Nga: Aurenc Bebja
Në faqen n°395 të veprës “Biographie universelle, ou Dictionnaire historique des hommes qui se sont fait un nom par leur génie, leurs talents, leurs erreurs ou leurs crimes… – Biografia universale ose Fjalori historik i njerëzve që janë bërë të njohur falë gjenisë, talentit, gabimeve ose krimeve të tyre…”, gjejmë një rrëfim për shqiptarin Halil Patrona, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Me kombësi shqiptare, fillimisht një marinar (levanti) në galerën (anijen) “La Patrona”, nga e cila mori emrin, ai ishte 43 vjeç, kur nxiti revoltën e famshme të Kostandinopojës në 1730 (28 shtator 1730).
Pasi shërbeu në det dhe tokë dhe pas disa vrasjeve, ai u bë jeniçer i Gardës së Sulltanit. Persianët, duke qenë në luftë me turqit, prenë hundët e 300 jeniçerëve që ranë në duart e tyre dhe i dërguan nëpërmjet detit në Turqi.
Veziri i Madh (Ibrahim Pasha), duke mos dashur që Kostandinopoja të bëhet dëshmitare e këtij spektakli të tmerrshëm, i mbyti këta njerëz të pafat. Patrona vendosi të hakmerret për këtë ofendim (shkelje); ai nxiti një revoltë (preteksti i të cilës ishte vendosja e një takse), në të cilën u bashkuan të gjithë jeniçerët. Ai mbylli dyqanet e Kostandinopojës dhe pati guximin të dërgonte një grup ushtarësh në pallatin sulltanor, dhe të kërkonte që atij t’i dorëzoheshin Veziri i Madh Ibrahimi, guvernatori i Kostandinopojës dhe shefi i jeniçerëve.
Sulltani i habitur mblodhi bordin drejtues dhe, pas disa diskutimeve, ai dha urdhrin që t’u merrej fryma të tre personave që iu kërkuan dhe i dërgoi trupat e tyre te rebelët. Këta të fundit, të befasuar dhe të irrituar, u ankuan se u kishin dërguar të vdekur ata që donin t’i kishin të gjallë dhe me këtë pretekst rrëzuan nga froni sulltanin. Ata vunë në fron Mahmudin (Mahmud I, djali i madh i Mustafait), nipin e tij, 33 vjeç, babai i të cilit ishte rrëzuar 25 vjet më parë, i cili (Mahmudi) hoqi taksën, shkak ose pretekst i revoltës.
Patrona qëndroi i qetë për ca kohë; por, i mërzitur nga mungesa e aktiviteteve, ai organizoi komplote të reja: emëroi njerëz, e quajti veten kapiten-pasha ose admiral dhe pati guximin të përdorte arsenalin e tij.
Sulltani, në pamundësi të distancohej prej tij, e thërriti në saraje (nën pretekstin se do t’i besonte projekte të reja), ku e masakroi me të gjithë ata që e shoqëruan.
ObserverKult
Lexo edhe:
SHQIPTARI QË IKU NGA VENDI PËR TË ARRITUR SUKSES TË MADH NË SHBA