Visar Zhiti: Eh, s’duhen tradhtuar testamentet që s’na tradhtojnë…

visar zhiti
Visar Zhiti

“Testamentet e trashtuara”- Milan Kundera, i përkthyer nga Balil Gjini…


Nga Visar Zhiti

9 ese të sjella në shqip me fuqinë e mendimit dhe të gjuhës, shqetësuese dhe me inkandeshencë, sa të pasura në fjalë, edhe të rralla, edhe neologjizma, që përkthyesi i sprovuar i zbraz begatshëm sikur të ishte një roman, siç duket për atë nuk ka dallim, mjafton të jetë vepër. Por të jetë dhe Kundera, ama, që duket sikur këtë libër e shkruajti që ta “n-dreqte” në shqip Balil Gjini, se edhe ngjajnë në trille dhe në ato xhindosjet e bukura. Prandaj dhe i duam. Përkthyesit dhe botuesit e Kunderës kanë vuajtur prej tij gjithkund. Më tregonte Roland Sejko në Romë, se kur kishte bërë gati për botim një roman të tij, ai, Kundera, i kishte kërkuar përkthimin, pa ditur shqip shikonte fjalitë, numëronte fjalët dhe kërkonte llogari që pse këtu apo atje dilnin më tepër se në origjinal.
Testamentet e tradhtuara.
Ndër librat më të mirë, dalë së fundmi, sipas meje, marramendës dhe i rëndësishëm për të kuptuar ngrirje kohësh dhe shkrirje të tyre, pêrmbytjen apo thatësinë… etj, dhe tradhtitë që bëhen, që i bëjmë qenies/vetes jo vetëm moralisht, por edhe estetikisht, kumteve dhe porosive që na vijnë nga arti, letërsi e muzikë e nga ai humanizëm i përvuajtur, por superb.
Teksa lexoja pa ngut, me zakonin e vizimeve, po përsiasja që ne, shqiptarët, s’para dimë të lëmë testamente, mbase na duken ndjellakeqe, besojmë në një përjetësi allasoj dhe jo aq në Zot. Prandaj nuk tradhtojmë dhe aq testamente, por testamentues me ose pa testament, i tradhtojmë që në gjallje, herë pas here, me heshtje, zili, braktisje, me zymtësi, me mohim buzëqeshjesh dhe vlerash, pa mirësi dua të them, me mosmirënjohje intelektuale, por edhe duke mos bërë asgjë, duke i bërë keq gjërat, as ato që duhen, as kur duhen, me pesimizëm e deri dhe me banalitet, sidomos me ato të shpifjeve, me… etj, etj, nuk po zgjatem, m’i nëpërmendi Testamenti i Kunderës, i noterizuar nga Balil Gjini. Vërtetshëm na ka sjellë një pasuri mendimesh dhe emocionesh dhe s’është hera e para, as e fundit, besoj, qoftë me përkthimet e herë pas herêshme, kujtoj Emil Cioran, edhe ai harrakat gjenial mendimesh, por dhe me prozën e vet e poezitë plot me limfë gjuhësore.
Të shkosh në Berat, ke mall të takosh ata krijues që kanë bërë emër bashkë me Balil Gjinin, Yzedin Hima, Namir Lapardhaja, por dhe botuesin që tashmë është në Tiranë, Xhevair Lleshi, gazetarin dhe shkrimtarin Ylli Polovina apo veprimtarin që është në Paris, Gazmen Toska, por dhe mikun poet që është në Qiell, Simon Vrusho, por dhe koleksionistin Thimi Nika, bashkëvuajtësin tim aq njerëzor, Luan Myftiu, Tikun dhe… Po është dhe testamenti i të shenjtit Vexhi Buharaja, jepet dhe një çmim letrar me emrin e tij. E kush nuk ka një mik në Berat? Janë dhe piktorët me peizazhet e mrekullueshme të Berat. Sipër në Malin e Shenjtë në Tomor është dhe fshati i tim eti… Ka shumë për të thënë. Shkak u bë testamenti i Kunderës.
Eh, s’duhen tradhtuar testamentet
që s’na tradhtojnë…


Lexo edhe:

VISAR ZHITI: SI SHK-OH-ET NË KOSOVË