Kuteli: Të falem ty, o gjuhë e fisit tim…

kutelit
Mitrush Kuteli

Mitrush Kuteli njihet si mjeshtër i realizimit magjik, prozator, poet, kritik letrar dhe përkthyes absolut i letërsisë botërore.

Edhe pse shteti shqiptar i refuzoi kërkesën për bursë që të vazhdonte studimet e larta në Paris, ai u diplomua dhe doktoroi në shkencat bankare dhe monetare në Bukuresht, me çrast dha kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e monedhës kombëtare.

Një nga shokët e tij të shkollës, Ionel Zeana, më se gjashtëdhjetë vjet pas, pat shkruajtur: “Dhimitër Pasku kreu studime të shkëlqyera, duke u dalluar qysh në fillim si një element i jashtzakonshëm, jo vetëm përmes kapacitetit të tij intelektual të veçantë, po edhe përmes seriozitetit, maturisë, ndërgjegjshmërisë, forcës për punë dhe krejt qendrimit të tij moral, cilësi këto që tërhoqën vemendjen, vlerësimin dhe mbrojtjen e profesorit të tij të madh të financave, Viktor Slëvescu, prijësi liberal, ish-ministër dhe guvernator i Bankës Kombëtare. Duke e marrë doktoratën në financa, me një tezë të vlerësuar në superlativitet, atij iu hapën perspektiva nga më të bukurat, për realizimin e një karriere të shkëlqyer.”

Pasi u kthye në Shqipëri, në maj të vitit 1947 Kutelin e arrestuan dhe e dënuan si “Armik i Popullit” me pesë vjet heqje lirie, pa asnjë akuzë konkrete, as si ekonomist, as si letrar dhe e dërguan në kampin-burg të Vloçishtit. U lirua “me falje” në prill 1949. Dosja e akuzës kundër tij është zhdukur. Pas këtij viti Kuteli punoi si përkthyes pranë Shtëpisë Botuese ‘Naim Frashëri”, dhe për një kohë të gjatë iu hoq e drejta e botimit. Letërsisë i kushtoi kohën që i mbetej nga puna me normë e përkthimit. U nda nga jeta nga një infarkt më 4 maj 1967.

Kulturës dhe mendimit shqiptar, Kuteli i la mbi 10 botime letrare, si dhe 16 libra e broshura rumanisht kryesisht për ekonominë e financën, por gjithashtu botime folklorike dhe polemika. Ai ka lënë edhe artikuj të shumtë në këto fusha dhe përkthime me vlerë nga rusishtja, rumanishtja, frëngjishtja dhe italishtja.

Në vazhdim ObserverKult ua sjell disa thënie të tij:

Thjeshtësia dhe natyrshmëria janë shumë herë veshja e vetme e një mendimi të thellë që mbetet brez pas brezi.

Kam trajtat e jetës sime dhe brenda tyre rroj.


Poetët kanë fuqinë të ngrejnë dhembjet e veta në art, ku në të gjithë gjejnë dhembjet tona.


Arti është prodhimi më fisnik i shpirtit të njeriut.


Të falem ty, o gjuhë e fisit tim.

ObserverKult

Lexo edhe:

TESTAMENTI I MITRUSH KUTELIT PËR FËMJËT E TIJ: ZEMRA JUAJ TË MOS NJOHË URREJTJEN…