashës, që ishte vënë në krye të taboreve osmane për kapjen e tij:
…Në malet mbi Samarinë,
Lufton Shemua me Hysninë,
Pritmë Hysni pasha, pritmë,
Të shoç Shemo mjekërzinë,,
Se si di ta los cfungjinë…
Vitet kalonin por çeta e Shemos vinte e shtohej. Zbatimi me forcë i rekrutimit të detyrueshëm shumëvjeçar turk nga sulltan Azisi i kishte zgjeruar rradhët e luftëtarëve të këtij trimi… Aktiviteti i tyre ishte shtrirë madje edhe në det. Këngët popullore pasqyrojnë edhe aksionet në det “të byrazerit” të Shemos, të Bejo Dukës nga Gusmari i Kurveleshit. Ja se si I shpërndante florinjtë e rrëmbyera ky trim bashkëfshatarëve të tij të varfër:
…Ç’e pru në Progonat Hysninë,
Kërkon Bejo Dukë trimë,
Në det e rropi gjeminë,
Me grusht e ndau florinë…
Në këto rrethana, valiu i Janinës u hodh në fushën e intrigave. Me anën e agjenturës së tij ai arriti të fuste në grindje Shemon me shokun e tij të ngushtë, Muhedin Vasjarin. Gjendja u acarua shumë. Muhedini u vu në ndjekje të Shemos. Shemua e njoftoi që të mos e ndiqte dhe si shenjë pajtimi i vuri në një çezmë bukë e kripë, që t’i kujtonte luftëtarit të Vasjarit miqësinë dhe bukën që kishin ngrënë bashkë, por Muhedini e vazhdoi ndjekjen; atëhere Shemua i zevendësoi bukën dhe kripën me një fishek dyfeku, por ish-“byrazeri” i Shemos nuk u tërhoq. Më në fund Shemua me zemër të thyer e vrau vëllamin e tij, Muhedin Vasjarin, që aq shumë e donte. Qartë e pasqyron folklori:
…Që kur vrava Muhedinë,
S’më vate dyfeku mirë,
Më theu plumbi kërcinë…
Ky bir i vegjëlisë gjirokastrite më në fund ra në dorë të Hysni pashës vetëm përmes tradhëtisë. Shemo Hajduti u kap tradhëtisht i plagosur në këto rrethana: xhaxhai i Muhedin Vasjarit, i zemëruar nga vrasja e të nipit, u bashkua me forcat ndjekëse osmane. Ai ra në gjurmët e Shemos dhe e ftoi për bashkëbisedim duke i premtuar besën. Shemua u bind dhe shkoi të shfajësohesh të xhaxhai i Muhedinit. Vendi i takimit u caktua në afërsi të maleve të Grebenesë. Por atje sejmenët e fshehur të valiut të Janinës u hodhën përsipër kordhëtarit të plagosur. Shemua edhe pse ishte me këmbë të thyer u rezistoi armiqve dhe mundi të bjerë tradhëtishtë në dorë të valiut. Ishte viti 1875:
…Jataganë pas ja ngjinë,
Ç’e plagosën derëzinë…
Në Janinë kapja e tij u kthye në festë nga autoritetet turke. Valiu I Janinës, Hysni pasha, e përshëndeti këtë fitore me njëzetenjë të shtëna artilerie:
Moj Gjirokastra me vulë,
Me mende me halle shumë,
Ç’e bërë Shemo Hadunë?
– Lidhur në Janinë e shpunë,
Njëzetenjë topa shtunë.
Këto këngë të hershme popullore flasin qartë për qëndrimin heroik të Shemo trimit edhe përpara valiut të egër të Janinës, Hysni pashës. Ky bir i vegjëlisë gjirokastrite qendroi sypatrembur para sundimtarit të egër:
… Dhe pashai u ngrit në gjunjë!
– O Shemo, na trego mirë,
Ku ke ngrën’ e ku ke pirë?
– Pasha, do të them një punë,
S’më vjen keq sepse më zunë,
Se bëra si desha unë
Tridhjetë vjet hajdut me vulë…
Janë karakteristike në këto këngë shprehjet plot atdhedashuri të bashkëshortes së Shemos, të Lules, e cila kërkoi të hedhë pallën mbi supe dhe të ecë në gjurmët e burrit të saj, për t’i dalë zot popullit fukara. Sipas folklorit, nga qelitë e errëta të burgut famëkeq të Janinës Shemo luftëtari pyet për gruan e tij:
– Ç’thotë Lulia për mua?
Lule Shemo palla lule,
Shemo Brahimi, o lule,
– Unë burrë tjetër s’dua,
Do gjezdis krua më krua,
Sa të gjej gjurmët e tua…
Gjirokastra e shumëvuajtur, vendlindja e Shemos, e vajtoi së largu birin e saj. Ja ç’vargje të mrekullueshme thurrën në vajtimin e tyre nënat gjirokastrite:
Në dullgë u vu sallaja,
Vdiq Shemo ogiç sërmaja,
Vdiqe more Shemo, vdiqe,
O namusqar’ i miqe…
Thuhet se për këtë kordhëtar, për një kohë të caktuar, në të gjithë krahinat, si shenjë zie u prenë lejletë e kafshëve dhe ua hoqën bagëtive këmborët dhe zilet, që të mos oshëtijnë grykat e gërxhet e këtyre vendeve të varfëra malore, që aq shumë e mbrojtën Shemon për 30 vite rresht.
*Shkëputur prej librit me titull “Trima të kryengritjeve popullore”, Tiranë, 1979, f.217-225
ObserverKult
Lexo edhe:
GJIROKASTRA QYTETI MË I BUKUR I SHQIPËRISË, ATY KU “FLASIN” EDHE GURËT