Ky ishte shkrimi i fundit i Moikom Zeqos

Shkrimtari dhe studiuesi i mirënjohur, Moikom Zeqo, pas një sëmundjeje të rëndë u nda nga jeta muaj më parë. Por ai deri një ditë para se të ndërronte jetë nuk ju nda punës. Në vazhdim mund ta lexoni shkrimin e tij të fundit, titulluar “Qershori i pelegrinazhit dhe roli i bektashizmit në historinë e Shqipërisë, nga konstruktori Naim në ditët e sotme“, botuar në Gazetën Dita.

Nga Moikom Zeqo

Kam shkruar disa herë në vite për bektashizmin shqiptar, i ftillëzuar nga panteizmi i çuditshëm i shiitëve, që Trojën e tyre e quajnë Qerbela.

Në shekullin XIX poeti demiurg Naim Frashëri, mori nismën e pabesueshme dot për të krijuar një mistikë familjare dhe shpirtërore për shqiptarët e tij, pra bektashizmin tipologjik dhe perbashkues gjitheshqiptar. Në këtë optikë Naim Frashëri ka ngjashmëri me racën e profetëve.

Ai qe Poeti. Por Ai qe edhe Konstruktori i një religjioni sinkretik për shqiptarët e ndarë në disa fe, por kryesisht midis varianteve të krishterimit dhe të myslimanizmit, ose per nje lidhje te besueshme dhe simbolike midis tyre. Kjo qe kryeidea.

Naim Frashëri e shkroi një traktat të Bektashizmit Shqiptar, si një përpjekje sinkronizuese dhe unitare. Ai shkroi poezi për Krishtin, si dhe përktheu pjesë nga Bibla, por dhe nga shkrimet e Imam Aliut. Ai mendonte për një doktrinë kombëtare fetare, ndonëse si një utopi stimuluese shpirtërore.

Në këtë pikë Naimi e protestantizonte bektashizmin dhe doktrinën mistike të shiitëve, ashtu si Martin Luteri reformoi dhe protestantizoi krishterimin.

—–

Në librat e mi “Syri i Tretë, Naim Frashëri dhe bektashizmi” si dhe “Princërit e Mistikës“ botuar gati 20 vjet më parë, e kam ravizuar, skicuar, theksuar karakterin novator, atdhetar të bektashizmit dhe Kryeprincit të Mistikës në letrat shqipe, Naimit të pavdekshëm.

Bektashizmi, që e ka Selinë e tij Botërore në Tiranë, përherë e ka iluminuar shqiptarinë e shekujve. Ky religjion sinkretik i jashtëzakonshëm, për fat të keq është ende pak i studiuar. Jam shprehur se bektashizmi universal shqiptar duhet të jetë në mbrojtjen e UNESCO-s si trashëgimi dhe pasuri e patjetersueshne e njerëzimit, ashtu si religjioni tjetër mistik i Tibetit.

Bektashizmi tek shqiptarët, ka edhe tri pelegrinazhe të mëdha.

Pelegrinazhi i parë është ai i Sari Salltëkut në malin e Krujës.

Pelegrinazhi i dytë, por më i madhi në Ballkan është ai i Tomorit, në Kulmak, tek Tyrbja e Abaz Aliut.

Pelegrinazhi i tretë është ai i shpellës së Ballëm Sulltanit në Ballenjë të Martaneshit, që festohet në 29 qershor.

Shumë ngjarje dhe të vërteta historike i përkisnin kohërave të hershme, që kur Teqja e Martaneshit u hap si institucion nga martaneshasi Baba Hysen Mali (Rama) në Kullën e Pashës, tek Vendi i Shenjtë i Ballëm Sulltanit në Teqen e epërme me Ballenj, pikërisht aty ku ndodhën dy ngjarje të mëdha kundra turqve që përjetohet me këngën popullore “Zjarr në male e zjarr në bjeshkë” , apo me ngjarje përsëri te betejave me turqit, nga u nis Baba Fejzo me Baba Hysenin dhe luftëtarët e tyre drejt Xixullës të Martaneshit, ku ranë 12 dëshmorë në fushë të nderit.

Këto histori ishin dhe janë të prekshme edhe sot. Një nga këto vlera është predikimi i vëllazërimit, ku të gjithë baballarët në breza e kishin dhe e kanë në qendër të vëmendjes Baba Hysenin, që vërtet Teqen e ngriti në Martanesh, por trupi i tij sipas amanetit të tij u varros në Zerqan të Dibrës.

Kështu mund të themi, se gjysma e tokave te Martaneshit ishte futur nën ujë, falë organizimit të baballareve bektashiane te zones për zgjidhjen e problemit të pronësisë, të teknikës dhe krahut të punës, që në kohën e Baba Hysenit për vijën e malit për fshatin Lenë dhe vijën e Zallit në kohën e Baba Jasharit të fshatit Peshk etj.

Në atë kohë Teqja ngriti një gatër me ujë në Kaptinë të Martaneshit për nxjerrjen e dërrasave apo mulli bloje,si dhe Valanica për rrobat e leshta. Më pas u ndërtua një hidrocentral elektrik nga Baba Selimi, i cili krahas Teqes siguronte energji elektrike edhe për një pjesë të fshatit.

