Fragment nga romani i fundit i autores Ambra Hysa, titulluar Lady D.
Atë çast, ndjeu sesi i gjithë zemërimi i tij u zhduk, u sfumua, si retë gri që kishin zymtësuar qiellin atë mëngjes. Edhe mllefi iu zbeh si me magji, ndërkohë që takat e Dianës puthnin tokën dhe ajo afrohej gjithnjë dhe më shumë, e buzëqeshur drejt tij.
Driami, atë çast, që dukej si thellësia e një pafundësie, nuk do ta harronte asnjëherë, sepse pikërisht atë moment, jeta e tij si artist, por edhe si njeri, do të merrte një tjetër kuptim.
Ajo që kishte përballë, ishte gruaja për të cilën kishte krijuar muzikë gjatë gjithë jetës, e kishte adhuruar në heshtje, ende pa e njohur dhe ishte dashuruar marrëzisht pas imazhit të saj, duke mos pranuar asnjë grua tjetër, t’i hynte në sy.
Fakti, që ajo ekzistonte dhe ndodhej në dy këmbë përpara tij, i tronditi fort themelet e ekzistencës.
Lady D. e përshëndeti ftohtë fillimisht, pa një emocion të spikatur në fytyrë. Ishte e vështirë në fakt, t’i lexoje shprehitë e sakta të fytyrës së saj, njëqind dritëhijet.
Por, nëse i ndaleshe në shikim, mund të shihje thellë dhe shumë larg.
Zonjusha që kishte përballë, nuk dehej me fjalë të bukura edhe pse me siguri nuk i honepste dot as memecët; ajo nuk ishte një kukull vitrine, vetëm kërcitjet e takave të saj të impononin respekt.
Nuk ishte thjesht e bukur në një formë të pa ngatërrueshme, ishte thjesht ajo që kishte një jetë që po kërkonte. Nuk mund ta shprehte dot me fjalë dhe as ta kuptonte, por zemra e ndjente.
Diana u afrua pak më pranë tij, me një buzëqeshje të lehtë dhe më të ngrohtë kësaj here, duke i zgjatur dorën.
Kishte doza ngrohtësie në komunikimin e saj edhe pse ajo sillej sikur jetonte në një univers tjetër paralel; sikur ishte një fluturz, që pas pak minutash do të fluturonte dhe ai nuk do të kishte mundësinë ta takonte asnjëherë më.
Në sytë e bukur i lexohej dashuria e madhe dhe ngazëllimi që kishte për jetën, kishte sytë e një fëmijë po aq, sa ato të një gazele.
Driami nuk e kuptoi cilat ishin fjalët e saj të para, duke qenë se ishte i magjepsur pas saj, por “u zgjua” vetëm atëherë, kur Lady D. e pyeti për emrin e tij.
Atë moment, ai do të kishte dëshiruar që fama e tij të sfumohej, të venitej diku larg, të mos e përndiqte si një barrë e rëndë nën hijen e së cilës, duhej të prezantohej edhe në thjeshtësinë e një momenti.
Të dy buzëqeshën dhe për disa çaste, një heshtje e sikletshme ra mes tyre.
Ishte pikërisht ky çasti kur sytë i takuan me njëri-tjetrin, “The Art of Eye Contact”. I puthën shikimet për një fragment të sekondës; zgjati shumë pak ai moment përjetësie.
U zbeh duke iu fshehur shikimit të njëri-tjetrit, a thua se po të vështroheshin më gjatë, do ishte kimia njerëzore ajo që do të fliste në vend të tyre.Çfarë mund të flisje me një të panjohur? Gjithçka dhe asgjë…
ObserverKult
Lexo edhe: