Ky është aktori shqiptar që u nda nga jeta në mes të skenës… të gjithë menduan që ishte pjesë e rolit

Ishte prova gjenerale në skenën e Teatrit të Korçës, dhe fill pas kësaj do të vinte premiera. Me lojën e tij mjeshtërore deri në gjysmën e shfaqjes i fali publikut mjaft të qeshura. Por, rreth orës 19:30, është rrëzuar në mes të skenës. Të gjithë kanë kujtuar se ishte pjesë e rolit të tij, një improvizim i çastit. Por Aleko Prodani ka rënë për të mos u ngritur më

Nga Leonard Veizi

2 maji që mori Aleko Prodanin, ishte disi i shkëputur. Por ka qenë fort i trishtuar fillimi i vitit 2006 për botën e artit. Ata që e mbajnë mend, mund të kujtojnë fare mirë se u deshën vetëm 45 ditë për të pasur 7 vdekje të njëpasnjëshme.

Të gjithë njerëz të një race tjetër, asaj të forcës së krijimit, të ndjenjës së saj. Janar dhe shkurt, asgjë nuk mund të thoshte më shumë se kaq, dhe pastaj homazhe e kortezhe të përmortshme. Ishte një ndjesi e errët, e mbushur me një emocion të dhimbshëm, pastaj krejt i zbrazët.

Ndërsa “lajmëtarja e vdekjeve” nxitonte nëpër rrugët e akullta për të sjellë të vetmin lajm të zi. Kështu u ndanë nga jeta korifenjtë e artit dhe të letrave shqipe Niko Nikolla, Ibrahim Rugova, Vath Koreshi, Ibrahim Kodra, Dionis Bubani, Frederik Rreshpja dhe Kel Kodeli. Ajo që ndodhi me artistët shqiptarë ishte gati-gati… e kobshme.

Vargani i vdekjeve të paparalajmëruara nisi që në fillim të janarit të ftohtë për të mbërritur po aq i egër e inatçor edhe në pranverën e lagësht të majit.

Të larguar njëri pas tjetrit, ata lanë një boshllëk që nuk ishte fort e lehtë për t’u mbushur nga pasardhësit. Ishin pikërisht ata aktorë, shkrimtarë piktorë, apo thënë shkurt njerëz të artit, të cilët për vite e vite pune kishin krijuar rreth vetes galerinë e çmuar të karaktereve, gjë që i çonte drejt përjetësisë. Prandaj ngushëllimi është sërish aty, në pjesën më të padukshme të tyre, tek ajo që jeton gjithmonë.

Artistët e kanë këtë fat…

…A është fitore të plotësosh një ëndërr jete? Si në rastin e vdekjes në skenën ku ke interpretuar për vite me radhë. Sa aktorë e dëshirojnë një gjë tillë? Në mënyrë absolute thuajse të gjithë, përveç aktorëve të paaftë që magjia e skenës u është kthyer në makth. Sa prej tyre kanë vdekur në skenë duke interpretuar dhe jo se janë ndodhur aty për nga rastësia? Mbase mungojnë statistikat, por me siguri shumë pak. Aleko Prodani ishte njëri prej tyre. I lindur për të qenë pjesë organike e skenës, vdiq po aty, me rolin e tij të fundit.

“…Iku dhe Aleko Prodani…”

Jemi në ditët kur artistët po iknin njëri pas tjetrit si në një hemorragji të pakuptimtë. Fraza ishte e thatë, por e thënë mes një dhimbjeje të heshtur. Për në strehën e fundit kishte ikur edhe ai, sigurisht. Por fare papritur. Madje, duke u përgatitur për një vënie të re në skenë. Dhe të mendosh se ishte në kulmin e pjekurisë së tij profesionale. Plot energji dhe ndoshta me shumë ambicie të pashprehura që s’mund ta linin asnjëherë në heshtje një aktor si ai.

Ndodhej në skenë. Dhe frymën e fundit e dha pikërisht aty, në atë vend të shenjtë, ku shumë nga aktorët tanë të mëdhenj kishin ëndërruar të vdisnin realisht dhe aspak në shtretër spitalesh, të munduar nga vitet e rënda të jetës dhe sëmundjeve ndjellakeqe. Në eterin kozmik e të pakapshëm, por dhe në shiritat magnetikë tokësorë, ruajtur në bobinat e studiove televizive, janë regjistruar shprehjet e të mëdhenjve, si Kadri Roshi, Violeta Manushi e Tinka Kutri të cilët kanë thënë se vdekja e një artisti në skenë do të ishte një vdekje e artë dhe e çmueshme, sigurisht. Të vdesësh në atë vend të cilit i ke kushtuar jetën është sikur t’i blatosh atij edhe vdekjen, pra gjithçka.

