Kuvendi i Arbrit, mbrojtësi i identitetit, gjuhës dhe trashëgimisë kulturore shqiptare

Lezha përkujtoi 323-vjetorin e Kuvendit të Arbrit, një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.

Bashkia Lezhë organizoi një ceremoni me këtë rast, në kishën mesjetare të Shën Gjon Pagëzorit në Mërqi, pikërisht aty ku u mbajt ky kuvend, duke e parë këtë si një moment të rëndësishëm reflektimi dhe nderimi për historinë, identitetin dhe trashëgiminë kombëtare.

Kuvendi i vitit 1703 shënoi një moment kyç në ruajtjen e identitetit, gjuhës dhe trashëgimisë kulturore shqiptare, e njëkohësisht e rikonfirmoi Lezhën si simbol qëndrese, uniteti dhe vlerash.

Kuvendi i Arbrit u mbajt 323 vjet më parë me kërkesë të Papa Klementit XI Albani, papë me origjinë shqiptare. Mes vendimeve që u miratuan nga ky kuvend  ishte edhe hapja e shkollave dhe organizimi i botimeve në gjuhën shqipe, të cilat u zbatuan përgjatë shekujve të XVIII dhe XIX.

Kisha e Shën Gjon Pagëzorit në Mërqi pati degraduar dhe me ardhjen e demokracisë, meshtarëve iu desh të merreshin edhe me rimëkëmbjen e këtij objekti kulti. Restaurimi u bë në vitin 1996, nën mbikëqyrjen e famullitarit të atëhershëm dom Dodë Gjergji.

ObserverKult


Lexo edhe:

Nga Tregime të moçme shqiptare/ Halili pas vdekjes