Një punë të lavdërueshme baballarët bektashianë bënë edhe në fushën e arsimit, ku spikati puna e palodhur e Baba Jasharit, që arriti të hapë Shkollën Shqipe në Martanesh në vitin 1908, por që për hir të së vërtetës shkolla të tilla ,nuk gjendeshin në atë kohë,, në Tiranë, Durrës, Shkodër apo gjetkë.

Edhe në fushën e kulturës u punua në krahinën e Martaneshit sidomos në kohën e Baba Selimit, i cili në Teqe kishte siguruar piano e fizarmonikë, gjë që tërhoqi vëmendjen e Pushtetit Qendror komunist, i cili deklaronte, se Babai i Martaneshit ka thithur rininë dhe ka bërë një hidrocentral elektrik dhe një dhomë kulture.

Thënia bektashiane se ”Pa atdhe nuk ka fe” gjeti manifestimin e nevojshëm dhe jetik në tërë krahinën. Kështu, në Teqen e epërme në kohën e Baba Jasharit në vitin 1878 erdhi si mysafir për punët e Shqipërisë dhe hallet e popullit atdhetari i njohur Abdyl Frashëri. Banorët vendas, sapo e panë këtë njeri madheshtor, zemerhekur, me mjekër, e kishin pritur me me nderim si dhe temenara si një Baba Bektashian.

Baba Hajdari dy herë ka mbledhur me armë burrat e trimat e Martaneshit dhe kanë shkuar për të mbrojtur Shkodrën nga serbomalazezët, duke lënë gjak në beteja dhe gjurmë në historinë e lavdishme të kësaj zone.

Nën influencën e Aqif Pashë Elbasanit qe e kish mik, Baba Jashari në Teqen e Martaneshit më 25 nëntor 1912 ngriti Flamurin Kombëtar të Pavarësisë, pra fill mbas Elbasanit. Po në këtë Teqe u mblodh populli për të përballuar “kryengritjen” e Haxhi Qamilit ose siç i thonin në Martanesh Haxhi Fushës.

Aty u krijua Çeta Partizane, një ndër çetat e para të vendit, me dy Batalione Partizane të inkuadruara më vonë në Brigadën e 18-të Sulmuese. Të bjen në sy fakti , se nga çdo familje kishte 1 ose 2 pjestarë të saj partizanë dhe të gjithë ishin nën udhëheqjen e sigurtë të Babait të Teqes pra Baba Faja Martaneshi, Hero i Popullit. Ky Baba çdo gjë e sidomos pasurinë e shkriu në interes të luftës për çlirimin e Shqipërisë nga zaptuesit.

Në Martanesh nuk ka patur Bajraktar, pasi Bajrakun e kishte Teqja ajo konsiderohej për banorët, fakt ky tejet interesant, per studimet e dokeve zakonore dhe antropologjine e traditave.

Baba Faja Martaneshi është një nga heronjtë më emblematikë të Antifashizmit në Luftën e Dytë Botërore. Nuk ka një shembull tjetër, që një udhëheqës fetar, organizoi luftën çlirimtare, qe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, pra në nivelin e gjeneralit dhe rrobat ushtarake i mbante të veshura, por jo kapelen ushtarake, por mbante taçin karakteristik bektashian. Kjo qe njëkohësisht një simbolikë e pakonkurueshme dot.

Baba Faja Martaneshi është kështu një nga burrat e mëdhenj dhe shëmbëlltyrat emblematike të Historisë Shqiptare. Vrasja e tij e pabesë në Kryegjyshatë është gati një thriller, por vepra e tij është e pavdekshme dhe shkëlqimtare.

Shkatërrimi i bustit të Baba Faja Martaneshit nga forca okulte dhe antishqiptare, qe një krim absurd ndaj Historisë.

Baba Faja Martaneshi mbetet në kujtesè, si një personazh naimian, i dalë njëkohësisht nga Eposi i Skënderbeut, por edhe nga Eposi i Qerbelasë sintetizuar ne Eposin e Antifashizmit, është dhe mbetet gjithashtu Heroi dhe Dëshmori. Ai është dhe mbetet Monument Shpirtëror.

Gjatë viteve kam udhëtuar shpesh në Martanesh, krahina më ekzotike, mbase, e krejt Shqipërisë.

Por pak, ose aspak e studiuar.

Udhëtimi, pas Dajtit, në Malin me Gropa, që është një Park Gjeologjik me cirqe guri, që nga epoka e akullnajave, pra një çudi e natyrës, e klasit të parë, deri në qytezën e Krastës, që tani është rrudhur me një renime gërmadhash të pallateve, pastaj në peizazhet marramendëse të pyjeve, ku duken maja e Dhoksit (2029 m) e Trigjeprave (1474 m), apo mali Kaptina e Martaneshit (1870 m), përjetohet si një kërshëri ndikuese e madhe.