Në këto kushte a mund të thuash se Aleko Prodani e kishte një fat të tillë, kaq shumë të kërkuar?

Regjisori i pjesës, Adonis Filipi, i kishte besuar rolin e bojaxhiut Aldo, një personazh i krijuar nga Dario Fo për komedinë “Tre burra për një grua”. Ishte prova gjenerale në skenën e Teatrit të Korçës, dhe fill pas kësaj do të vinte premiera. Me lojën e tij mjeshtërore deri në gjysmën e shfaqjes i fali publikut mjaft të qeshura. Por, rreth orës 19:30 është rrëzuar në mes të skenës. Të gjithë kanë kujtuar se ishte pjesë e rolit të tij, një improvizim i çastit. Por Aleko Prodani ka rënë për të mos u ngritur më.

Vetëm pak ditë pas kësaj ngjarjeje të hidhur regjisori Adonis Filipi, gjatë një interviste që më ka dhënë enkas për këtë rast, ka rrëfyer bashkëpunimin e tij të fundit me Aleko Prodanin “Tani duket shumë dramatike, por do të kalojnë ditë dhe kohë e do të kuptohet që çdo artist i madh i rangut të tij apo i kalibrit botëror, do ta kishte zili, sepse, si të thuash, vallëzoi, fluturoi dhe vdiq në skenë, atje ku jeta e tij kishte marrë kuptim”. Po çfarë aktori ishte Aleko Prodani për një regjisor: “Ishte një aktor shumë evropian, me plastikë fine. Tek ai ishin të gërshetuara temperamenti artistik, kultura e shijes dhe qëndrimi kritik karshi asaj që bënte. Shumë e rrallë që këto të tria të unifikoheshin” është shprehur Adonis Filipi në intervistën e 14 viteve më parë.

Ai nuk e kishte ende atë moshën e njerëzve që presin vdekjen t’u vijë dita-ditës. Ishte vetëm 64 vjeç. Kishte pasur ca probleme me zemrën, por kjo nuk donte të thoshte asgjë, përderisa ky organ i rëndësishëm i trupit human, edhe pse shumë i fuqishëm, sërish mundon shumicën dërrmuese të njerëzve.

Por mjekët të thonë pa frikë se edhe terapitë janë fort të përparuara, ndaj zemra mund të vazhdojë të punojë pa ndërprerje, edhe kur merr ndonjë goditje të rastësishme. Por atë që nuk mund të durojë dot një zemër është pikërisht ajo që bënte Aleko Prodani. Energji e tepruar dhe shumë emocione për të pasur një rol perfekt. Për të qenë në unisonin e pagabueshëm ai dhe një tjetër bashkë me të. Për më tepër kur ke të bësh me një spektator sqimatar, siç është ai i teatrit, i cili nuk duhet të kuptojë asnjëherë se ku ndahet personazhi nga aktori.

Por në 2 majin e vitit 2006 Aleko Prodani nuk mundi t’ia dilte.

Sot, vite më pas, teksa e kujtojmë këtë mjeshtër të skenës mes imazhesh filmike dhe përdorim batutat e tij për t’i dhënë vetes pak më shumë optimizëm, themi me plot gojën: Aleko Prodani ishte me fat, vdiq në skenë…

Jetëshkrim i shkurtër

Në vitin 1961 u bë bashkëthemelues i Estradës së Ushtarit, ku edhe u formua si aktor, gjatë një stazhi 6-vjeçar. Interpreton në rreth 60 premiera të Estradës së Korçës, ku shquhet për aftësi të rralla në të gjitha zhanret.

Është autor i libreteve, regjisor dhe aktor kryesor në 30 premiera, e dhjetëra skeçe e komedi me një akt që shfaqen edhe në TVSH, në programet e Vitit të Ri. Cilësitë e tij të rralla bëhen të kërkuara edhe në Teatrin “A. Z. Çajupi”, ku interpreton rreth 20 role në komedi. Pas sukseseve në teatër, arrin të tjera në kinematografi. Këto arritje i japin, më 1992, titullin “Artist i Merituar”. Ka fituar tri herë rresht, në tri pjesëmarrje, çmimin për aktorin joprotagonist në Festivalin e Aktrimit në Fier, në edicionet 2003, 2004 e 2005.

Filmografia

Kronikë provinciale (2009) i xhiruar më 2005 para se të vdiste
Borxhliu – (1999) (TV)
Dashuri në krisma – (1997)
Zëvendësi i grave – (1987) … shoku Miti
Dy herë mat – (1986)………. shoku Kopi

Përgatiti: A. S. – ObserverKult

————————–

Lexo edhe:

‘EDHE SIMFONIA E NËNTË E BETHOVENIT I MERR TË KEQEN DIBEKUT’/KOÇO DEVOLE, TË QESHURAT QË NUK I MERR DOT VDEKJA