Kuteli: Dashuria është dashuri- asgjë tjetër

Mitrush Kuteli:

Dashurija nuk është as e bardhë, as e zezë e as tjatër ngjyrë, po vetëm dashuri dhe asgjë tjatër. Ajo është si era: fryn ku do vetë dhe ne i dëgjojmë buçitjet.
Dhe shtati i Kalijes nuk ish i gjatë fort, po i hollë sa ta shkonje nëpër ruazë. Dhe kurmi i saj me sisë të forta mbante erë zëmbak. Një mituri dukej vashëza e Galilesë pranë shtatit ilirian të Tat Tanushit, po ashtu si ishin që të dy – ay i bardhë, ajo e zeshkët; ay i gjatë, ajo e mitur; ay ilirian, ajo judhee – dashuroheshin egërsisht.
Kjo, o lëçitës, nuk është asfare një çudi e pathënë. Sepse, a s’kini parë ju pëllump të bardhë e pëllump të zi të dashurohen aqe fort sa të mos i druhen as hargut të gjahtorit që sjell vdekjen? Dhe ç’është ngjyra përpara shpirtit? Ato ndajnë, që të bashkojnë.
Sikundër drita e dy qirinjve bashkohet për t’u bërë një dritë e vetëme, ashtu dhe zemrat e tyre digjeshin e bashkoheshin më një./ObserverKult