Pastaj në kanjonet e krijuara nga ujërat e shumta, në fshatin Peshk (që ka qenë rezidenca e dikurshme e një Ipeshkvi), ku janë edhe rrënojat e një kishe të madhe mesjetare, pastaj në zemrën e fshatit Ballenj, ku është Guva Mistike, apo në fshatin e çuditshëm Gjon, ku kam parë i mrekulluar një varrezë me varre monumentale prej guri të Antikitetit të Vonë, pa harruar të përmend edhe gati pesë tuma, ose kodërvarre ilire, që flasin për një lashtësi të madhe dhe të pamohueshme dot nga askush, eshte nje plotesim i imazheve te spikatura dhe te paharruara.

Kam parë dhe fshatrat e tjerë të kësaj zone gjeografike si Vali, Lena dhe Staveci.

Në Ballenj, Baba Selimi, punëtor i madh, ka bërë ndërtimin e dy teqeve, në gur dhe arkitekturë tërheqëse. Pikërisht në sheshin, e pyllit të Ballenjës bëhet edhe Pelegrinazhi i madh i 29 qershorit çdo vit.

E veçanta e krahinës së Martaneshit janë edhe bujaria, toleranca dhe urtësia. Është e vetmja krahinë, apo një nga të paktat krahina, që nuk ka asnjë vëllavrasje dhe nuk njihet ngujimi kanunor.

Kur kujtojmë këto, natyrshëm gëzohemi dhe krenohemi aq sa paradoksale tingëllon puna e drejtuesve të pushtetit, ku për fat të keq edhe e disa intelektualëve vendorë, kur ju dha mundësia të shërbenin në vendin e tyre, në vend që të paktën të ruanin dhe të administronin çfarë gjetën, bënë të kundërtën.

Mjafton të përmendim Qytetin e Krastës, dikur i lakmuar, i famshem dhe sot është i tkurrur mjerisht dhe pa kuptim me ca pallate gërmadhë, gati prej fantazme. Apo siç janë në dijeni të gjithë si janë katandisur minierat e famshme dhe me emer boteror te kromit, apo shkatërrimi i mijra hektarëve pyje te jashtezakonshem.

Ndarja administrative e Martaneshit, mua, më duket absurde. Për vetë kushtet natyrore, 90 përqind e Martaneshit është malësi e e paskrahëve të Tiranës. Pse të mos lidhej administrativisht me Tiranën?

Një konceptim i tillë do të qe tepër zhvillimor dhe progresiv. Kjo do të përforconte motivimin ekonomik të Martaneshit dhe do të krijonte mundësitë për një shndërrim të Martaneshit për Tiranën, në një Parajsë Turistike Ekologjike.

*****

Po si lindi ideja e Pelegrinazhit popullor të kultit bektashian më 29 qershor? Unë jam dëshmitar i kësaj nisme. Duke qenë mik me Kryegjyshin Botëror, Baba Dede Reshat Bardhin, me Baba Mondin, sot Kryegjysh Botëror, por edhe dentistin dhe intelektualin e shquar martaneshas Agim Biçakun, tepër i përkushtuar për bektashizmin dhe krahinën e tij, me Baba Selimin shembullor të Ballenjës dhe krejt Martaneshit, e di se në 22 maj 2003 u vendos që të organizohej ky Pelegrinazh në datën 29 qershor.

I përvitshëm! Që në vitin e parë, para 15 vitesh Pelegrinazhi u bë krejt popullor. Në të kam qenë shpesh edhe unë, por kanë ardhur edhe Pëllumb Xhufi, Xhevahir Spahiu, deputetë etj, por edhe shume artistë nga e gjithë Shqipëria.

29 qershori është një festë gjithëpërfshirëse. Më ka rënë rasti të flas në disa kanale televizive, të Francës, Turqisë, Gjermanisë madje edhe të Spanjës, si dhe të Bilbaos së baskëve, që kanë ardhur në 29 qershor në Ballënj, të interesuar për Pelegrinazhin por edhe mistiken bektashiane te shqiptarëve!

Edhe ky aspekt i interesimit ndërkombëtar i jep një ndjeshmëri dhe kuptimshmëri këtij Pelegrinazhi.

Pelegrinazhi përqendrohet tek shpella, e quajtur e Ballem Sulltanit, Pirit të Dytë të Bektashizmit, ose siç njihet Guva Mistike. Natyra përrallore e mjedisit, plot burime ujërash dhe pisha dhe ahe vigane, përbën një skenë gati fantazmagorike. Kryegjyshi Botëror, Baba Mondi, i ka dhënë një rëndësi të posaçme këtij Pelegrinazhi.

Ky shkrim im është gjithashtu një grishje e zemrës dhe e mendjes, e shpirtit dhe e dashurisë njerëzore. Martaneshi është një Ëndërr e Artë. Gjeografia ka krijuar diçka sublime dhe të papërsëritshme. Por kjo zonë duhet administruar. Me vizion të denjë për një të Ardhme.

ObserverKult


Lexo edhe:

AZEM SHKRELI: LIRIKË PËR LIRINË