Gazeta franceze “La Monde” i ka kushtuar një artikull rrëzimit të Teatrit Kombëtar në Tiranë. Në artikullin e tyre ata shkruajnë se ky është një akt barbar nga ana e qeverisë:
“Kryeministri shqiptar Edi Rama dërgoi policë dhe ndihmës të tjerë shtetërorë, për të shkatërruar një nga institucionet kryesore të vendit dhe nga ndërtesat e pakta të vjetra në kryeqytetin e shqiptarëve, Tiranë.
Kryeministri shqiptar Edi Rama nuk lë rast pa nxjerrë në pah karrierën e tij si një artist vizual dhe shijet e tij si piktor. Kur ai ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, nga viti 2000 deri më 2011, ai u bë i njohur në botë, për shkak se ndërtesat e ndërtuara në kohën e komunizmit, i pikturoi me ngjyra të shndritshme. Kjo ishte një nga ata punë të tij në kohën që ishte në krye të Bashkisë së Tiranës, që e modernizuan disi kryeqytetin shqiptar.
Mirëpo, të dielën e datës 17 maj, po Edi Rama, por tashmë 55 vjeç, kryeministër që nga viti 2013, dërgoi policë dhe të tjerë persona për të rrënuar një nga godinat më të vjetra dhe më të vyera në qytet, Teatrin Kombëtar. Brenda në ndërtesë kishte një dyzinë artistësh, që kishin rezistuar në protesta për më shumë se dy vjet, por u larguan me forcë nga policia.
“Ata (policët) erdhën në orën 04:15 të mëngjesit. Ne ishim ende rreth 60 persona, kur ata filluan që të ngrenë bull-dorëzin kundër godinës së Teatrit Kombëtar”, thotë regjisori dhe aktori Edmond Budina, një nga përfaqësuesit e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. Budina është ndër artistët, që rezistoi në protesta kundër prishjes së TK që nga viti 2018.
Ai dhe kolegë të tij u ngritën në protesta, për të kundërshtuar prishjen e godinës, e ndërtuar që në vitin 1940, në kohën e pushtimit italian të Shqipërisë. Edhe një demonstrim spontan, ku morën pjesë liderë të opozitës, u shpërnda brutalisht.”